• |
ide | kryesore

Shqipëria: Ja si do të mbrohemi në UEFA.Argumentat e studiove ligjore

Arkiva, Sport
bogdanov_1495.jpg



Këtë të shtunë, duke folur mbi argumentet e UEFA-s që i ndëshkojnë kuqezinjtë me humbje të ndeshjes me Serbinë dhe gjobë prej 100 mijë eurosh, FSHF-ja ka mbajtur qëndrimin e saj, duke konsideruar gjithcka të padrejtë, kontradiktore në vendimet që penalizonin atë.Pasi Komisioni i Disiplinës pranë UEFA-s i ka dërguar Federatës Shqiptare të Futbollit arsyetimin e saj të zbardhur dhe të argumentuar në lidhje me humbjen në tavolinë të ndeshjes 3-0, në 14 tetor  në Beograd ndaj Serbisë dhe gjobën prej 100 mijë eurosh u kuptua se Shqipëria e ka humbur ndeshjen sepse "rrefuzon të luajë". Në materialin me 12 faqe të Komisionit të Disiplinës pranë UEFA-s thuhet shprehimisht se Shqipëria ka humbur ndeshjen në tavolinë sepse ka refuzuar ta vazhdojë atë. Por, megjithatë, shkruhet se “shqiptarët kanë deklaruar më parë se janë të pamundur për të vazhduar ndeshjen”. 

Por rrefuzimi i FSHS-ë është i prerë: “UEFA ka shkruar se Shqipëria ka refuzuar të kthehet në fushë. Arsyetimi i vendimit për ndeshjen e ndërprerë në Serbi është shumë kontradiktor. Argumentat tona do t’ia paraqesim Komisionit të Apelit. Në vendimin e UEFA-s (Disiplinës) justifikimi ynë se “Shqipëria nuk mundet të luajë” është interpretuar si “refuzim për ta vazhduar ndeshjen”. Pra, sipas Disiplinës, Shqipëria është quajtur shkaktare e ndërprerjes së ndeshjes. Nuk ka pasur asnjë refuzim për të luajtur, por pamundësi psikologjike dhe fizike. Duam të shprehim qartë qëndrimin tonë se ndërprerja e ndeshjes në Beograd më 14 tetor është përgjegjësi direkte dhe e padiskutueshme e FSF (Federatës Serbe të Futbollit). Në çdo rast, përgjegjëse për incidentet që ndodhin, deri në ndërprerjen e një ndeshjeje, është pala pritëse. Kjo është e shkruar qartë në rregulloret përkatëse të vetë UEFA-s. Ndëshkimi i Shqipërisë është i padrejtë, ndaj do të vijojmë betejën juridike në komisionin epror të UEFA-s. Pas argumentimit të Disiplinës kemi më shumë “armë” për betejën juridike në Apel,” – është shprehur në qëndrimin e saj zyrtar FSHF-ja, e cila ka bërë të qartë se cështjen në fjalë do ta dërgojë deri në KAS, në Lozanë të Zvicrës.

Kështu Federata Shqiptare e Futbollit mund të jetë e para në listën e federatave europiane që mund të dërgojë një vendim të komisioneve juridik të UEFAs në shkallën e tretë të gjykimit,në Komisionin e Arbitrazhit Sportiv në Lausanne të Zvicrës. Asnjëherë më parë një Federatë e Europës nuk e ka kontestuar vendimin e gjykatës sportive në UEFA deri në këtë instancë dhe në përgjithësi federatat janë mjaftuar me një apelim në komisionin e apelit, pas vendimit të disiplinës. Duhet shpjeguar që ky precedent krijohet vetëm për vendime që kanë të bëjnë me skuadrat përfaqësuese A, ndërkohë që në KAS shpesh klube apo futbollistë të caktuar kanë ngritur cështje në raport me federatat dhe vendimet përkatëse. 

Duke qenë se ndryshe nga shkalla e pare, në apel dëgjohen edhe gojarisht pretendimet e palëve FSHF ka pajtuar dy studio mbrojtëse: “Littleton Chambres” britanike me avokat Antonio Rigoci dhe një zvicerane “Levy kaufman Kohler” me avokat John Mehrzad. Por pavarësisht nga kjo, ka pak shpresë që apeli ta kthejë përmbys vendimin e shkallës së parë. Praktika e UEFA-s tregon se në apel zakonisht janë reduktuar dënimet, por nuk janë zhbërë ato.

Ndaj edhe pala shqiptare po bën përgatitjet që ti drejtohet shkallës së tretë, gjykatës së Arbitrazhit sportive (KAS).  Pala shqiptare tashmë ka kontraktuar edhe njeriun që do ta mbrojë Shqipërinë në këtë shkallë të gjykimit. Burimi që donte ta mbante sekret emrin, pohonte se ai ishte një personalitet i njohur i jurispridencës sportive. Ende nuk dihet nëse këtu ka dicka të vërtetë apo kjo është thjeshtë një manovër e propagandës së FSHF-së, për të treguar se po bën maksimumin, por gjithësesi një gjë është e qartë: Shqipëria mund të ketë ndonjë shpresë vetëm në shkallë të tretë.

Juristët që punojnë për FSHF-në kanë vendosur këto piketa për mbrojtjen e tyre:

1. FSHF-ja nuk mban asnjë përgjegjësi për hyrjen e banerit fluturues në stadiumin e Partizanit. Siguria është një përgjegjësi e organizatorit. Nuk kishte tifozë shqiptarë në stadium. FSHF-ja nuk mund të jetë përgjegjëse për mungesën e sigurisë në territorin serb, brenda dhe jashtë stadiumit.

2. Nuk ekzistonin më kushtet e sigurisë për të vazhduar lojën. Arbitri i drejtoi lojtarët jashtë fushës për arsye sigurie, por sipas raporteve nuk ekziston vendim i arbitrit dhe as i zyrtarëve të tjerë të UEFA-s që siguria u rivendos. Fusha mbeti e pasigurt.

3. Ka prova të qarta mjekësore që lojtarët e ekipit shqiptar ishin fizikisht dhe psikologjikisht të paaftë të luanin, si pasojë e dëmtimeve që rrodhën nga dhuna e tifozëve vendës që hynë në fushë. 

4. Ndëshkimet janë dukshëm të padrejta, sepse thuajse barazojnë dënimet. Një stadium që ofroi parulla etnike, politike dhe fetare, urrejtje raciale u ndëshkua në mënyrë të njëjtë me një baner të vetëm, të paligjshëm dhe me origjinë të pavërtetuar.

5. Shkaqet finale që çuan në braktisjen e ndeshjes ishin mungesa evidente e sigurisë dhe dhuna e pësuar nga lojtarët shqiptarë dhe e ushtruar nga tifozët vendës. Lojtarët shqiptarë nuk u njoftuan kurrë që zyrtari i ndeshjes vendosi që takimi të vazhdonte. Ky pozicion është produkt fantazie. Skuadra jone nuk refuzoi kurrë të vazhdonte ndeshjen. Lojtarët shqiptarë deklaruan se ata ishin fizikisht dhe psikologjikisht të paaftë për të luajtur një ndeshje futbolli".