• |
ide | kryesore

A ka nevojë të gënjejë opozita?

Arkiva, Ide
Andi_Bushati (1).jpg



Prej disa ditësh po shoh në televizionet kryesore të vendit, një spot të Partisë Demokratike që i fton njerëzit të protestojnë në 22 nëntor, në një formë që të kall datën. “Le të na varë më mirë”, thotë dikush për Edi Ramën duke e shoqëruar fjalinë e tij me gjestin e vënies së duarve në fyt. “Unë do të vras veten”, vazhdon një tjetër. “S’kemi bukë”, klith dikush. Ndërsa militanti i radhës përsërit të njejtin refren: “Të hapim një gropë dhe të vrasim veten”.

Po të shohësh këto sekuenca të duket sikur je në ndonjë vend afrikan ku ebola po bën kërdinë apo ku lufta civile ka zhuritur çdo shpresë. Por jo, ky është vizioni që PD-ja ka për Shqipërinë e sotme. Një vend ku njerëzit më mirë preferojnë të vdesin sesa të jetojnë, e nëse nuk kanë këtë dilemë janë përpara një tjetre: ose të largohen jashtë, ose të ngrihen dhe të “përmbysin regjimin”.

Them që ky është vizioni njerëzve kryesorë të PD-së, sepse këto shpërthime janë të inskenuara. Tashmë çdo gazetar i thjeshtë i një redaksie lajmesh e di se gjithçka që publiku po sheh në TV është thjeshtë një shfaqje. Në takimet e Lulzim Bashës (nga ku janë marrë edhe sinkronet e spotit) në disa qytete të vendit, mblidhen militantët, u jepet një tekst që ta mësojnë përmendësh, pastaj vjen kameramani i punësuar i selisë blu, që xhiron farsën e parapërgatitur, të cilën e merr më pas një montazhier në zyrat e ish shtëpisë së oficerëve dhe e bën gati, për t’ia shpërndarë televizioneve sterile, që e përhapin pa brerje ndërgjegjje këtë mashtrim. Pra është e qartë se me anë të këtyre kasetave nuk sillen në ekrane shqetësimet e njerëzve, por ai mesazh që selia e PD-së do të përcjellë, prandaj aty nuk lejohen gazetarë e reporterë, prandaj aty duket sikur në këtë vend katër në dhjetë shqiptarë kërkojnë të vetëvriten.

Por, problemi nuk qëndron këtu. Sa thashtë më lart, është thjeshtë çështje e raportit të opozitës me vetveten dhe me kauzat tek të cilat ajo beson, po aq sa edhe problem i profesionalitetit dhe ndershmërisë së mediave, që përcjellin mesazhet e saj.

Këtu shqetësimi është tjetër. Ai qëndron në faktin se sa opozita na thotë të vërtetën ose më mirë, se përse asaj i duhet të na gënjejë?  

Mjafton të shohësh spotin me të cilin PD-ja fton njerëzit në mitingun e të shtunës, për të mos pasur frikë të përdorësh fjalën gënjeshtër. Askush nuk mund të besojë, se vetëm në 15 muaj, vendi që  ëndërronte të barrazonte Gjermaninë, sot është shndërruar në një popull në prag të vetflijimit nga varfëria. Edhe sikur Edi Rama të qe një gjeni i së keqes, ai s'mund ta kish pasur forcën për ta zhbërë kaq shpejt këtë "tokë të premtuar", në një vend të nëmur. Historia e treguar është vetëm një histori për idiotë që kërkojnë të gënjehen.

Por, për të pasur sukses në 22 nëntor, kupola e PD-së beson se problemet reale duhen veshur edhe me këtë fabul absurde.

Në fakt, që mitingu i të shtunës, të kishte sukses, do të mjaftonte shumë më pak. Do të kish qenë e mjaftë të përmendeshin premtimet e pambajtura për rritjen e çmimit të energjisë. Do të kishin qënë të mjafta denoncimet për premtimet e gënjeshtërta për më pak taksa, më pak prishje godinash, më shumë drejtësi dhe barazi për të gjithë. Do të kishin mjaftuar vetëm slloganet e e pjesës së dytë të spotit të dalë nga selia blu, ku shqiptarët ftohen të ngrenë zërin “Kundër varfërisë”, ”Kundër rritjes së taksave”, “Kundër rritjes së çmimit të energjisë”.

Nw kwtw mwnyrw korteut të opozitës do të mund t’i bashkoheshin, me siguri, edhe ata qytetarë që (edhe pse mund të mos jenë anëtarë partish), duan të ushtrojnë presion ndaj qeverisë, për të arritur qëllimet e tyre. Po me sa duket lidershipit të sotëm të demokratëve nuk i duhet kjo shtresë, as zgjerimi i bazës së partisë me të. Asaj më shumë i intereson gënjeshtra, që pjell radikalizimin dhe mbajtjen shtrënguar të rradhëve. Asaj më shumë i intereson fabula e shpikur sesa kauzat reale.

Fatkeqësia është se këtë lloj opozite shqiptarët e kanë provuar edhe pesë vite më parë. Kur në verën e vitit 2009, Edi Rama filloi mandatin e dytë në opozitë, ai kishte shumë argumente dhe fakte për të vazhduar misionin e tij. Por ai zgjodhi një kauzë të reme, vjedhjen e zgjedhjeve (pa prova, dhe pa fakte) për të ecur përpara. Natyrisht që një strategji e tillë e radikalizoi partinë, i vuri përfund kundërshtarët brenda llojit dhe në një farë mënyre e absolutizoi figurën e kryetarit në parti. Por kur erdhi puna, katër vite më pas, kjo strategji nuk i dha atij asnjë deputet më shumë. Ai erdhi në pushtet jo se i bindi shqiptarët, jo se fitoi me frymë, por thjeshtë se arriti të bëjë marrëveshje me pjesën më të errët të qeverisë së shkuar.

Këtë lloj opozite po tenton të përsërisë sot edhe Lulzim Basha. Prandaj kur të vërtetat janë sheshit, ai ka nevojë edhe për gënjeshtrën. Ai përmes saj kërkon të mbjellw radikalizëm dhe tw trgojw forcë. Ai tenton të sfumojë kundërshtarët e mundshëm brenda llojit. Ai rreket të fitojë zemrat e militantëve. Dhe në afat të shkurtër mund t'i arrijë të gjitha këto. Por, në afat më të gjatë kjo nuk është një rrugë që të çon në fund të tunelit. Sepse ajo të bën të humbësh besimin e publikut. Të asaj pjese të paangazhuar, që kërkon të dëgjojë kritikën e Shqipërisë reale, dhe jo pikturën fantazmagorike të një vendi, ku njerëzit janë vënë në rradhë për të vrarë veten. Nga mënyra se si po përgatitet mitingu i së shtunës, kjo pjesë është e përjashtuar.