• |
ide | kryesore

Edi, nuk më duhesh si “baba i kombit”!

Arkiva, Ide
BatonHaxhiu.jpg



Në Ballkan të gjithë liderët bejnë përpjekje të ndërtojne një imazh të pëlqyeshëm evropian, por lëkura e nacionalistit, rrugës iu pëlqen më shumë.

Me fuqinë që e mori, pas vizitës në Beograd, Rama ka arritur kulmin. Mund të marrë vendime të rëndesishme për vendin. Eshtë dhe mund të jetë i pakontestueshëm edhe për një kohë.

Por mund ti ndodhë edhe e kunderta?!

Po e kapën ethet nacionaliste, po u zhyt në atmosferën e histerisë së masave, sic ndodh zakonisht në rrajon, do të kemi një deja vu ballkanike. Kështu ka ndodhur me Gruevskin, Gjukanoviqin, liderët e Kosovës, Bosnjës, Bullgarisë, Kroacisë. 

Por jashtë këtij konstatimi paragjykues për Ramën po mundohem te analizoj vizitën e tij ne Beograd. Cfare solli ajo dhe cfarë pritet prej saj?

 

Në sferën publike serbe i gjithë takimi u përmbyll me konstatimin se: Edi Rama dëshmoi kulmin e «arrogancës shqiptare» me qëndrimet rreth shtetit të pavarur të Kosovës. Në mediat shqiptare diskutimi duket më plural dhe vazhdon në tri drejtime:

Analistë të shumtë vizitën e Ramës konsiderojnë ripozicionim epokal të politikës shqiptare, pasi ajo ka larguar perden e inferioritetit dhe ka vendosur të ecë me dinjitet, integritet dhe vendosmëri drejt një politike siç i paska hije një shteti.

Zëra ende në minoritet janë kundër euforisë, ekzaltimit të masave dhe shumicës së mendim bërësve shqiptarë. Ata e minimizojnë „eskpeditën“ e kryeministrit shqiptar përgjatë Serbisë e tokave shqiptare duke e quajtur atë si vizitë të pavlerë, sepse sipas tyre ai atje nuk tha asgjë, çka duhej të thotë për masakrat serbe, për akuzat e rënda të Vuçiçit pas ndeshjes së famshme e shumë çështjeve tjera të hapura të kësaj kategorie.

Kemi edhe grupin e tretë të atyre opinionistëve të veçantë, që mund të numërohen në gishta e që thonë se Edi Rama ka rënë viktimë e nacionalizmit shqiptar duke dashur t’ia kalojë Sali Berishës dhe të pozicionohet si «baba i kombit». Ata i ka irituar sidomos përzierja e Ramës në çështjet e Kosovës.

Përtej gjitha këtyre interpretimeve – pa i përdorur edhe ato iracionale – vizita u krye.

Po si ndodhi ajo në të vërtetë?

Vizita pertej interpretimeve

Kryeministri shqiptar mbrriti në Beograd me një parahistori të trazuar. Dy qeveritë me javë akuzuan njëra tjetrën se nuk janë në rrugën e duhur të hyrjes në BE. Serbia akuzoi qeverinë shqiptare se ndjek strategjinë e krijimit të „Shqipërisë së Madhe“.

Kryeministri shqiptar pikërisht nga këto akuza një pjesë të mirë të fjalimeve dhe intervistave të tij i kishte përqëndruar në shpjegimin e këtij kontesti. Retorika e tij të krijonte përshtypjen se misioni i vizitës ishte më shumë t’i çlironte fqinjët nga paranoja e formulës së vetëprodhuar të «Shqipërisë së Madhe», se sa për pjesën tjetër të axhendës, e cila rrezultoi e një rëndësie të veçantë sidomos për shqiptarët që jetojnë atje.

Megjithatë mediat nuk e vlerësuan sa duhet lutjen e Ramës për t’iu ikur anktheve mitologjike. Për to sensasionin e bëri deklarata që i ftonte serbët të bëhen realistë dhe të njohin pavarësinë e shtetit të Kosovës. Me këtë deklaratë që e nxiu Vuçiçin, Rama shpërfaqi edhe një defekt të BE-së dhe shumë shteteve perëndimore. Ato bëjnë një lojë të pasinqertë me serbët; nga njëra anë kanë pranuar pavarësinë e Kosovës e nga ana tjetër duket sikur qëllimisht i lënë sërbët nën mëshirën e politikave të manipulimit dhe hipnozës masive për çështje votash. Vuçiç, Daçiç, Nikoliç e dinë se Kosova është e pavaraur dhe shtet më vete dhe se gjasat për ta kthyer nën Serbi do ta bënin edhe iluzionin të bëj vetëvrasje, atëherë pse gjithë ky teatër? Për çështje të brendshme?

Rama nuk është i brendshëm dhe ai pretendon se këtë deklaratë e ka menduar si ndihmë për homologët e tij që t’i ikin politikës së vetëmashtrimit dhe të përqendrohen drejt një Evrope me fqinjësi të mirë dhe paqë.

Për këtë arsye vizita e Ramës në Beograd në fakt doli një cenurë epokale, jo për supremcinë shqiptare në diplomaci e politikë, por për një mesazh tjetër: pa transparencë, korrektësi dhe njohje reciproke të shqiptarëve e serbëve, ata  nuk iu ndihmon as BE dhe as kush tjetër.

Histeria e masave

Masat shqiptare nuk kishin se si reagojnë ndryshe, përveç se me pritje solemne, eufori, histeri. Kjo nuk ia vë vulën e falsicitetit asnjërës teori mbi psikologjinë e masave që nga Gustave le Bon, Canetti, Ortega, Bernays e kompani. Masat veprojnë sipas një dinamike të tillë gjithandej. Ato reagojnë iracionalisht. Natyrisht që ky irracionalitet është edhe pasojë e një politike diksriminuese të serbëve ndaj shqiptarëve, kështu që të fundit veçse mobilizohen për të shfryrë frustracionet e natyrshme dhe për të festuar një akt që u jep statusin e të barabartëve. Dhe për të qenë korrekt: ragimin shqiptar ndaj vizitës së Ramës nuk e krahason me revoltën e mediave dhe partive serbe, të cilat vazhduan me avazin e vjetër.

Gjykimet ndaj masave, as që duhet të ishin temë e mendimbërësve, shqetësim i tyre duhej të qe prognoza se si do të sillet Edi Rama këtej e tutje? Mos rrezikon të dehet me këtë eufori histerike duke menduar se u bë «babai i kombit» pas ecejakës kryq e tërthor tokave shqiptare për tu kthyer në Tiranë? Ai është qenie subjektive si çdo tjetër dhe kjo mund t’ia përdhos zemrën dhe frymën dhe të besojë vërtet se është kryeminsitri i gjithë shqiptarëve edhe de facto. Siç besonin ca pararendës të tij dhe u shndrruan në figura komike salloneve të diplomacisë ndërkombëtare.

Diskursi – si gjithmone

Grupi A i opinionistëve ka të drejtë. Kryeministri shqiptar demonstroi gatishmërinë që të bëjë fqinjësinë e mirë me transparencë, realopolitikë dhe pragmatizëm. Grupi B është i nevojshëm si korrektor histerish masive, por e ka huqur analizën; nuk quhet një vizitë prej ku kthehesh me plotë nënshkrime për të drejtat e komunitetit tënd në një shtet tjetër, e pavlerë. Nuk shkohet në Beograd që ta ftosh mikpritësin në duel përmes akuzave se ka bërë krime, kur ai dridhet e fillon të qajë, qoftë edhe vetëm kur i përmend Kosovën e pavarur. Step by step politika e Ramës karshi Serbisë duket e shëndoshë. Vetëm se masat duhet ta ruajnë edhe atë që të mbetet i shëndoshë dhe mos të pushtohet nga kompleksi i madhësisë. Këtë sinjal kërkon ta japë grupi C, mirëpo në thelb me një absurditet siç i shkon për shtat: Pse Edi Rama flet për Kosovën? Pse flet Merkel, BE dhe gjithë tjerët për Kosovën. Të fundit edhe kur druajnë të flasin mund t’i kuptojmë, por shqiptarin Edi Rama nuk do ta kuptonim kurrë, nëse jo për diçka tjetër përveç kontestit se pa paqe ndermjet serbeve dhe kosovarëve as rajoni nuk mund të shpreojë kurrë në një hyrje në BE.

Kjo politikë e tij ndoshta e bën Edi Ramën si lider të preferuar të ndërkombëtarëve në Ballkan. Xhelozia serbe është e ntyrshme, po aq sa edhe krenaria e shqiptarëve që ta kenë një lider të tillë, i cili hyrjen në BE e ka kuptuar si mundim e jo si shoë për interesa të brendshme ditore.

Raporti me Brukselin

Në raport me rajonin tonë, Brukseli është në një lloj ngërçi. E lodhur nga kriza ekonomike dhe presioni i madh nga Rusia, BE-ja nuk ka më ide të reja se si t'i qaset rajonit tonë. E vetmja linjë, ku të gjithë pajtohen është se duhet penguar ndikimin rus në Ballkan dhe duhet ndaluar zgjerimi i mëtejshëm i BE-së, së paku edhe për 10 vjet. Marrë parasysh presioni rus mbi BE-në, ekziston rreziku që BE-ja të investojë në të gjitha format në Serbi, me idenë se kështu po e afrojnë Serbinë drejt BE-së dhe po e largojnë nga Beogradi. Kjo politikë dyfytyrëshe e Serbisë, për momentin, është arma më e fuqishme që ka Beogradi dhe që mund të tregohet e dëmshme për interesat e Shqipërisë. Shqipëria duhet ta neutralizojë këtë lojë të Beogradit dhe të ngrihet mbi lodhjen e Brukselit. Po ashtu, dua të përkujtoj se fuqia politike e Jugosllavisë së Titos ka buruar pikërisht nga ajo se, në një kohë konfliktesh dhe lodhjeje globale, Tito ishte burim i ideve të reja, përtej konfliktit dhe lodhjes nga rrethi vicioz i gjërave të përsëritura ndër breza. Kjo e bëri Titon një lider të rangut botëror dhe Jugosllavinë thithëse të investimeve dhe qendër të fuqisë politike.

Për dallim nga liderët e tjerë të rajonit, Kryeministri Rama deri në Beograd ishte model i evropianit të ri në rajon, dhe ne të gjithë duhet të punonim fuqishëm mbi këtë fakt.

Shqipëria si promotore e ideve konkrete, përtej obligimeve që të gjitha vendet i kanë nga Brukseli, duhet të ishte fuqizim i këtij modeli. Në këtë kontekst, vizita në Beograd ishte një rast ideal për të fuqizuar këtë imazh të Kryeministrit Rama dhe të Shqipërisë.

Nuk e dimë a u arrit ky qellim, por një gjë duket e sigurt, shqiptarët fituan një lider kombëtar, sic zakonisht e kërkojnë, por, nuk e di, nëse më këtë që ndodhi do arrijnë ta ruajnë liderin me ide evropiane. Sfida për këtë dilemë i takon vetë Ramës. Nëse Kryeministri Rama lejon  që "incidenti" diplomatik në Beograd të shënojë fillimin e rrëshqitjes drejt një populizmi, që sado që në fillim mund të duket atraktiv me kalimin e kohës domosdo që rrezikon të marrë nuanca iracionale. Si rrjedhojë, populizmi do të zbresë në nivele të poshtme të shoqërisë, do të kthehet në ushqim shpirtëror për masa dhe më pas do të ketë një ndikim të madh mbi vetë politikën. Mos harro se ata qe te ben tradhetar para se te udhetoje ne Beograd, të bënë baba të kombit sapo u ktheve nga atje. Te njëjtit mund të të rrenojne dhe të vrasin po s'iu pelqeve atyre. Mos u bej si ata se nuk të duhet. Qendro si Edi Rama. Nuk më duhesh si Baba i kombit.