• |
ide | kryesore

7 shenja se komunizmin duan ta rikthejnë

Arkiva, Ide
lela.jpg



Mehmet Shehu, burrë shteti?

Bashkim Shehu nuk beson se i ati, ish-kryeministri i Shqipërisë Mehmet Shehu, si pasardhës i Enver Hoxhës do t’i ndryshonte gjërat. Dhe, duhet thënë, jo vetëm me njohjen që i jep afërsia e lidhjeve at-bir, por edhe me instinktin e shkrimtarit, Bashkim Shehu ka të drejtë. Pavarësisht kësaj ka në Shqipëri nga ata që mendojnë se Mehmet Shehu është ‘burrë shteti’. E kanë thënë publikisht në kujtim të 110-vjetorit të lindjes së ish-kryeministrit me gjasë të vetëvrarë. Nëse e marrim si aksiomatik pozicionim e të birit, Bashkimit, logjika të shtyn drejt mendimit se idhtarët e Mehmet Shehut e përlëvdojnë shefin komunist të luftës, jo për një iluzion të tyre për një hapje apo liberalizim të Shqipërisë, por për të kundërtën. Për instinktin e komunistit të vijës së ashpër të mishëruar te Shehu, i cili ndryshe nga Alia, nuk do e kish dorëzuar Shqipërinë te rrjedha e kohës pa gjak. Ndër ata që ‘e duan’ Mehmet Shehun më shumë se i biri, ka historianë të certifikuar apo ish-shefa shërbimesh sekrete të rënë në krahinarizëm. A thua të jetë historike axhenda e tyre apo komuniste?

Busti i Zogut rrëzohet nga komunistët

Një grup nostalgjikësh të Enver Hoxhës dhe anëtarë të disa fraksioneve të ekstremit të majtë që njihen si parti komuniste ndjekur me prapashtesa të larmishme, kanë provuar të rrëzojnë shtatoren e mbretit Zog në bulevardin që mban emrin e tij. Mjeti i përdorur ka qenë një kavo çeliku, por nisma ka dështuar, me sa duket për shkak të ‘seriozitetit’ me të cilin është ngulitur shtatorja e Zogut. Komunistët, para se të ndërmerrnin këtë aksion, pak pas ardhjes së të majtës në pushtet, i kishin shpallur qëllimet e tyre që para 23 qershorit kur deklaruan se pas fitores së zgjedhjeve do ta hiqnin përmendoren e atij që në ligjërimin e komunistëve njihet si ‘satrapi Ahmet Zogu’. ‘Alergjia’ e shtuar e të majtëve ndaj mbretit Zog u shfaq demonstrativisht edhe pas një ‘aksioni konservator’ të shefit të së djathtës, Berisha kur ai qe kryeministër. Figura e Ahmet Zogut u bë mjet qendror i narrativës së ‘dekomunistëzimit’ në një shoqëri si shqiptarja, e cila, si në verb ashtu dhe në aksion, për shumë arsye shprehet majtas. Në çelikun e asaj kavoje të hedhur mbi supet e shtatores së Zogut kishte pra edhe një shpagim anti-Berishë.

Bunkeri postBllok i Fatos Lubonjës

Fatos Lubonja është një prej atyre intelektualëve të majtë, sa tipik aq dhe kontroversial. Trashëgimia e tij intelektuale shtrihet mes shkrimeve, burgosjes nga regjimi komunist dhe një aksioni postburg që identifikohet me të majtën, edhe pse pësimet i pati prej saj. Megjithatë, Lubonja nuk mënoi që një simbol të trashëgimisë komuniste në Shqipëri, bunkerin, ta përdorte si antitezë dhe antimjet. Mu në bulevardin kryesor të Tiranës, pak metra prej ish-selisë së Komitetit Qendror të Partisë Komuniste dhe Bllokut të elitës komuniste, ai shndërroi në art dhe memorie një objekt të përzishëm e pa kujtesë si Bunkeri. Asgjë më shumë se ajo kupolë e stilizuar nuk mundohet t’i ndërtojë kryeqytetit shqiptar një histori të afërt në të shkuarën dhe në të ardhmen njëherësh. Gjetja e simbolikës, por ndoshta më shumë e vendit, i çarti krejt shumë prej komunistëve të vijës së ashpër. Nuk ka asnjë të akuzuar nominal për këtë bëmë ‘guerrilasish’, por pandehmat dhe shenjat bëhen pjesë e një neokulture të mbërritur me 23 qershorin. Lubonja e mitizoi bunkerin jo në funksionin e tij të parë, por në të kundërtën. Duke e quajtur bashkë me dy pjesë të tjera të ansamblit memorial, PostBllok.

Enver Hoxha rikthehet për festat

Ashtu siç djalli që merr shumë forma, edhe ish-diktatori komunist është kthyer disa herë nëpërmjet portreteve të veta apo deklaratash eksponentësh të ndryshëm publikë. Është shfaqur në duart e veteranëve të luftës dhe nostalgjikëve, dikur të grumbulluar në Shoqatën e Vullnetarëve të Enverit, të cilët pas ardhjes në pushtet të së majtës kanë marrë zemër. “Komandanti’ është dhënë, i ri dhe i pashëm, në pankarta, sa te varrezat e Dëshmorëve të Kombit e sa ato të Tufinës. Më pas në Përmet, në formën e nderimit me grusht ndanë varreve të të rënëve të luftës nga fëmijë shkolle të klasave të ulëta. E ndodhur në Përmet mund të konsiderohet si njëfarë Kongresi i Përmetit 2. Më i certifikuar Enveri erdhi në ligjërimin e historianit dhe politikanit Paskal Milo, i cili ka folur për një rivlerësim të figurës së tij duke u fokusuar te lufta. Kjo narrativë hileqare është mbërthyer te fjalia ‘Enveri ka bërë edhe gjëra të mira’. I njëjti arsyetim mund të përdoret edhe për Hitlerin: edhe ai mund të lëvdohet për rimëkëmbjen ekonomike të Gjermanisë për shembull. Pse jo?

Nexhmije Hoxha: gjithmonë këtu, gjithmonë gati

Prania më e fortë e komunizmit në trajtën e tij të rilindur është e veja e diktatorit, Nexhmije Hoxha. Iluzioni që shpërndan heshtja dhe përvujtnia e saj tradhtohet vetëm nga thikat e holla të fjalive lëshuar me një kujdes makiavelik, të cilin e kanë vetëm ata që e shohin veten të mbijetuar pasi e kanë çuar popullin e tyre në mizerjen e egër të mbijetesës. Nexhmija Hoxha në këtë rrafsh është njëfarë dr. Mengele nazist, që i fabrikon viktimat e veta dhe më pas e artikulon krimin si kauzë të progresit e idealit. E veja e diktatorit i ka gabuar edhe gazetarët që nuk i janë ndarë për intervista: në vend të kujtimeve që ata kanë pritur prej saj, ajo u ka shërbyer atyre dhe publikut përligjien e trashëgimisë komuniste. Ndjesë nuk është kërkuar prej saj, e madje ravgimi për ndjesën ka humbur në ngashnjimin e një artefakti të komunizmit, që është vetë ajo. Ajo na shëtitet para syve si një panda e plakur dhe e patëkeq e një komunizmi të keqkuptuar. Të gjithë janë në rol: ajo, që na ishte e largët dhe e paprekshme, por dhe që vendoste fatet tona, e kemi më në fund kaq pranë. Çfarë rrengu u punon popujve ironia e historisë!

Rishkrimi i historisë së re nga skribët e vjetër

Paradigma ‘rishkrim historie’ të çon menjëherë te pyetja ‘historisë së kujt?’ Sa histori ka Shqipëria? Nëse flasim për historinë e shkruar deri në vitin 1991, tekstin e saj e dimë. Përpjekjet, nganjëherë kretine, të rishkrimit të historisë pas viteve ’90 kanë qenë, më shumë se historiografi, një zulmë për të futur në peizazh personazhe të lëna jashtë. Bardh-e-zisë së historiografisë komuniste iu shtuan zbardhës të së zezës së fashave përbërëse të saj: nacionalistë, ballistë, zogistë e të tjerë. Rishkrimi i historisë tani, me komisione të përbëra nga shkrues të saj të para ’90-ës ngjan me një shaka të trashë. Edhe kur thirret ndonjë ‘ndërkombëtar’ për të ‘certifikuar’ një paanësi të rrejshme, merret në punë një ish-anëtar i grupeve marksiste-leniniste, apo të Shoqatave të Miqësisë që vizitonin dikur Shqipërinë me dietat e Enver Hoxhës. I tillë është rasti i gjermanit Michael Schmidt-Neke, një protégé i Aleks Budës dhe autor i një libri për ‘diktaturën mbretërore të Zogut’.

Shkulja e një monumenti me dy gishta lart

I programuar në dy ‘pulte komandimi’ të ndryshme, si në stil ashtu dhe background, rrëzimi i monumentit të demokracisë në Kavajë i mbërriti kronikës së lajmeve me habinë e gjestit të panevojshëm. Edi Rama dhe Elvis Roshi, njëri piktor e basketbollist i ngjitur në majë të politikës, e tjetri emigrant e biznesmen i shndërruar në politikan, prodhuan far west-in e një shpagimi që u marketua si masterplan urbanizimi. Pavarësisht pabukurisë së supozuar nga kryeministri, jo monumenti por simbolika dhe vendi ku ngrihej, bënin thirrje për respekt. U zgjodh përbuzja për arsye që protagonistët i dinë më mirë, por edhe të tjerët munden, të paktën t’i marrin me mend. Kryeministri foli për realizëm demokratik duke futur në një thes dy gishtat e gjatë sa minarja të monumentit të Kavajës dhe muranat përkujtimore të të aksidentuarve nëpër zgëqet e pluhurta të rrugëve të Shqipërisë! Asnjë metaforë apo përpjekje për të, megjithatë nuk e shmang dot përshtypjen se e majta ka (ri)hapur një luftë kulturore me të djathtën që mbështetet në stilema dhe klishe të vjetra të marinuara në 45 vite pushtet pa shtet. E majta e ka Hollivudin e saj: te filmat e Kinostudios Shqipëria e re!

"Mapo"