• |
ide | kryesore

Cana: Po, kundër Francës bëhem rekordmeni i kombëtares me 80 ndeshje

Arkiva, Sport
cana_8723.jpg



Kapiteni i kombëtares shqiptare, Lorik Cana, ndeshjet miqësore me Francën dhe Italinë i vlerëson si shumë të rëndësishme për ekipoin e Gianni de Biasit. Lorik Cana është personazhi më i njohur i përfaqësueses kuqezi për opinionin sportiv francez, pasi ka luajtur në Paris Saint Germmain dhe Marseille.Në prag të miqësore me kombëtaren e Gjelave në stadiumin e Rennes, mediat franceze sjellin prononcimin e kapitenit kuqezi për këtë përballje luksi, sikurse është edhe sfida e 18 nëntorit me Italinë.

Lorik, a vazhdoni t’i monitoroni në distancë rezultatet e Marseilles?

Cana: Sigurisht! Unë jam thellësisht i lidhur me Marseillen. Ende e kam familjen atje. Po ashtu, mbaj kontakte të rregullta me disa njerëz afër klubit. Kështu që e kam të pamundur të mos e mbaj një sy edhe nga rezultatet e Olimpikut të Marsejës. Jam i lumtur me marrjen e një trajneri si Bielsa këtë sezon. Ekipi ka ndryshuar. Nga epoka ime ka mbetur vetëm Andre Ayew dhe Steve Mandanda.

Çfarë ju kujtohet në lidhje me ndeshjen kundër Francës në vitin 2011 në Tiranë?

Cana: Ajo ndeshje është luajtur më 2 shtator 2011, më kujtohet shumë mirë. Ne kemi zhvilluar një lojë të mirë, edhe pse rezultati në fund na ka lënë të hidhur (1-2). Nëse ju kujtohet, kemi pësuar një gol të shmangshëm dhe pastaj e kemi vënë ekipin e Francës në telashe. Prej asaj kohe jemi rritur. Grupi ynë ka bërë përparime të rëndësishme që nga ai vit.

Ju jeni më e vjetri te kombëtarja shqiptare…

Cana: Unë nuk jam më i vjetri në moshë, por lojtari më me eksperiencë në kombëtare. Që nga viti 2003, luaj me Shqipërinë. Tani kam 79 ndeshje me kombëtaren dhe kundër Francës do të thyej rekordin në këtë aspekt (bëhet me 80 ndeshje dhe parakalon Altin Lalën me 79 ndeshje në total). Unë po përpiqem për ta vënë përvojën time në shërbim të rinjve, për t’i ndihmuar ata.

Çfarë qasjeje keni në këtë ndeshje kundër Francës?

Cana: mbetet një komb e madh futbolli dhe po kalon nëpër një periudhë të mirë, çka e dëshmoi edhe në finalet e Kupës së Botës në Brazil. Kjo kombëtare do të jetë një nga më favoritet për ta fituar Kampionatin Europian të radhës. Ne nuk kemi luajtur shumë ndeshje të tilla miqësore me kundërshtarë të këtij rangu. Pas Francës do të shkojmë në Genoa, katër ditë më vonë, për të luajtur kundër Italisë. Janë dy miqësore prestigjioze, dy teste të mira për kombëtaren e Shqipërisë.