• |
ide | kryesore

Një lojë ku futbolli nuk ishte as sport

Arkiva, Ide
valon murati.jpg



1.Në një botë ideale sporti dhe politika nuk do të duhej të përziheshin. Por në atë botë ideale gjithashtu nuk do të duhej të kishte konflikte politike, ekonomike, etnike, racore, fetare, pabarazi sociale etj. Por një botë e tillë nuk ekziston, përkundrazi fatkeqësisht shumë prej këtyre konflikteve po thellohen e po ashpërsohen. Andaj edhe çdo aktivitet shoqëror, e në këtë rast i tillë është sidomos futbolli, përveç sport është shpeshherë edhe politikë. Kur luajnë Barcelona, apo Atletik e Bilbaos me Real Madridin, më shumë se futboll është politikë. Ku njëra palë shpalos identitetin kombëtar, dëshirën për pavarësi, mllefin për shtypjen e dhunshme nën Frankon, ndërsa pala tjetër është simbol i unitarizmit spanjoll. Kur luan Roma me Lazion, Benfika me Sportingun e Lisbonës, apo Shalke 04 me Borusian e Dortmundit, përveç rivalitetit lokal e regjional, ndarja ideologjike e tifo-grupeve është evidente. Të parat konsiderohen se janë ekipe të majta, të dytat se janë ekipe të djathta e shpesh si në rastin e Sportingut dhe Lazios si ekipe të ndërlidhura me diktaturat fashiste në Itali dhe Portugali. Kur luan, Seltiku nga Glasgou me Glasgou Renxhërs, ky nuk është derbi më i nxehtë në botë vetëm sepse është derbi lokal i një qyteti skocez, por sepse të parët përfaqësojnë emigrantët irlandez dhe rrjedhimisht dëshirën irlandeze për shkëputje nga Britania e Madhe (në këtë rast të Irlandës së Veriut) dhe të dytët unitarizmin britanik. Ka edhe më në atë më shumë se futboll, sepse të parët janë katolik, por ultrasët e tyre janë edhe të majtë, ndërsa të dytët protestantë dhe të djathtë. Edhe kur luajnë reprezentacionet ka gjithherë politikë dhe lojë me tensione të larta si Brazili me Argjentinën, Gjermania me Holandën, Hungaria me Rumaninë e plotë e plotë të tjera. Andaj, habitesha vazhdimisht, kur lexoja analiza e dëgjoja komente se loja në mes të Shqipërisë dhe Serbisë është vetëm një lojë futbolli. Habitesha, siç vazhdoj të habitem se si ka mundur dikush të mendojë se kjo lojë futbolli do të jetë vetëm një shfaqje sportive, kur raportet në mes të Shqipërisë me Serbinë, mbartin pas vete një histori të konfliktit mi 100 vjeçar, konflikt që konsiderohet se ende nuk është zgjidhur, e mbi të gjitha me faktin se elitat politike sidomos në Serbi, kanë mbetur peng të së kaluarës. Për më tepër, diçka që ne shpesh po e harrojmë për shkak të retorikës pro BE të Beogradit zyrtar viteve të fundit, se përfaqësuesit e partive më nacionaliste janë edhe në pushtet. Çdo gjë që i ka paraprirë kësaj loje, si ndalimi i tifozëve shqiptarë për të shkuar në Beograd, mobilizimi i mbi 3.500 policëve, si dhe ajo që ndodhi në stadiun që nga parulla që bërtitej në kor nga mbi 30.000 njerëz “ubij, zakolji, da shiftar ne postoji (vraje, preje, që shqiptari të mos ekzistojë)”, e deri tek ndërhyrja dhe rrahja në fushë, tregonin se kjo ndeshje, jo që ka qenë më shumë se sport, por nuk ka qenë fare sport.
 
2.Reagimet e zyrtarëve serbë, si të presidentit, qeverisë e të federatës, pas lojës, duke akuzuar palën shqiptare, ndonëse nuk kishte tifozë të organizuar shiptarë e as ndonjë përgjegjësi tjetër organizative pala shqiptare, tregojnë qartazi një gjë: Serbia fatkeqësisht është ajo e vjetra, e pandryshuara, e lidhur thellë me krimin e organizuar, por edhe krye-shovinistja e Ballkanit. Ajo që ndodhi në Beograd mbrëmë, madje nuk mund të shpjegohet as me analizën e filozofisë së veprimeve të tifo-grupeve në përgjithësi. Madje as me animet politike apo me urrejtjen etnike. Tifo-grupet serbe, sidomos liderët e tyre, e tejkalojnë edhe atë nivel analize. Monstrumët si Ivanovi me shokë, që veprojnë si udhëheqës të tifo grupeve në Serbi, janë krijesa të pushtetit serb që në kohërat e ish-Jugosllavisë, që shërbenin për vrasje politike, njësi paramilitare, spastrime etnike, tregti të drogës, shpëlarje të parasë etj. Futbolli dhe huliganizmi janë vetëm maska, për të fshehur aktivitetin real të këtyre individëve dhe grupeve të tyre. Ndërsa dënimi i herëpashershëm i dukurive të jashtme të huliganizmit dhe i individëve, dëshmojnë për mungesën e vullnetit që shteti serb ta trajtojë këtë çështje në mënyrë serioze. Deklaratat e dy ditëve të fundit tregojnë se ata vazhdojnë ta injorojnë këtë realitet, ndonëse edhe ngjarjet nga ndërprerja e ndeshjes në mes të Serbisë dhe Shqipërisë kanë qenë një moment, ku strukturat e shtetit, kanë mund të reflektojnë dhe të fillojnë luftën kundër këtyre kriminelëve. Tifo grupet si Grobari (me nëngrupet e armiqësuara në mes vete), e Delijet, edhe sot janë pjesë e botës së krimit të organizuar, të kontrollit të lojërave të fatit, të tregtisë së drogës, të shpëlarjes së parave, të haraçit, të eliminimeve fizike etj. Ata luftojnë (deri në vrasje të vazhdueshme) për territore në Beograd, jo për të dëshmuar superioritet sportiv, por për të kontrolluar tregtinë me narkotikë, haraç e lojërat e fatit. Ata vazhdojnë të terrorizojnë klubet e tyre, e sidomos lojtarët dhe udhëheqësit e klubeve (të cilat i ndërrojnë sipas dëshirave dhe interesave të tyre). Kjo botë e krimit, i kontrollon dy nga klubet me traditën më të gjatë sportive në Serbi. E gjitha kjo ndodh, sepse si produkt i shtetit, ata janë të infiltruar thellë në shtet. Serbia vazhdon të kontrollohet në shumë segmente nga këto grupe kriminale, të krijuara nga ajo, por që edhe vetë sot e ka problem t’i kontrollojë e t’i luftojë. E sidomos e ka të vështirë t’i kontrollojë kur janë në pyetje shqiptarët, për sundimin, ‘vrasjen dhe prerjen’ ndaj të cilëve, këto grupe janë përgatitur tash e gati 30 vjet. E ka vështirë t’i kontrollojë, jo e drejtë është të thuhet, ka mungesë vullneti politik për t’i kontrolluar dhe shkatërruar.
 
3. Edhe sa i përket shqiptarëve, kjo ishte një ndeshje më shumë se futbolli, ndonëse futbollistët ishin përgatitur vërtet në mënyrë dinjitoze që vlerat sportive t’i shprehnin në fushë. Ndodhi çka ndodhi, dhe pat një shpërthim të madh entuziazmi patriotik gjithandej trevave shqiptare. Ndeshja me Serbinë, loja dinjitoze e lojtarëve para atij presioni, hedhja e fluturakes me simbolet shqiptare (që në filozofinë e tifozëve konceptohet “se ua hodhëm serbëve edhe me invencion’) si dhe qëndresa e lojtarëve gjatë agresionit në fushë, ishte motiv i mjaftueshëm për festë gjithëkombëtare, ndonëse kishte vëzhgues neutral, që nuk e kuptonin sesi mund të festohet një ndeshje e pezulluar. Po festohet, sepse siç e thash, ajo ishte më shumë se sport. Kjo ngjarje dëshmoi edhe njëherë për një gjë: shqiptarë ndjehen një dhe si të tillë në thelb ndjehen të parealizuar. Andaj kanë dëshirë të kenë një kombëtare futbolli, e cila është e denjë për të gjitha përballjet sportive dhe jo-sportive, si dhe duke pasur dy shtete të vogla e të dobëta si dhe duke jetuar në disa të tjera të cilat i shtypin kanë dëshirë të kenë një shtet. Një shtet normalisht shumë më të vogël se ai i hartës, por një shtet ku ata sot janë në shumicë dhe kanë vazhdimësi territoriale. Pa e dëmtuar askënd, pa i hyrë askujt në hakë. Dhe shfaqjet e këtij entuziazmi, siç thoshte një mik nga Tirana, tregojnë për një ‘shpërpushje të madhe në mes të elitave në Tiranë e Prishtinë dhe vullnetit të popullit’. Por pas çdo entuziazmi fillon jeta normale me vështirësitë e veta, me telashet e mëdha politike e sociale që i kemi në jetën e përditshme. Andaj edhe gjëja më e vështirë por më madhështore për një popull e sidomos politikë është ta shndërrojë entuziazmin në veprimtari konkrete politike. Kjo veprimtari normalisht nuk kalon nga hartat, e as nga urrejtja ndaj të tjerëve, dhe këtu nuk guxojmë të biem asnjëherë në grackën e nacionalizmit pushtues serb. Patriotizmi shqiptar ka qenë përherë mbrojtës, e çlirimtar, andaj edhe emancipues. Kështu që projekti kombëtar sot duhet të përcillet nga hapa të vegjël por konkret të realizimit të integrimeve kombëtare në të gjitha fushat e sidomos në ekonomi dhe arsim, zgjidhjes së problemeve politike të Kosovës me Serbinë (sidomos trajtimi serioz i veriut të vendit dhe i Kosovës Lindore), puna serioze në luftën kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit (po, po unë besoj se bashkimi kombëtar kalon edhe duke e dhënë këtë provim ku kemi ngec deri tani si Tirana ashtu edhe Prishtina) e deri te krijimi i kushteve për realizmin e referendumit për bashkim. Rrjedhimisht kjo çka ndodhi i ka stepur të ashtuquajturat elita ‘kozmopolite’ të Tiranës dhe kosovaristët e Prishtinës, por nuk duhet t’i entuziazmojë as ata që janë për bashkim. Se bashkimi, përtej entuziazmit kërkon shumë, shumë punë të kujdesshme dhe të përkushtuar.
Autori është Sekretar i Përgjithshëm i Lëvizjes për Bashkim në Kosovë