• |
ide | kryesore

Ata që e ndihmuan Xhuvanin të vriste

Arkiva, Ide
Kostandini ok.jpg



Pamjet tronditëse  të vrasjes së katër fishtë të kryer nga Kostandin Xhuvani, që Lapsi.al po publikon sot nuk janë thjeshtë vetëm një kuriozitet për fanatikët e kronikës së zezë. Ato katër minuta të nxjerra nga nga filmimet e pafundme të një kamere sigurie janë në radhë të parë, një apel. Një apel për të tërhequr vëmendjen se si qe e mundur lejimi i një krimi të tillë. Një apel për një varg institucionesh që abuzuan, toleruan, apo nuk vepruan duke lënë disa herë të lirë një të “fëmijë vrasës” ta përsëriste krimin edhe mbi katër persona të tjerë. Sapo dolën faktet e para, Lapsi.al e denoncoi një pjesë të shtetit shqiptar si të implikuar në krim. Prokurorë, gjyqtarë, policë, mjekë dhe me siguri edhe politikanë, janë fajtorë për vrasjen e ndodhur këtë fillim nëntori. Ndaj sot, kur po publikohen këto pamje shokuese është koha të pyesim: Kanë kaluar disa javë, po a ka marrë ndokush masa për këta fajtorë që qëndrojnë pas kuintave?

A ka hetuar kush për prokurorin Shpëtim Kurti dhe eprorët e tij që një vrasje të pastër, atë të Alfred Musabelliut në shkurt të vitit 2011 e klasifikoi ”si vrasje e kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”?

A ka hetuar njeri për gjyqtarin e shkallës së parë, Gerd Hoxha dhe gjithë të singjashmit e tij ne te tre shkallet e gjykimit që e lanë të lirë një vrasës vetëm pas disa muajve burg?

A ka hetuar njeri pse ky vrasës recidivist, kur u shpall në kërkim në 26 prill 2014 për kërcënim me armë dhe armbajtje pa leje (vepra që mund ta dënonin deri në 7 vjet) dosia e tij u mbyll në heshtje?

A hetoi njeri se përse mjaftoi një alibi e shpikur nga prokurorët, sikur i kërkuari qe shtruar atë ditë në spitalin psikiatrik të Elbasanit, për ta mbyllur këtë dosje?

A hetoi njeri se qenkeshin këta mjekë që lëshonin kartela mjekësore për alibi dhe a duhen vënë në bankën e të akuzuarit edhe ata?

A hetoi policia se përse pasi u shpall në kërkimim për gjuajtje me armë në Lazarat, Kostandin Xhuvani, hyri deri në oborrin e parlamentit i paprekur nga kërkush?

A hetoi njeri se përse, ashtu sikurse thuhet, furgoni me policë që u nis për ta arrestuar atë përpara kuvendit, kur jepte shfaqe me të ëmën e tij, u kthye mbrapsht me urdhër politik?

Janë pra një sërë ngjarjesh dhe rrethanash që implikojnë një zinxhir të tërë shtetëror në vrasjen që ndodhi këtë fillim nëntori. Prandaj ajo nuk mund të mbyllet me një shfaqe teatrale të dhënë pas tragjedisë, nga një nënë aktore dhe nga një kryeministër që shërbeu si regjisor i saj. Ajo nuk është as një ngjarje që harrohet me skena emocionale, as një tragjedi që mbyllet thjeshtë me deklarata politike. Jeta e katër të vrarëve nuk mund të shpaguhet, vetëm me dënimin e atij që qëlloi mbi ta. Por edhe me marrjen si përgjegjës të gjithë atyre që nuk shkrhën armën atë natë në lokalin “Ante Grand”, por që bënë të mundur  që një masakër e tillë të ndodhte. Pikërisht për këtë Lapsi.al po i rikthehet kësaj ngjarjeje. Në mos për gjë tjetër, të paktën që bashkëpuntorët e fshehtë të Kostandin Xhuvanit të mos jetojnë të qetë.