• |
ide | kryesore

Shqipëria nuk ka pasur “Ushtarë të panjohur” !

Arkiva, Ide
aurel.jpg



Po vërej përsëri që edhe do gazetarë laramanë, në këtë përvjetor të çlirimit të Tiranës, ngulmojnë që monumentin “Partizani çlirimtar” (të skulptorit Andrea Mano) ta quajnë “Ushtari i panjohur” ! Nëse ndodh nga padija apo nga papërgjegjshmëria, kjo mbetet për t’u diskutuar. Por Shqipëria, veçan gjatë Luftës së Dytë Botërore, nuk ka ngritur ndonjë monument “ushtarësh të panjohur”, thjesht sepse ushtarë të tillë nuk ka pasur. 
Koncepti “ushtar i panjohur” (“miles ignotus”) është i vjetër dhe i krijuar fillimisht gjatë luftërave koloniale, për ushtarët që mbeteshin nëpër rërat e shkretëtirave të paidentifikuar dhe që përmblidheshin nën emërtesën “të panjohur”. Në shek. XX kjo e emërtesë u përdor edhe mbas së Parës Luftë Botërore nga vende ushtritë e të cilave kishin humbje të atilla sa mbeteshin të vrarë edhe ushtarë të paidentifikuar, pra të paregjistruar, dhe atyre në shenjë përkujtimi simbolik u ngrihej nga një varr i përbashkët, që njihet nën emërtesën ndërkombëtare “The Tomb of the Unknown Soldier”. Ndonjëherë përdoreshin edhe ndonjë palë eshtra, të zgjedhura kuturu ndër të paidentifikuarit, në mënyrë që Varri i Ushtarit të Panjohur të mos quhej “bosh”. 
Monumenti në fjalë i Tiranës i përket Luftës së Dytë Botërore dhe shqiptarë të vrarë dhe të paidentifikuar gjatë asaj Lufte nga radhët e Ushtrisë Antifashiste Nacional-Çlirimtare nuk ka pasur. Madje nuk ka pasur të rënë “të panjohur” as nga Balli Kombëtar, as nga Lëvizja e Legalitetit, që ta meritonin ose ta meritojnë sot ndonjë monument për "ushtarë të panjohur": edhe ata kanë qenë dhe janë të identifikuar. Kjo është e mirëkuptueshme sidomos në një vend të vogël si Shqipëria ku “të gjithë i njohin të gjithë”. 
Monumenti në fjalë është konceptuar, ndërtuar dhe emërtuar “Partizani Çlirimtar”, i shoqëruar me një basoreliev që riprodhon pamje nga beteja për çlirimin e Tiranës, mbante edhe një përkushtim pikërisht për partizanët që dhanë jetët e tyre në atë betejë. Emri “partizan” nuk është ndonjë emër “turpi”, as i sajuar nga shqiptarët. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ai është përdorur nga formacione të ndryshme antifashiste të rezistencës: edhe nga italianët (“i partigiani”), edhe nga francezët (“les partisans”) etj. Nëse monumenti “Partizani çlirimtar” rezulton i pëlqyeshëm për disa dhe i papëlqyeshëm për ndoca të tjerë, kjo është çështje më vete. Por t’i sajosh Shqipërisë të tillë “ushtarë të panjohur”, qoftë nga padija qoftë nga papërgjegjshmëria, nuk fyen ndonjë forcë politike: fyen vetë Shqipërinë.