• |
ide | kryesore

Serbët e kanë të fituar betejën me nacionalizmin

Arkiva, Ide
foto.jpg



Të gjithë qullin që Serbia po gatuan pas ndeshjes së ndërprerë të futbollit në Beograd dhe që po ia servir botës si ushqim në këmbim të fajësimit të shqiptarëve, nuk e bën për të fituar 3 pikëshin e një ndeshje futbolli. I gjithë reagimi i paprecedent i krerëve më të lartë të shtetit serb s’ka si të jetë për fitoren e një ndeshje. Kjo është mëse e kuptueshme pasi askush më nuk po flet për sport, por për marrëdhënie diplomatike dhe etnike. Duhmat që Nikoliçi, Vuçiçi e Daçiçi vazhdojnë të shpërndajnë këto ditë mbi Ballkan mbajnë erën e keqe të nacionalizmit. Dhe këtë erë s’ka si të mos e ndjesh. Dihet botërisht se të tre ata janë rritur në pemën politike të radikalizmit serb. Presidenti Nikoliç dhe Kryeministri Vuçiç e kanë nisur karrierën e tyre me Partinë Radikale. Ndërsa Ministri i Jashtëm Daçiç vjen nga socialistët e Millosheviçit, të cilin e ka patur edhe mentor kryesor. Kësaj treshje, që në CV nuk i gjen asnjë lidhje me futbollin apo ndonjë sport tjetër, s’ka si t’i kërkosh të jetë sportive. Të jemi të qartë gjithashtu se, banderola që fluturoi mbi kokat e mbi 30 mijë tifozëve serbë nuk kishte të bënte me futbollin. Edhe ajo përçonte një mesazh nacionalist me ëndrrat e Shqipërisë së Madhe, të njëjta me ato të Serbisë së Madhe apo Megali Idea -s greke. Me këtë karrem, ideatori sigurisht që ka menduar të peshkojë ndonjë të nivelit të tij, ndonjë nga tifozët ultras serb, aty ku janë futur me qindra ish –paramilitarë nacionalistë të “Tigrave të Arkanit” dhe s’besoj se ka menduar se atë mund ta gëlltisin me të parë edhe peshkaqenët e politikës serbe. Por tre “-içët” më të lartë të Serbisë ranë fare kollaj në këtë grackë. Për budallallëkun e tyre apo për leverdi, kjo mbetet për t’u parë. Nuk duhet harruar se ata në pushtet kanë ardhur duke mbrojtur tezat e nacionalizmit, duke u kapur fort pas Kosovës. Daçiç që u ul në bisedimet me Hashim Thaçin e humbi postin e kryeministrit dhe atë ia zuri Vuçiçi që në qëndrimet e tij kundër shqiptarëve ishte gjithnjë më pranë nacionalistëve dhe radikalëve serbë, që siç po shihet nga zgjedhjet e fundit, janë në shumicë, siç janë edhe nëpër stadiume. Kështu që nuk është për t’u çuditur se ngjarjen që ndodhi në fushën e sportit ata po e përdorin qëllimisht për të fituar sa më shumë pikë dhe për të mbuluar krizën ekonomike që ka kapluar vendin dhe që po e shton në mënyrë drastike numrin e të papunëve. Qullin e nacionalizmit po e përdorin për t’ua mbushur barkun të papunëve dhe për t’u mbyllur gojën atyre serbëve, që në jetën e tyre të përditshme futbolli, Kosova e Shqipëria nuk zënë kurrëfarë vendi e nuk kanë kurrëfare peshe. Po ashtu po e përdorin  për t’i treguar Europës se janë të detyruar të qëndrojnë fort në këtë llogore (qulli duhet thënë), sepse Shqipëria e Madhe është një rrezik për Serbinë, ashtu siç e tregoi banderola e “rrezikshme” e ndonjë ultrasi të futbollit shqiptar. Jo më kot, gazetat serbe, të kontrolluara në shumicë nga qeveria, u përpoqën t’ua faturojnë ndodhinë Shërbimeve Sekrete Shqiptare. Edhe një pjesë e shqiptarëve nuk vonuan të bien në grackën e banderolës së Shqipërisë së Madhe. Reagimi ndaj dhunës që u ushtrua ndaj futbollistëve tanë ishte mëse legjitim. Por sharjet e rëndomta të stadiumeve u shfaqën diku edhe në Tiranë, si për të treguar se Shqipëria është më shumë në Ballkan se në Europë. Në rrjetet sociale s’guxon të kërkosh përmbajtje, pasi gjykohesh si pro –serb, mbështetës i atyre që kërkuan vrasjen e shqiptarëve në stadiumin “Partizani”. Veç nuk duhet të harrojmë, se shqiptarët nuk kanë dhe nuk kanë patur këto vite në pushtet drejtues nacionalistë dhe nuk kanë qenë të frymëzuar nga ide nacionaliste. Më së shumti kanë kërkuar me tepër të drejta për shqiptarët autoktonë në Kosovë kur ajo ishte ende nën regjimin e Millosheviçit dhe ata në Maqedoni. Pjesa më e madhe e qytetarëve shqiptarë as që kanë ndonjë kompleks ndaj Serbisë, Maqedonisë apo Malit të Zi. I vizitojnë si vende fqinje dhe injorojnë nacionalizmin e tyre. Ndaj duhet të vazhdojmë t’i trajtojmë si të tillë, si fqinj me të cilët jemi të destinuar të bashkëjetojmë, duke ua kthyer reston si qytetarë europianë dhe nga ana tjetër t’i kërkojmë qeverisë sonë të vendosë marrëdhënie reciprociteti me qeveritë e tyre, që të reagojë përmes kanaleve diplomatike për t’i detyruar tre “-içat” që t’i tërheqin deklaratat fyese. Kjo do të tregonte seriozitetin e një vendi në marrëdhënien me veten, fqinjët dhe Europën dhe jo konkurrenca rrugëve e shesheve me nacionalizmin e egër. Sepse në këtë betejë jemi të humbur. Sepse dihet që me një idiot as nuk duhet të marrësh mundimin të diskutosh; ai të tërheq në nivelin e tij dhe të mund me eksperiencë.