• |
ide | kryesore

Vjen “Tomka” 36 vjet më pas

Arkiva, Stil
tomka3.jpg



Tirana International Film Festival (TIFF) është hapur të hënën në mbrëmje me filmin shqiptar të restauruar “Tomka dhe shokët e tij”. Filmi i njohur i regjisores Xhanfise Keko u përzgjodh për t'u restauruar pranë laboratorit të Qendrës së Konservimit të Pasurive Audiovisuale në Bibliotekës së Kongresit Amerikan. Stafi i specializuar teknik i laboratorit të LOC vuri në dispozicion kohën, profesionalizmin dhe fondet për këtë projekt si pjesë e programit të tyre të diplomacisë ndërkombëtare për të ndihmuar arkivat në rrezik në të gjithë botën. Është prodhuar një kopje e re 35 mm, pozitiv, bardhë e zi, me titra në anglisht. Në këtë mënyrë filmi do të ketë mundësinë të shfaqet në të gjitha mënyrat e projeksionit qofshin këto arkivale apo dixhitale si dhe të arrijë një audiencë të gjerë ndërkombëtare.

Tomka u luajt nga aktori Enea Zheku (në foto).

"Tomka" restaurohet plot 36 vjet pas prodhimit të tij, por nuk është ndër filmat e rrezikuar nga degradimi. Përzgjedhja e këtij titulli erdhi pas impaktit që parashikohet të ketë ky film tek publiku ndërkombëtar. ACP-ja është ende në vitet e para të punës, kështu që, fillimisht, ende i nevojitet të rrisë ndërgjegjësimin dhe të tërheqë vëmendjen e publikut dhe faktorëve ndërkombëtare tek kinemaja shqiptare për të pasur, më vonë, më shumë mundësi financiare dhe për të vazhduar me restaurime të titujve të tjerë sipas premtimit 5 tituj në 5 vjet.

Niveli i lartë artistik dhe cinematik i "Tomkës" dhe të qenit vepër e një regjisoreje femër janë elementë të rëndësishëm dhe jo të zakontë për kinemanë e një vendi të vogël ballkanik si Shqipëria. Këto fakte tërhoqën edhe dokumentaristin irlandez Mark Cousins i cili përfshiu pjesë nga "Tomka" dhe filmi tjetër i Kekos "Qyteti më i ri në botë" në dokumentarin e tij mbi pjesëmarrjen dhe lojën aktoriale të fëmijëve në film "The Story of Children and Film", ku u përfshinë gjerësisht filma nga kinematografia botërore./lapsi.al/