• |
ide | kryesore

Serbi- Shqipëri/ Kur i ul brekët, ta fusin të gjithë

Arkiva, Ide
balaj.jpg



UEFA vendosi sot që ngjarjen skandaloze në stadiumin e Beogradit ta kthejë në favor të serbëve duke u dhënë atyre fitoren 3 me 0 për ndeshjen e ndërprerë kundër Shqipërisë. Ky vendim i ka lënë të shokuar shqiptarët, të lënduar për pafuqinë e tyre ndaj një gjykimi kaq të padrejtë. Nuk ka asnjë dyshim që UEFA nuk i ka dëgjuar koret raciste, as nuk i ka parë videot e huliganëve në fushë, goditjet e forcave të sigurisë ndaj futbollistëve shqiptarë, fotot e plagëve që ata kanë marrë. UEFA ka parë vetëm llogaritë e votave që do t'i duheshin Michel Platinisë për t'u rizgjedhur. Një vendim pro Shqipërisë, mund të mërziste jo vetëm Serbinë, por edhe ca shtete të tjera që sheqtësohen nga shqiptarët. Kështu që ndëshkimi për Shqipërinë ka qenë zgjedhja më e lehtë për UEFA-n. Dënojini ata se askush nuk do të ngrejë zërin. Shumë shumë do të bëjnë ca protesta atje në vendin e tyre dhe gjithçka mbyllet.
Ndoshta kjo është pjesa që u dhemb më shumë shqiptarëve sot. Të gjithë e panë atë që ndodhi në Beograd dhe sot ndihen të fyer, të rrahur e të përdhunuar nga vendimi i UEFA-s dhe madje për këtë edhe duhet të paguajnë. Atyre nuk u doli në krah as shteti i tyre. Me teorinë qingji i urtë pi dy nëna, Shqipëria u soll e kompleksuar në raport me ngjarjen e Beogradit. Ndërkohë që qeveria e Serbisë ngriti botën në këmbë duke u paraqitur si e viktimizuar, e provokuar, e sulmuar, kryeministri shqiptar bënte komente në Twitter si një tifoz i zakonshëm. Madje aq shumë u hoqën të prekur serbët, sa edhe kryeministrin tonë nuk mund ta prisnin në Beograd. Vuçiç, Tadiç e Nikoliç i telefonuan Shtëpisë së Bardhë, alarmuan Brukselin (që u doli në krah me një deklaratë shtypi), akuzuan Shqipërinë e shqiptarët, duke e vënë palën shqiptare në një pozitë të kompleksuar. Të kompleksuar sepse edhe këmbëngulja e kryeministrit Rama për të shkuar në Beograd, krijoi idenë se shqiptarët nuk ndihen edhe kur i rreh, nuk ngrenë zërin, nuk kanë qëndrim si shtet, janë të përulur dhe i kapërdijnë padrejtësitë. Shqetësimi i Brukselit ishte më shumë të qetësonte Beogradin dhe t'ia rregullonte punët brenda Vuçiçit, se sa të mendonte për shqiptarët. Një shtet që nuk respekton veten, nuk mund ta respektojnë të tjerët. Po i ule brekët, sigurisht që të gjithë do ta fusin herët a vonë.
Nuk dihet se si do të kishte qenë sot vendimi i UEFA-s, nëse në ato minuta të rënda, kur nuk dihej fati i futbollistëve shqiptarë të sulmuar në fushë, kryeminsitri shqiptar, presidenti apo ministri i Jashtëm do të kishin dhënë alarmin për jetën e tyre. Do të kishin telefonuar e protestuar pranë departamentit të shtetit, Brukselit pse jo dhe UEFA-s për atë valë dhune e histerizmi që u derdh jo thjesht ndaj një ekipi, por ndaj kombit që ai përfaqësonte. Çfarë mund të kishte ndodhur nëse të nesërmen Edi Rama do të ishte kthyer nga xhiroja e tij në SHBA dhe të dilte në një konferencë shtypi bashkë me Hashim Thaçin për të shprehur shqetësimin dhe zemërimin e tyre ndaj fyerjes kolektive që iu bë shqiptarëve nga autoritetet serbe. Do të ishte bërë lajm në të gjithë botën dhe qëndrimet e BE e të UEFA-s mund të mos kishin qënë këto që janë sot. Por dy kryeministrat dinë të bëjnë vetëm mbledhje patriotike në Prizren, me flamurin kombëtar në sfond, dhe jo të sillen si shtetarë me dinjitet.
Hipokrizinë dhe shtirjen e kuptojnë edhe ata që kanë në duar vendimarrjen në botë. Qeveria shqiptare këtë herë u soll krejtësisht si e tillë, hipokrite dhe shtirë. Me arsyetimin bosh që të rrimë urtë se do na dojë Merkeli dhe do të na japë të drejtë UEFA, jo vetëm që nuk pimë dy nëna por na u ashtu edhe ajo që kemi. Një shtet duhet ta ngrejë zërin kur ka të drejtë, të tregojë dinjitet dhe jo të ulë brekët. Nëse do të ishim sjellë si një shtet dinjitoz, vendimi i UEFA nuk do të na kishte dhembur kaq shumë. Sot na dhemb dyfish. /lapsi.al/