• |
ide | kryesore

Fevziu si biograf i Ahmet Zogut

Arkiva, Ide
NdricimKulla.jpg



Librin e Blendi Fevziut “Ahmet Zogu: Presidenti që u bë Mbret” fillimisht e mora në dorë me skepticizëm, dhe e lashë për ta lexuar më vonë. Por nisa ta lexoj menjëherë pasi dëgjova kritikat ndaj librit të Fevziut nga ana e disa akademikëve. Ata ankoheshin për bujën që kishte bërë libri i Fevziut dhe shitjen masive të tij dhe gati sa nuk e quanin këtë shkak që mjaft libra të tyre kishin mbetur në hije. Këta njerëz të nderuar nuk e kuptojnë dot se librat e tyre nuk mund të shkojnë në rrethet e gjera të lexuesve nëse nuk janë shkruar me një stil të ndryshëm nga stili i tyre i rënduar, që bën që as ata vetë të mos lexojnë librat e njëri-tjetrit. Libri i Fevziut për Zogun, unë mendoj se është shembulli se si duhet shkruar një biografi që të lexohet masivisht.

Fevziu i thyen pak metodat “shkencore” të shkrimit të librave të tillë, vetëm kur është fjala për të bërë gjetje që e paraqitin personin të cilit po i shkruhet biografia në një këndvështrim më interesant. Kështu, ndryshe nga librat e tjerë të këtij lloji, ky libër nuk ka një parathënie të autorit, një preface, ku autori na zbulon pak a shumë se çfarë libri ka shkruar. Parathënia e një libri është si vitrina e një dyqani. Nga leximi i parathënies, një lexues me përvojë mund të gjykojë mbi librin në tërësi, kjo për arsye se në parathënie autori na zbulon pak a shumë cilësinë e librit që kemi nisur të lexojmë. Fevziu nuk ka shkruar një parathënie në këtë libër. Ky është një risk që ai e merr përsipër. Lexuesi, pas një dedikimi që autori ua bën gjërave të pamundura të botës, duke marrë shkas nga një thënie e Napoleonit të cilën Ahmet Zogu e përmendte shpesh, në faqen pasuese gjendet në një prolog që e çon në ditën e fundit të mbretërimit të Zogut, në ditën e largimit të tij nga Shqipëria, 8 prill 1939. Madje pikërisht në kufirin shqiptaro-grek, kur Zogu po bën hapat e fundit në territorin e mbretërisë së tij, ku nuk do të shkelte më kurrë.

Prologu i librit është pikërisht epilogu i mbretërimit të Zogut. Autori e mbyll prologun me këto fjalë: “Po ikte duke lënë pas një nga vitet më të lumtura të jetës së tij, vitin kur ishte martuar plot shkëlqim dhe kur Zoti i kishte falur një trashëgimtar.”(f. 2.)

Autori e di se momentet kryesore të jetës së Zogut janë të njohura për lexuesit, kështu që ai me këtë hapje nuk riskon që t’i zbulojë lexuesit paraprakisht fatin e njeriut të cilit po i shkruan biografinë. Fevziu i thotë lexuesit se fati e goditi mbretin pikërisht në vitin më të lumtur të jetës së tij, në vitin kur ai dukej i plotfuqishëm. Tani lexuesi është bërë kurioz për të parë se përse i ndodhi kështu mbretit. Kuptohet se ata që e urrejnë Zogun do të nënqeshin me këtë skenë, duke thënë se ai pagoi kështu për të këqijat që kishte bërë. Por armiqtë e Zogut do të zhgënjehen kur të kenë përfunduar së lexuari librin e Fevziut. Libri nuk është aspak një justifikim i goditjes që fati i dha Zogut atë ditë të prillit 1939. Por edhe adhuruesit e Zogut nuk do të jenë shumë të lumtur kur të përfundojnë librin. Autori nuk ka për qëllim as që t’u bëjë qejfin atyre. Ai nuk shkruan as si antizogist, as si zogist.

Në librat e këtij lloji të shkruar nga ata historianët pedantëçdo gjë nis me fëmijërinë e personit të cilit i shkruhet biografia, madje edhe me një përshkrim të gjerë të epokës në të cilën lindi ai, aq sa lexuesi mërzitet shumë dhe kapërcen faqet. Por Fevziu nuk lejon që të ndodhë kjo, se ai ka vëmendjen e gazetarit televiziv ndaj lexuesit. Ai e di se duhet ta mbajë të mbërthyer lexuesin pas çdo faqeje me një gjetje të veçantë, me një episod, me një skenë. Rreshtat e librit duhet të shndërrohen në sekuenca televizive për lexuesin, që ta bëjnë atë të mos e lëshojë librin nga dora dhe të mos kapërcejë asnjë rresht.

Pas prologut vjen kapitulli i parë i librit me titull “Dasma mbretërore”, që të krijon dyshimet se autori nuk ka mundur që të shkruajë një libër vërtet biografik se nuk ka ndjekur rendin kronologjik të jetës së Zogut. Madje, kur Fevziu kalon nga prologu në një kapitull të parë të gjatë për dasmën e mbretit, që u bë një vit para largimit të tij nga Shqipëria, mund të krijohet përshtypja sikur autori ka lënë që në libër të depërtojë gazetaria rozë. Por nuk është kështu. Të dy këto përshtypje janë të gabuara. Autori e përdor me mjeshtëri tregimin e dasmës mbretërore për të na zbuluar karakterin e Ahmet Zogut, përveçse atë të nuses së tij, mbretëreshës, si dhe për të na treguar se ç’ emër kishte Zogu në botë. Autori citon me bollëk nga shtypi ndërkombëtar shkrime për dasmën e Zogut, dhe është vështirë të thuash se Fevziu e tepron me këto citime, si dhe me detajet që na jep, se nuk mund të mos shohim se si para syve tanë na zbulohet një mbret që e përdor me mjeshtëri dasmën e tij për t’i bërë një publicitet të mirë vendit të tij të vogël dhe të panjohur për botën. Një qeverie republikane shqiptare do t’i duhej të paguante shumë herë më tepër para se sa kushtoi dasma e Zogut, për të arritur këtë publicitet ndërkombëtar.

Prologu dhe kapitulli i parë janë gjetje e veçantë metodologjike e një biografi publicist dhe gazetari televiziv me përvojë. Më pas Fevziu përdor atë metodologji që e përdorin të gjithë biografët që shkruajnë sipas kritereve shkencore për të cilat ngritën zërin edhe ata, akademikët e mësipërm. Në kapitullin e dytë Fevziu nis të bëjë biografinë e Zogut, sipas kronologjisë së jetës së tij. Por edhe tani Fevziu përqendrohet veçanërisht në ngjarjet më të rëndësishme të jetës së Zogut.

Autori për çdo kapitull të librit veçon një periudhë të përcaktuar me vite të jetës së Zogut. Në kapitullin e parë, me titull “Nga Burgajeti në Stamboll, fëmijëria dhe shkollimi”, përshkruhen 17 vjetët e parë të jetës së Zogut, nga lindja e deri në kthimin e tij nga shkolla në Stamboll, më 1912. Autori nuk mund të tregohej më rigoroz se kaq nga kërkesat metodologjike të librave të tillë. Titujt e kapitujve e parapërgatisin lexuesin për një këndvështrim të tillë të jetës së Zogut.

Dhe titulli i këtij kapitulli “Nga Burgajeti në Stamboll, fëmijëria dhe shkollimi” është titulli klasik i një libri biografik që ndjek rendin kronologjik. Autorit i mjafton një kapitull për të përshkruar familjen e Zogut, origjinën e saj, si dhe fëmijërinë dhe rininë e tij të hershme. Por në përfundim të këtij kapitulli lexuesi shikon se ka marrë informacion për disa nga çështjet më të diskutueshme që kanë të bëjnë me origjinën e familjes së tij, datëlindjen, si dhe mbiemrin e tij.

Kapitulli pasardhës, me titull “Nga Pavarësia te ‘internimi’ në Vjenë” mbulon periudhën nga viti 1912 deri më 1919. Ky kapitull fillon me pjesëmarrjen e Zogut në Kuvendin e Pavarësisë në Vlorë, më 1912. Ky është çasti i parë i rëndësishëm në jetën politike të Ahmet Zogut. Fevziu tregohet korrekt si biograf. Ai nga njëra anë thekson faktin që Zogu 17-vjeçar po merrte pjesë në këtë ngjarje madhore kombëtare, në anën tjetër shënon se Zogu nuk e nënshkroi aktin e shpalljes së pavarësisë më 28 nëntor, pasi nuk arriti atë ditë në Vlorë ngaqë u vonua rrugës, për shkak të kushteve shumë të vështirë në të cilën udhëtohej në atë kohë dhe të luftës ballkanike që vazhdonte akoma edhe në Shqipëri. Ashtu si kapitulli paraardhës edhe ky përfundon në prag të një ngjarjeje madhore në jetën e Zogut, që është Kongresi i Lushnjës. Kapitullin tjetër që mbulon vitet 1920-1923, autori e titullon “Kongresi i Lushnjës dhe vitet e triumfit”. Ky është një nga kapitujt më të rëndësishëm të librit, se i përket një periudhe kur aktiviteti politik i Zogut ka qenë shumë i ngjeshur dhe kur ai u bë i njohur në të vërtetë si politikan anembanë Shqipërisë. Fevziu, vetëm në 16 faqe ka ditur të na përshkruajë me saktësi këtë periudhë të jetës së Zogut, e cila ndoshta do të kërkonte një libër më vete për t’u rrëfyer. Në këtë periudhë Zogu u bë për herë të parë Ministër i Punëve të Brendshme, Kryeministër, kryetar i një partie të madhe politike, duke qenë kjo periudha e pjekurisë së tij si politikan. Ky kapitull është shembull se si stili lakonik gazetaresk, i ndërthurur me atë klasik të librave të tillë biografikë, i vjen në ndihmë Fevziut për të mundur të shkruajë biografinë e Zogut në 220 faqe (kaq është libri nëse heqim fotografitë), një arritje kjo që autorët pedantë akademikë nuk janë në gjendje kurrë ta realizojnë.

Pas dy kapitujve, ku autori ka ndjekur rendin kronologjik të përshkrimit të jetës së Zogut, ai bën përsëri një thyerje në kapitullin tjetër, që mban titullin “Njeriu i 50 atentateve”. Në këtë kapitull përshkruhen për herë të parë të gjitha atentatet ndaj Zogut. Edhe këtu ka një gjetje të zgjuar të autorit sepse, nëse atentatet do t’i vendoste në kapitujt e tjerë të librit, sipas rendit kronologjik, atëherë nuk do të shikonim dot si në një tablo të plotë këtë anë të jetës së Zogut, gjë që u bë e mundur se autori i librit duke i përmbledhur atentatet në një kapitull, ka mundësi të na e shpjegojë me koherencë këtë anë të jetës së tij, që në rastin e personaliteteve të tjerë të kalibrit të tij përshkruhet në libra më vete.

Pas këtij kapitulli autori i rikthehet rendit kronologjik me kapitullin me titull “Ngjarjet e 1924-ës. Ikja dhe rikthimi”. Në vetëm nëntë faqe autori na përshkruan këtu një periudhë të ngjeshur me shumë ngjarje të rëndësishme jo vetëm për jetën e Zogut, por edhe të Shqipërisë dhe që janë gjithashtu ngjarje shumë të debatueshme. Por kur lexuesi e përfundon së lexuari këtë kapitull, i duket se ka lexuar një libër më vete dhe jo një kapitull libri. Pas këtij kapitulli autori bën një tjetër thyerje në kapitullin me titull “Zogu dhe kundërshtarët e tij politikë: Noli, Konica, Hasan Prishtina apo Bajram Curri”. Fevziu del nga rendi kronologjik, në mënyrë që t’i tregojë në mënyrë sa më koherente marrëdhëniet e Zogut me këta persona. Fevziu ka përzgjedhur katër emra kundërshtarësh, nga të cilët dy u pajtuan me Zogun kur u bë mbret dhe dy të tjerë u vranë kur Zogu ishte në pushtet, njëri në Shqipëri dhe tjetri jashtë Shqipërisë. Fevziu as nuk përpiqet që ta marrë në mbrojtje Zogun për sjelljen me kundërshtarët politikë, as ta fajësojë atë. Fevziu është realist në përshkrimin e marrëdhënieve të Zogut me këtë kategori njerëzish.

Më tutje, Fevziu i kthehet përsëri rendit kronologjik në kapitujt me titull “Shpallja mbret dhe oborri mbretëror”, si dhe “Koha e Zogut: 1925-1939”. Në këta dy kapituj, në 27 faqe jepet një tablo e gjithanshme e kohës kur Zogu ishte në pushtet, fillimisht si President i Republikës dhe pastaj si Mbret. Numri i pakët i faqeve të librit në të cilat është dhënë kjo tablo e kësaj periudhe 14-vjeçare, që është më e rëndësishmja në jetën e Zogut si burrë shteti, dhe ajo për të cilën ai ka hyrë në histori dhe kujtohet për mirë e për keq, është një arritje më vete e Fevziut. Autori e thotë që në titullin e librit se ai ka shkruar biografinë e një Presidenti që u bë Mbret. Kjo ishte e veçanta e Zogut.

Para se Fevziu të përshkruajë ngjarjet që sollën largimin e Zogut nga Shqipëria më 1939, ai në dy kapituj njëri pas tjetrit na përshkruan marrëdhëniet e Zogut me gratë, si dhe bën një portret të Zogut në kapitullin me titull “Kush ishte Ahmet Zogu?”. Edhe këtu ka një gjetje të zgjuar të Fevziut si gazetar. Ai e ka kuptuar se jeta e Zogut ndahet në dy epoka, në atë në Shqipëri deri më 1939 dhe në atë jashtë Shqipërisë që nga viti 1939 deri në vdekjen e Zogut më 1961. Para se të na përshkruajë çastin më dramatik të jetës së Zogut, Fevziu ndalet që të na paraqesë edhe një herë një portret të njeriut të cilit po i bën biografinë. Vetëm pas kësaj vjen kapitulli “Pushtimi i Shqipërisë”, ku tregohet ngjarja që solli largimin përfundimtar të Zogut nga Shqipëria.

Këtu në fakt mbaron edhe ajo që mund të quhet si pjesa e parë e librit. Fevziu ndoshta do të kishte bërë mirë që ta ndante librin në dy pjesë (brenda të njëjtit libër), se me largimin e Zogut nga Shqipëria më 1939 merr fund edhe roli i tij i protagonistit në historinë e Shqipërisë. Në pjesën tjetër të librit përshkruhen endjet e Zogut në mërgim nëpër botë, deri në vdekjen e tij, dhe përpjekjet e pasuksesshme për rikthim në pushtet në Shqipëri. Në këtë pjesë të dytë të librit, Fevziu ka meritën se ndriçon për herë të parë disa ngjarje të panjohura, të cilat lexuesi do t’i gjejë shumë interesante.

Libri i Fevziut është një shembull se si duhen shkruar libra biografikë për shumë figura të historisë sonë, që të jenë të arritshëm për një masë të gjerë lexuesish.