• |
ide | kryesore

Pesë maniakë dhe një “situatë”

Arkiva, Ide
buzhala.JPG



Është teknikisht e pamundur që të shkruash për gjendjen politiko-shoqërore në vendin tonë, e të mos rrëshqasësh në nocione patetike dhe religjioze në raport me liderët e vendit. Të natyrës: Zoti ju vraftë, çfarë po i bëni vendit! 
Por mallkime të tilla qartazi nuk e zhbllokojnë 'situatën', se ata në duar të të cilëve është 'situata', Zotin as nuk e njohin si kategori morale, e së këndejmi të njëjtit as nuk i frikësohen. Kohë pas kohë, të njëjtin, pra Zotin, e përdorin sa për të mashtruar ndonjë qytetar kokëtrashë, kur vjen puna te ndonjë votë.
Pra, 'situata' nuk ka gjasa të zgjidhet mbi premisa morale. Sepse, në garë, ose në vijën e parë të frontit, gjenden pesë maniakë të verbuar për të zhvatur sa më shumë prej hises së– siç do të thoshte Xhavit Haliti – 'tortës që ofron pushteti'. Kjo çfarë i kishte rrëshqitur Xhavit Halitit, në një debat televiziv, definitivisht ishte një rrëshqitje frojdiane. Pra, kur dikush pa vetëdije e thotë të vërtetën, ose atë çfarë i fshihet në nënvetëdije.
Mirëpo, pse realisht kemi ardhur deri këtu?
Deri ku?, do të pyeste një lexues i vëmendshëm.
Deri në ditën që edhe pas 4 muajve kur kishte folur 'sovrani', përfaqësuesit më të dashur të sovranit, jo që nuk po afrohen, por përkundrazi, prej njërit shpat në një tjetër po i dërgojnë kërcënime njëri-tjetrit. Një gjuhë dhe një kod, i përzier në mes të asaj që e përdorin rrugaçët e rëndomtë kur i kërleshën njëri- tjetrit dhe një gjuhë e një kod i marrë nga e drejta zakonore primitive shqiptare, që buron thellë në mesjetë.
Një gjë e tillë, pra një krizë e tillë, kishte ndodhur edhe në Belgjikë, para ca kohësh, kur klasa politike kishte dështuar të merrej vesh për rreth një vit, do të thoshte prapë një 'avokat i djallit', duke dashur të thotë se liderët tanë nuk janë të vetëm në ketë planet, kur vjen puna tek mungesa e talentit për të gjetur zgjidhje.
Ndërsa, unë këtij 'avokati të djallit' do t'i thosha shko në djall. As nuk do të denjoja të lëshohesha në një argumentim të tillë. Ne mund te matemi vetëm me shtetet tona simotra, Iraku, Afganistanin dhe Siria, e assesi me organizimet shtetërore që e kalojnë grykën e Bosforit, e që vazhdojnë deri në Islandë.
Ne, këtë duhet thënë hapur, për një arsye pothuajse të pashpjegueshme logjike, gabimisht gjendemi gjeografikisht në Europë. Ose, është e pashpjegueshme, duke qenë gjeografikisht në Europë, ku Vjena është rreth 1000 kilometra larg, e të kemi qëndruar kaq të painteresuar për aktivitetet shoqërisht të dobishme. Për më tepër, që gjysma e jonë (diaspora), edhe jetojnë në këto vende të civilizuara. Pra, si u bë që ne, turremi si të tërbuar kur dikush, për shembull, e cenon një pëlhurë, qoftë ai edhe flamur, në një shtet tjetër, e jemi kaq indiferent, kur këtu, afër nesh, pesë maniakë politikë e cenojnë të ardhmen tonë, të ardhmen e fëmijëve tanë, dhe askush nuk e luan as veshin?
Sigurisht se po të kisha përgjigje në këto dilema, tash unë do të isha duke ligjëruar në ndonjë Universitet Perëndimor, si një sociolog i respektuar. Dhe meqë nuk kam, atëherë duhet që të ndaj mendimet e mia me miqtë e mi në FB, ose lexuesit në Gazetë Express, numri më i madh i të cilëve, në vend se të merret me çfarë kam thënë, vazhdon e merret me dizajnin e veshëve të mi.
Ajo çfarë unë dëshiroj të them është se përse ne jemi bllokuar si një shoqëri teveqelësh nuk është e rastësishme. Të rastësishme mund të kenë qenë 'situatat' normale. Pra, nëse ne prej vitit 1999 e këtej kemi funksionuar 'normalisht' kjo nuk kishte ndodhur për meritën tonë. Në anën tjetër, kjo çfarë jemi duke përjetuar muajt e fundit është ekskluzivisht për meritën tonë. Kjo është fytyra e jonë e vërtetë. Fytyra jonë e errët. Këto janë taktikat tonë vetëvrasëse. Sjellje bizantine dhe malicioze. Ku kundërshtari duhet zhdukur, me çdo kusht. Ku 'tortja' hahet vetëm.