• |
ide | kryesore

Kur Kushtetuta trajtohet si portreti i Nishanit

Arkiva, Ide
foto.jpg



Argumentet e dhëna nga përfaqësuesi i Kuvendit të Shqipërisë, Alban Brataj, dje para Gjykatës Kushtetuese mbi arsyet se përse Presidentit të Republikës duhet t’i hiqeshin disa kompetenca si Komandat i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, janë shokuese. Jo vetëm për faktin se arsyetimi ligjor i një juristi ngatërrohet keqas me qëndrime mirëfilli politike (në këtë rast të mazhorancës në pushtet që ai përfaqëson), por se dashje pa dashje juristi i Kuvendit dëshmoi se, edhe në hartimin e një ligji fryma e partisë mbizotëron mbi logjikën juridike dhe Kushtetutën.
 
Kur po mbronte para Gjykatës Kushtetuese ligjin për Drejtimin dhe Komandimin e Forcave të Armatosura, i cili është ankimuar në këtë Gjykatë nga Presidenti i Republikës, përfaqësuesi i Kuvendit u shpreh: “Brenda kuvendit ka shumë zëra që i kanë parë me shumë kriticizëm ndryshimet e fundit që pësoi kushtetuta në 2008, i kanë parë në thellim të politizimit të funksionit të Presidentit të Republikës. Por realiteti shqiptar na ka dorëzuar një President Republike, i cili vjen nga nivelet më të larta të partisë politike, e cila e ka emëruar.”
Më qartë dhe më guximshëm se kaq nuk e ka thënë askush nga mazhoranca: Presidenti duhet zhveshur nga funksionet e tij, sepse vjen nga një parti politike kundështare!
Po të mos ishte ndërhyrja e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, i cili i kujtoi se po flisnin për kompetenca në fushën e mbrojtjes, përfaqësuesi i kuvendit s’është çudi të thoshte se Presidenti i Republikës flet me argumentat e opozitës. E ka thënë këtë më parë Kryeministri.
 
Është një sirenë alarmi për legjislativin shqiptar të pranojë me anë të përfaqësueve të tij ligjorë se ka votuar një ligj për t’i hequr kreut të shtetit disa kompetenca që ia jep Kushtetuta, vetëm se ai ka zhvilluar aktivitet politik. A nuk e dinte për shembull LSI se nga vinte Nishani kur e votoi për President apo kur votoi ligjin në fjalë?
 
Është tronditëse kur dëgjon nga goja e një përfaqësuesi ligjor të mazhorancës të paraqesë si diçka normale injorimin e Kushtetutës, vetëm sepse ka “zëra nga mazhoranca” që thonë se ndryshimet e vitit 2008, të bëra me bekimin dhe votën e Edi Ramës, ishin bërë keq. Është skandaloze ta dëgjosh të mbrojë një ligj me shprehjeni “ka zëra se…”
 
S’është e nevojshme të jesh jurist për të kuptuar se kjo është një prej gafave më spektakolare të jurisprudencës. Megjithatë, arsyetimi i juristit të Kuvendit dëshmoi jo vetëm paaftësinë e tij, por edhe mendësinë e mazhorancës që përfaqëson: ajo po miraton ligje e po merr vendime jo për t’i përmirësuar ato në funksion të konsolidimit të institucioneve dhe shtetit ligjor, por vetëm sepse ligjet e Kushtetutën i sheh si pengesë për të realizuar qëllimet e saj apo sepse nuk i pëlqen Presidenti i Republikës dhe opozita. Në pamundësi për t’i zgjedhur kundështarët siç i do vetë, kjo mazhorancë po kërkon t’i neutralizojë ata me kartonat që ka në parlament.
 
A nuk e rrëzoi me kartona kërkesën e opozitës për ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar për Serverin e Tatimeve, ndonëse Gjykata Kushtetuese e kishte urdhëruar të bënte të kundërtën?
A nuk e prishi po me kartonat e kuvendit marrëveshjen me PD –në për ligjin e Nëpunësit Civil, vetëm sepse duheshin hequr ca militantë partiakë e duheshin punësuar disa militantë të tjerë që kishin përqafuar ngjyrat e mazhorancës PS – LSI?
 
Janë vendime të kundështuara nga Gjykata Kushtetuese. Të gjitha të anatemuara nga opozita si veprime të ndërmarra me qëllime të pastra politike dhe jo në funksion të shtetit ligjor.
Që Edi Ramës nuk i pëlqen Presidenti i Republikës, kjo nuk është diçka e re. Ai e ka thënë publikisht se nuk është i lumtur me Nishanin.
 
Loja e tij me kreun e shtetit u zbulua një ditë më parë nga deputeti Spartak Braho. Ndoshta në mënyrë të pavetëdijëshme kur po diskutohej në Komisionin e Ligjeve mbi dy kandidaturat e Presidentit për anëtarët e Gjykatës së Lartë, ai tregoi atë çka mazhoranca po fsheh realisht në disa vendime të saj që kanë të bëjnë më Presidentin. Braho u shpreh kundër mënyrës që Rama ka zgjedhur për rrëzimin e dekreteve të Nishanit duke thënë hapur: “në qoftë se (Rama) ka piketuar ndonjë njeri tjetër që duhet të vijë domosdo këtu, të na e thotë e të vemi t’ia themi Nishanit, sill atë që doni ju, që ta mbyllim këtë komedi. Kjo është komedi e tëra”.
 
Jo më kot akti i parë i Ramës në qeveri ishte heqja e portretit të Nishanit nga zyrat e administratës, siç kishte premtuar kur ishte ende kryetar i Partisë Socialiste. Tani, njësoj si portretin e Nishanit po përpiqet të trajtojë edhe Kushtetutën, vetëm sepse ajo mbron Nishanin, jo si individ, por si Kryetar Shteti.