• |
ide | kryesore

Mos u bëj garip në Shqipëri dhe langaraq në Beograd

Arkiva, Ide
xhafo.jpg



Letër e hapur Kryeministrit tim,

Zoti Kryeministër, në momentin që po shkruaj këto radhë, ti mesa duket e ke marrë vendimin për të mos e anuluar vizitën në Beograd. Unë dy arsye shoh për këtë: ose e ke me frikë, ose e ke me qejf. Jam më shumë i bindur se është çështje qejfi, por, që s'e kuptoj nga të buron. Ndoshta sepse të pëlqen epiteti "vizitë historike". Megjithatë unë të lutem të mos shkosh! Të paktën jo tani! E di çfarë, ky qejfi yt për të shkuar në Beograd, më ngjan me atë qejfin në distancë të "broduejsave" për të shkuar me gocat e bukura të xhiros, që ti, si "çun Tirone", e ke fare mirë parasysh. Por, po ashtu, ti e di se si atëhere, edhe sot, qejfi duhet të jetë i dyanshëm. Dhe mua nuk më duket se ata kanë ndonjë qejf të madh të të takojnë. Madje, sa më shumë kalon koha, aq më shumë bindem se ata po bëjnë çmos që ta prishin takimin. Thjesht nuk duan ta marrin ata përsipër. Por edhe ky qejfi yt më duket pak sipërfaqësor. Vërtet ti mendon se mund të ketë "marrëdhënie të reja" me Serbinë pas deklaratës së Nikoliç se "Shqipërisë do t'i duhen dekada, në mos shekuj, që të bëhet shtet normal, pa urrejtje ndaj serbëve"? Përse ke qejf të shkosh, që t'i provosh Nikoliçit të kundërtën? Deklarata tregon se ata na përbuzin, ngaqë nuk na marrin seriozisht. Por kur lyp miqësi pa dinjitet, edhe goca më e shëmtuar e xhiros do të të trajtojë si langaraq. Marrëdhëniet e reja, si ato që De Gaulle vendosi me Adenauer, duan në mos sinqeritet, interes të ndërsjelltë. Unë nuk shoh që ata të jenë të interesuar, pavarësisht se kanë çelur negociatat e anëtarësimit me BE-në dhe kanë nevojë të shkundin supet ende të pluhurosur me fajin e luftrave jugosllave. Por ata nuk e ndjejnë këtë! Jo vetëm nuk e ndjejnë, por vazhdojnë të viktimizohen për padrejtësitë që historia u paska rezervuar, si një komb që humb në kohë paqeje ato që ka fituar në kohë lufte. Pastaj nuk ishim ne kusht për ta, ishte Kosova. Ama as ti nuk je në pozitat e Hashim Thaçit, që kishte nevojë për një "marrëdhënie të re" me Serbinë, për t'i sjellë vendit të vet një pranim de facto prej Serbisë, në mungesë të një njohje de jure. Nuk je as në kohën e Nanos, fill pas ngjarjeve të '97-ës, të cilit nuk i bëhej vonë për Kosovën, por thjesht donte t'i tregonte Europës se ishte tolerant dhe shkoi e shtrëngoi duart me Milosheviçin, për të përfunduar pastaj të dy duke pirë wiskey.

Mos ke frikë? Nga se? Deklarata e parë e ministrisë sonë të jashtme ishte e mirë, ndonëse e vonuar. Togfjalëshat "vizitë e pritshme" dhe "të gjitha opsionet janë të hapura", nuk i mbyllnin dyert asgjëje, por ama tregonin se pala shqiptare po e konsideronte edhe mundësinë e anulimit. Shumë diplomatike! Përveç kësaj, me intervistat te VOA dhe pastaj me atë te France 24, ti le të kuptoje se vendimi yt do të varej nga qëndrimi i autoriteteve serbe. E çfarë qëndrimi mbajtën ata? Thjesht sa t'u kundërvunë më fort, duke rritur dozën e helmit në koktejlet e deklaratave të tyre fyese. Ndërkohë që Ditmiri vazhdon të përsërisë si çun mami "o çuna, o çuna, tërhiqini mbrapsht ato që thatë". Kurse notat e protestës i lëshon i detyruar nga notat e tyre të protestës. Po kjo s'ka vend ku të rrijë! Në Shqipëri ti je aq garip, sa shpesh kalon në cinizëm! Epo nëse je burrë shteti, s'mund të intimidohesh nga Daçiç, që të përmendi "Shqipërinë e Madhe" (vetëm nëse e ke kompleks krahasimin në këtë pikë me Sali Berishën). Ti s'mund ta harrosh se për dyzet e ca minuta, përpara se të shfaqej flamuri shqiptar që ti vetë e mbron, mbi tridhjete mijë persona, në prani të vetë presidentit të tyre, kërkuan vrasjen e shqiptarëve! Kërkuan vrasjen! Unë nuk di se çfarë ka ndodhur në kohën mes dy intervistave, asaj te France 24 dhe asaj për Reuters, që të bindi të mos e anuloje vizitën, por dua të të kujtoj se për shumë herë më pak se kaq, fqinjët tanë kanë anuluar vizitat e tyre në Shqipëri (presidenti grek, presidenti maqedonas, ministri i jashtëm grek). Mos më thuaj se je intimiduar nga Maja Koçijançiç, të cilën e vuri përpara vetëm Erisa Zykaj me pyetjet e saj? Ti nuk je ksenofil, se ke jetuar aq kohë jashtë sa ta dish se idiotësia mund të ulet këmbëkryq edhe në mes të Brukselit. Ne nuk jemi në kohën e xhiros, kur kthenim kokën pas të dalldisur nga era e livandos që shpërhapnin të huajt kur kalonin përpara hotel Dajtit. Përveç erës së urrejtjes ndaj nesh, unë nuk nuhas gjë tjetër nga Beogradi këto ditë. Ndaj të them, mos shko tani! Zgjidh një kohë tjetër, më të përshtatshme, ose, lëri ata të vijnë këtu, në rast se reflektojnë për gomarrllëqet e tyre. Unë nuk jam nacionalist, sepse sinqerisht besoj se nacionalizmi është strofulla e fundit e injorantëve. Por ama nuk jam as katolik, që kur më godasin në faqen e majtë, t'u kthej edhe të djathtën. Nëse ti beson ende sot, se më gjithë çfarë na bënë dhe çfarë na thanë, ekziston tani, pikërisht tani, momentumi për fillimin e një marrëdhënie të re, atëhere je naiv. Ti the se politika, sporti dhe huliganizmi duhen ndarë. Nëse e ke këtë bindje, ndoshta ke edhe dëshirën t'i shkosh deri në fund. Ndonjëherë liderët e bëjnë këtë, shkojnë përkundër mendimit të masave. Ky është misioni edukues i tyre. Por ti nuk je lider, mos të të vijë keq. Ose, të paktën, jo si ata që kam parasysh unë: De Gaulle, Nixon, Sadate… Këtyre historia u dha të drejtë për Algjerinë, Vietnamin, paqen me Izraelin. Unë nuk di në ç'pikë historia mund të të japë ty të drejtë nëse shkon në Beograd. Historia, e djeshmja dhe e sotmja, është me ne. Madje historia e këtyre ditëve, që s'ka pasur kohë të bëhet "histori" sepse është akoma "aktualitet", është e dokumentuar dhe e filmuar. Vetëm se ka nevojë për më shumë vendosmëri që të tregohet. Unë mendoj se me anulimin e vizitës ti do t'i bëjë një shërbim të mirë edhe Federatës sonë në pritje të vendimit të UEFA-s, sepse do t'i tregoje të gjithëve se veprimet e serbëve ishin aq të rënda, fyerja që na bënë aq e madhe, sa nuk mund të kalohen me buzëqeshjen hipokrite të diplomacisë. Por, nëse shkon, nuk mund t'i ndalosh njerëzit të mendojnë se po tërheq vëmendjen nga problemet e brendshme, nga ekonomia që po hyn në recesion, nga çmimi i energjisë elektrike që po kërkohet të rritet, nga papunësia dhe nga marrëdhëniet e tensionuara me opozitën. Po ashtu, unë jam thellësisht i bindur se nëse ti shkon tani në Beograd, ti do t'i tradhëtosh njerëzit jo aq në besimin e tyre tek ty, se sa tek pritshmëria që kemi të gjithë ne nga autoritetet shtetërore, për të treguar sadopak dinjitet. Dhe mjaftojnë këto të dyja, që të mos ketë Merkel të të shpëtojë pastaj. Vizita në Beograd në këto momente nuk do të ketë asnjë vlerë të shtuar, përveç asaj statistikore: Do të jesh i pari kryeministër pas Enver Hoxhës, që shkel në Beograd. Të eksiton kjo?