• |
ide | kryesore

Zeni, si alibi që i shërben Ramës

Arkiva, Ide
Andi_Bushati (1).jpg



Axhami, i nxituar, ende i fryrë nga ish pushteti arrogant dhe tribal i të atit, Shkëlzen Berisha u fut në një debat që nuk është  aspak i tiji. Në fakt ai nuk ka hyrë vetë, por me lehtësinë e njeriut që punët ia kanë bërë të tjerët, thjesht ka rënë në kurthin që iu ngrit. Ky kurth i qe projektuar poshtërsisht nga “spin doctors-a” të sprovuar.

Në këtë debat e thirri vetë kryeministri Rama, kur foli për Gërdecin dhe për standartin e ri që është ngritur pas 23 Qershorit. Qëllimi i Ramës ishte i qartë. Në konferencën e paramenduar dhe të paralajmëruar për shtyp të së martës, ai kishte dy synime. Fillimisht duhej të zbrazte mërinë popullore mbi një nënë të veshur me të zeza, që i dridhej buza dhe duart, që lutej për nënat e tjera dhe uronte që askujt të mos i ndodhte fatkeqësia e saj. Pikërisht kjo nënë që në një çast të vetëm kish humbur pothuajse gjithçka, dorëzoi për publikun edhe prazmoren e fundit që i kish mbetur: mandatin e saj të deputetit. Dhe e bëri live, në të nxehtë, duke fashitur mërinë dhe duke ngjallur keqardhje.

E gjitha kjo kishte një synim. Që pas saj ta merrte fjalën Edi Rama. Pas kësaj situate emocionale, ai nuk kishte pse të jepte llogari për ndërhyrjet për lirimin e parë të të akuzuarit për vrasjen. Ai nuk kishte as pse të përgjigjej më se përse policët e Tahirit  ia kishin falur disa muaj më parë kërcënimet me armë djalit të deputetes (shih rubriken lajme www.Lapsi.al). I çliruar nga flakja jashtë e Luiza Xhuvanit, të cilën e vuri të luajë rolin e saj të fundit në politikë, Rama kishte një qëllim tjetër: t’u thoshte shqiptarëve se në erën e tij janë vënë standarte të reja morale. Se tanimë ka perënduar koha, kur vihet i gjithë shteti për të mbrojtur Zenin e kapur me presh në duar në Gërdec.   

Pra synimi i tij ishte të jepte mesazhin: mos më krahasoni me standartet tuaja. Mos më krahasoni as me ato të demokracive perëndimore, ku djali i një të zgjedhuri është i barabartë me të tjerët para ligjit e ku nëse ai kapet me armë nga policia, çështja nuk arkivohet. Rama e dinte se këtu dilte zbuluar. Ndaj pasi nxorri Luizën e mjerë për të shfryrë mllefin e publikut, ai bëri propozimin: më krahasoni me Berishën. Gjithësesi unë jam ku e ku më lart (pakrahasueshmërisht më lart) se fshehja e krimeve që ai bëri në Gërdec dhe në 21 Janar.

Pas kësaj ndërhyrjeje të kryeministrit, ky duhej të qe në fakt debati real i shoqërisë shqiptare: a duhet krahasuar Rama me standartet e Berishës, apo me standartet e dëshiruara nga 1 milionë votat që shembën të keqen e sistemit të doktorit?

Në pamundësi për të kapur standartin e dytë, në mënyrë perfide, Rama na ftoi drejt krahasimit të parë. Ai bëri ftesë që ballafaqimi mos bëhej mes tij dhe asaj pjese të shoqërisë që kërkon më shumë, që e tejkalon standartin e “plakut me antiplumb” dhe që i kërkon kryeministrit drejtësi dhe ligj të barabartë për të gjithë.

Pikërisht, përpara se ky debat të fillonte, në arenë nxitoi të hynte Shkëlzen Berisha (Shih reagimin ne rubriken lajme www.Lapsi.al). Ai i kërkoi kryeministrit aktual ato që pushteti i babait të tij jo vetëm nuk i kishte respektuar, por që në të kundërt i kishte përdhosur keqas. Kështu ai bëri fiks lojën e Ramës. Jo atë të krahasimit ideal të qeverisjes, por atë të krahasimit simetrik mes qeverisë së re dhe asaj të vjetër.

Në këtë moment të vështirë për të, alibi më të mirë për Edi Ramën nuk kishte. Mbështetësit e tij më të flaktë filluan ta zhvendosin debatin fiks këtu dhe për një moment u duk se shumëkush nga ata që kërkonin një standart më të lartë, do të gjendeshin jashtë joje.

Por, pikërisht ky është momenti që e gjithë ajo pjesë e shoqërisë që nuk pajtohet me idenë e pranimit të të keqes më të vogël, nga frika e një të keqeje më të mëdhe, duhet të ngrejë zërin. Ata mund ta durojnë Zenin t’u bëjë karshillëk nga java e modës në Paris, ku shkon të shëtisë të dashurën me përfitimet e nxjerra nga pushteti i kaluar. Ata mund ta tolerojnë Berishën të postojë foto në muzg nga vila në gjirin e Lalzit. Ata mund t’i ndjekin me indiferencë tribunët që flasin nga selia e PD, për të mburrur kohën kur konkurronin ekonomikisht me Gjermaninë. Nga e keqja ata mund të bashkëjetojnë me këtë bandë të së shkuarës. Por ata nuk mund të lejojnë kurrë, që ajo të bëhet pasqyra ku reflektohen standartet e së ardhmes. Ndaj Shkëlzeni dhe të ngjashmit e tij sëpaku duhet të heshtin. Askush nuk mund të sundojë më në Shqipëri, thjesht se është më i mirë se ata. (Lapsi.al)