• |
ide | kryesore

Kthimi i të jashtë-qiturve

Arkiva, Ide
BatonHaxhiu.jpg



Si ta lexojmë ambasadoren Jacobson?

Shprehja e ambasadores: “Mos e dhini punën”, u perceptua ashpër. Opinioni reagoi pjesërisht i dëshpëruar. Ai u revoltua më shumë ndaj liderëve të vet se sa ndaj "të falave të mikes". Në fakt ajo shpalli simbolikisht ardhjefundin e durimit të ndërkombëtarëve ndaj gjendjes. Kosovarët qëmoti refuzojnë të jetojnë në pashtegësi. Prandaj thirrja e saj shpërthyese paralelisht u vendos edhe si apel për vetëdijesimin e liderëve për tejkalimin e bllokadës në Kuvend, institucioneve kyçe dhe gjithandej.

Ambasadorja Jaccobson nuk ka bërë interpretim të procedurave kushtetuese se a mund të shpallen tani zgjedhjet apo jo. Ajo konform pozitës së saj si diplomate doli e kujdesshme, nuk interpretoi kushtetutën e as dha receta se si duhet ë zgjidhen problemet. Nën rreshta deklarata e saj nënkuptoi ligjërimin se; në një demokraci funksionale, konstituimi i Kuvendit është akt solemn, formal dhe me procedura të shpejta, ndërkaq beteja politike zhvillohet rreth formimit të Qeverisë. Për të qenë deri në skaj e balancuar, e paanshme ajo elaboroi se: sipas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese, kryeparlamentari i takon PDK-së dhe se blloku duhet ta pranojë këtë fakt. Po në të njëjtën frymë i tërhoqi vërejtjen PDK-së; në rast se blloku vendos njëanshëm të votojë për kandidatin e PDK-së për kryetar të Kuvendit, nuk duhet të provojë forma të reja të bllokadës në Kuvend (skenari ku PDK refuzon të nominojë kandidatin e vet për kryetar të Kuvendit). Partitë vazhdojnë të interpretojnë sipas tyre ato që synojnë, pavarësisht diktumit që impononohet nga Kushtetuta,  duke i komplikuar kështu çështjet edhe më tepër se sa janë.

KOMPLIKIMET DHE SITUATA E RE LIGJORE

Sipas ekspertëve të fushës më kot merret parasysh e përflitet si fakt për shembull "shpërndarja e Kuvendit". Si mund të shpërndahet diçka që ende nuk është konstituuar? Domethënë manovrohet me diçka logjikisht të paaplikueshme.

Fakti tjetër me rëndësi, brenda debatit është se autoriteti i vetëm që mund të shpallë zgjedhjet është presidentja e Republikës. Në qëllimet e hartuesve të Kushtetutës, Presidenti konstaton jofunksionimin e Kuvendit dhe rrjedhimisht e shpërndan atë. Megjithatë duhet cekur se Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk e ka paraparë në mënyrë të qartë situatën që në gjuhën angleze cilësohet si "failure to constitute" – situata kur deputetët e zgjedhur dështojnë të konstituojnë Kuvendin dhe që pasqyron situatën në të cilën aktualisht gjendet Kuvendi i Kosovës.

Situata në fjalë më së miri do të mund të zgjidhej nëse do të mund të merreshin parasysh qëllimet e hartuesve të Kushtetutës, të cilët gjithçka e kanë konceptuar sipërfaqësore e formale, siç është rasti kur thuhet se seanca konstitutive duhet të mbahet jo më larg se 30 ditë nga shpallja zyrtare e rezultateve zgjedhore. Në mendjen e tyre, pasi pa definime, provizione e instrumente shtesë, konstituimi i Kuvendit është konsideruar si një akt formal. Këtë logjikë "ceremonie" e ndryshoi  vendimi i Gjykatës Kushtetuese të datës 26 Gusht 2014, duke krijuar kështu një praktikë, arsyetimi ligjor i së cilës mungon ose gjendet vetëm në kujtesën e hartuesve të Kushtetutës.

Si pasojë e këtij zhvillimi, pra me me shpërfilljen e afatit 30 ditor nga Gjykata Kushtetuese ajo i hodhi vetes një përgjegjësi të re: ajo nëpërmjet asaj që duhet CONSTITUTIONAL CASE LAW duhet të përcaktojë mekanizimin veprues për situatën kur deputetët e zgjedhur dështojnë të konstituojnë Kuvendin. Rëndësia e këtij mekanizmi është funksionale pasi është ‘non sens’ që ky mekanizëm të ekzistojë për situata kur nuk mund të konstituohet qeveria, ndërkohë që mungon për situatën kur nuk mund të konstituohet Kuvendi.

 

MESAZHI DHE (KEQ)INTERPRETIMET

Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj u pajtuan që të heqin dorë nga kryetari i Kuvendit dhe të ridefinohet marrëveshja.

Pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, PDK ka të drejtë që për 15 ditë të provojë të formojë qeverinë. Në rast të dështimit, presidentja e nis raundin e dytë të konsultimeve me partitë politike. Ambasadorja Jacobson ka thënë se vetëm numrat në Kuvend nuk mjaftojnë që të formohet qeveria dhe se qeveria e ardhshme duhet të jetë gjithëpërfshirëse (theksi bie në një përfaqësim të vërtetë të komunitetit serb, në këtë rast Lista Srpska) dhe se duhet të jetë e përkushtuar ndaj detyrimeve ndërkombëtare të Kosovës (lexo dialogu, gjykata speciale etj). Ambasadorja shtoi se qeveria e saj përkrah presidenten në synimin për një qeveri me pjesëmarrje gjithëpërfshirëse të komuniteteve dhe e përkushtuar ndaj detyrimeve ndërkombëtare të Kosovës. Kjo nënkupton se nuk mund të ketë qeveri pa Listën Srspka dhe nuk mund të ketë qeveri që përfshin "Lëvizjen Vetëvendosje", për sa kohë kjo e fundit nuk e ndryshon qëndrimin ndaj dialogut dhe gjykatës speciale.

Nëse dështohet në formimin e qeverisë në raundin e dytë atëherë shkohet në zgjedhje, sipas procedurave që parasheh edhe kushtetuta kosovare. Megjithatë, ambasadorja në asnjë moment nuk ka thënë se – ashtu siç e keqinterpretuan manipulueshëm – nëse partitë vazhdojnë të tregohen përjashtuese ndaj njëra-tjetrës dhe vazhdojnë me bllokadën në Kuvend, Presidentja nuk mund t’i shpallë zgjedhjet. Ajo tha se zgjedhjet janë opsioni i fundit (lexo në të dy skenarët).

Pas fjalës së Jacobson, Isa Mustafa (LDK) dhe Ramush Haradinaj (AAK) kanë shkuar te presidentja, ku kanë treguar gatishmëri të heqin dorë nga posti i kryeparlamentarit dhe kanë kërkuar që garanci se në raundin e dytë, presidentja do të nominojë kandidatin e tyre për kryeministër. Presidentja ka pranuar të nominojë kandidatin e bllokut për kryeministër me kushtin që kjo qeveri të përfshijë Listën Srpska dhe të jetë tërësisht e përkushtuar ndaj dialogut (lexo të gjithë partnerët e mundshëm të këtij koalicioni të jenë tërësisht përkushtuar ndaj dialogut dhe detyrimeve të tjera ndërkombëtare të Kosovës).

TRE SKENARËT E MUNDSHËM

SKENARI I PARË: RRUGA E GJATË DERI TE QEVERIA.

1. Blloku deklaroi njëanshëm heqjen dorë nga synimi për kryeparlamentar dhe kërkon vazhdimin e seancës konstituive.

2. Presidentja përdor autoritetin e vet dhe e këshillon deputeten Flora Brovina të thërrasë vazhdimin e seancës konstituive.

3. Miqtë ndërkombëtarë i bëjnë presion PDK-së që të mos përdorë taktika të reja bllokuese dhe të procedojë më nominimin e kandidatit të tyre për kryeparlamentar.

4. Duke dashur të tregojë konstruktivitet para miqve ndërkombëtarë, PDK propozon kandidatin e saj për kryeparlamentar. Blloku voton pro këtij kandidati dhe pas zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit, përfundon konstituimi i Kuvendit.

5. Presidentja nominon kandidatin e PDK-së për kryeministër i cili ka 15 ditë të sigurojë shumicën parlamentare, duke marrë në konsideratë edhe kushtet e Jacobsson.

6. Pas dështimit të mundshëm, presidentja fillon ciklin e dytë të konsultave.

7. TANI VJEN DETAJI MË I RËNDËSISHËM. Presidentja nuk do të ngutet me caktimin e mandatarit të dytë. Ajo do të konsumojë të drejtën e saj të diskrecionit që ia ka njohur Gjykata Kushtetuese. Do të kërkojë nga blloku një kandidat që jo vetëm garanton shumicë parlamentare, por edhe gjithëpërfshirje të komuniteteve (SPRSKA) si dhe përkushtim ndaj dialogut dhe detyrimeve të tjera.

8. Nëse blloku dështon të prezantojë një kandidat që i përmbush kriteret e presidentes, atëherë presidentja do të kërkojë nga të gjitha partitë që të përpiqen të gjejnë një formulë konsensuale me përfshirjen e të gjitha forcave kryesore në vend.

9. Nëse edhe kjo dështon, duke mos dashur të lejojë formimin e një qeverie bazuar vetëm në logjikën e numrave, që nuk garanton gjithëpërfshirje dhe përkushtim ndaj dialogut dhe detyrimeve ndërkombëtare, Presidentja do t’ia japë të drejtën e nominimit të dytë përsëri PDK-së, e cila do të ketë tani vetëm 10 ditë për të formuar qeverinë.

10. Dështon përpjekja e dytë – shpallen zgjedhjet.

SKENARI I DYTË: RRUGA E SHKURTËR DERI TE QEVERIA.

1. Partitë politike e kuptojnë drejt mesazhin e ambasadores dhe rrezikun që i kanoset besueshmërisë ndërkombëtare të Kosovës.

2. Pranohet ftesa e presidentes për një tryezë të përbashkët.

3. Liderët heqin dorë nga logjika e përjashtimit të njëri-tjetrit dhe  gjejnë një zgjidhje të pranueshme për të gjithë.

4. Si rezultat i kësaj marrëveshjeje, Kuvendi konstituohet në procedurë të shpejtë dhe po ashtu edhe qeveria.

SKENARI I TRETË: FAILURE TO COMUNICATE (dështimi i komunikimit)

1. Partitë politike vazhdojnë me logjikën e përjashtimit të njëri-tjetrit.

2. Refuzohet çdo lloj komunikimi dhe marrëveshjeje.

3. Vazhdohet cikli i bllokadës në Kuvend, në formën e tanishme apo në ndonjë formë tjetër në të ardhmen.

4. Presidentja nuk ka zgjidhje tjetër vecse që të konstatojë dështimin në konstituimin e Kuvendit dhe rrjedhimisht edhe bllokimin e funksionimit kushtetues të institucioneve. Presidentja  shpall zgjedhjet.

5. Liderët politikë humbin besueshmërinë e tyre para partnerëve ndërkombëtarë, ndërsa populli i Kosovës vuan pasojat e kësaj mospërgjegjësie.

Skenari i pamundshëm: Gjykata Kushtetuese ndryshon vendimin e saj

Kjo nuk mund të ndodhë, sepse një rast tashmë i gjykuar nuk mund të rigjykohet, vetëm nëse nuk paraqiten fakte të reja juridike.

Në këtë rast fakti i ri juridik nënkupton ndryshimin e normave kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese mund të japë një interpretim ndryshe vetëm nëse ndryshojnë normat kushtetuese. Përndryshe, për aq sa është në fuqi kjo normë kushtetuese, vendimi i 25 Gushtit ka fuqinë e ligjit dhe nuk mund të ndryshohet.

Deklarata e Jacobson ashtu siç u tha shkaktoi një tërmet brenda politikës. Tash alarmi mbrriti si duket në adresën e duhur dhe duket sikur rrota po lëviz. A mundej ambasadorja që të fliste edhe ndryshe, pa thyer konvencionet e shprehjes së kulturuar? Për këtë debati ende vazhdon!