• |
ide | kryesore

Miti i shpifur i “marrëdhënieve të reja” me Serbinë

Arkiva, Ide
mand edit.jpg



Kryeministri Edi Rama ka mundësinë të hyjë në histori jo si kryeministri i parë shqiptar që shkel në Beograd pas Enver Hoxhës, por si kryeministri i parë që refuzon ta bëjë këtë. Ai duhet ta anullojë vizitën e tij të lajmëruar në Serbi. Edi Rama nuk duhet të shkojë në Beograd jo vetëm për të mbrojtur dinjitetin e shqiptarëve, por për të treguar botërisht se miti i “marrëdhënieve të reja” me Serbinë është një mit i shpifur dhe i rrejshëm.

Për sa i takon dinjitetit kombëtar, kryeministri nuk ka pse të shkojë në një vend ku shqiptarët nuk janë të mirëpritur. Në një vend ku kërkohet vdekja e tyre dhe ku kriminelë të shpallur botërisht janë të lirë, madje edhe të hynë në fushë e të godasin shqiptarët. Anullimi i vizitës është më e pakta. Një takim Vuçiç- Rama do të ishte thjesht një hipokrizi për sytë e miliona shqiptarëve që e panë live atë çka ndodhi.

Por hipokrizia më e madhe do të ishte që vizita të bëhej nën arsyetimin e marrëdhënieve të reja me Serbinë, bashkëpunimit rajonal e të tjera dokrrave si këto. Serbia nuk është kravata e Aleksandar Vuçiç apo kostumi i Daçiç në Bruksel. Serbia është ajo e Ivan Bogdanovit dhe e atyre që kërkojnë të masakrojnë shqiptarët. Eshtë vendi që strehon më së shumti vrasës në Europë për shkak të luftërave në ish Jugosllavi, i cili tjetër fytyrë përpiqet t’i tregojë botës dhe tjetër gjë fsheh në brendësi të tij. Urrejtja e pashërueshme që u shfaq hapur në stadiumin e Partizanit, nuk është vetëm ajo e ekstremistëve të “1389”, “Varrëmihësve” apo ultranacionalistëve të tjerë. Ajto pamje janë Serbia e vërtetë, e pasuesve të Millosheviçit që ishin në tribunë, e pjesës më të madhe të mediave, e një populli që nuk ndjen asgjë për krimet që ka kryer, që jeton me mitin e betejës së Fushë Kosovës dhe për të cilin “marrëdhëniet e reja” janë një koncept i papërfytyrueshëm.

Edi Rama duhet ta anullojë vizitën në Beograd pikërisht për t’i treguar botës fytyrën e vërtetë të Serbisë. Për t’i thënë edhe Maja Koçijançiçit, që foli në emër të Komisionit Europian për ngjarjen, se shqiptarët nuk provokuan në Beograd, se autoritetet serbe nuk vepruan me profesionalizëm, se futbollistët tanë u goditën nga ata që duhej t’i ruanin dhe se bashkëpunimi rajonal në kushte të tilla është një pallavër leshi që nuk ka asnjë vlerë. Edi Rama nuk mund t’i japë dorën Aleksandar Vuçiçit, i cili në gazetën “Vecernje Novosti” akuzoi një grusht shqiptarësh, përfshi edhe vëllain e kryeministrit shqiptar, që ishin të izoluar në stadium, se kërkuan të poshtëronin qytetarët serbë. “Ata duan të na shkelin krenarinë, por ne shpëtuam fytyrën tonë nga një bandë zyrtarësh të rremë shqiptarë që gjendeshin në tribunën vip, duke treguar një ndryshim të qartë mes tyre dhe nesh”. Këto ishin fjalët e Vuçiç për atë që u pa botërisht me zë dhe figurë. Kryeministri shqiptar nuk ka pse të bëhet dekor i një manipulimi të tillë. Një shtërngim duarsh në Beograd nuk mund të mbulojë një realitet që ekziston në terren. Nuk mund ta bëjë Serbinë të duket ashtu siç nuk është, duke shfrytëzuar “tolerancën” tonë.

Ne e kemi treguar gatishmërinë tonë për t’iu përgjigjur rregullave të fqinjësisë normale, disa herë duke kapërcyer edhe mbi veten tonë. E kemi bërë për hatër të Brukselit, për t’u shfaqur tolerantë apo sepse vërtetë jemi të tillë, kjo nuk ka më rëndësi. Pas ngjarjeve në Beograd, çdo lëshim nga Tirana nuk është më shenjë e qasjes europiane, por dobësi, sjellje e kompleksuar, mungesë dinjiteti. Do të pranonim t’i jepnim Serbisë me duart tona, atë që nuk e ka dhe nuk e ka patur kurrë: fytyrën europiane. Përpara lëndimit të Brukselit, kryeministri duhet të mendojë për lëndimin e shqiptarëve.

Rasti i Beogradit shërbeu që jo vetëm bota t’i shohë edhe njëherë serbët siç janë, por që edhe ne këtu të kuptojmë se kozmopolitizmi prej snobësh në Tiranë ka shërbyer gjithashtu për të afirmuar një Serbi që nuk është. Një flamur i ngritur mbi stadium ka mjaftuar për të gërvishtur cipën fallco të fqinjit me të cilin duam të ndërtojmë “marrëdhënie të reja”. Disa djem nga Kosova na bënë të kuptojmë më në fund që Serbia nuk është Bjello Dugme e Bregoviç, por ajo që pamë në stadium. Që natën kërkonte në korr vdekjen e shqiptarëve dhe ditën i fajësonte ata para botës.

Një fqinj të tillë askush nuk ka të drejtë të na e imponojë. Kryeministri shqiptar duhet të reagojë pikërisht për këtë dhe jo të shprehë krenarinë apo keqardhjen në facebook. Deri tani deklaratat e qeverisë shqiptare kanë qenë të dobëta dhe të kompleksuara, në një kohë që Beogradi zyrtar ka marrë revansh për të mbuluar atë që ndodhi. Por më shumë se sa fjalët, nga Shqipëria, nga kryeministri shqiptar duhet një akt. Për t’i vënë një emër të gjithë asaj që ndodhi, për t’i dhënë fund hipokrizisë serbe, për të treguar se shqiptarët nuk janë ata të 100 vjetëve më parë, Edi Rama nuk duhet të shkojë në Beograd. Nëse Serbia ka zgjedhur të qëndrojë në gropën e saj, ne nuk kemi asnjë arsye t’i zgjasim dorën. Miti i shpifur i “marrëdhënieve të reja”, u rrëzua nga një top futbolli.