• |
ide | kryesore

Zhurma rreth koalicionit të madh në Prishtinë

Arkiva, Ide
xeni-maliqi-oped.jpg



Ekziston nje shprehje e njohur për zallahinë e opinioneve joprotagoniste që shfaqen pasi përfundojnë betejat dhe ngjarjet e mëdha shoqërore: “Pas betejës të gjihtë janë gjeneralë!”

Këtë mani të të qenit generalë pas tejkalimit të ngërçit dhe krijimit të koalicionit të madh e shohim te shumë opinionistë dhe politikanë të pakënaqur me mënyrën se si ka përfunduar kriza dhe nga po shkojnë tani zhvillimet në vend.

Krejt ajo çka ka ndodh pas 8 qershorit e deri para disa ditësh, nuk ka qenë befasi. Edhe ngërçi edhe dalja nga bllokada disamuajshe janë pasojë e një çarjeje politike që në Kosovë ekziston që nga vitet ’90. Më 8 qershor vota e qytetarëve e ka rishfaqur një konfiguracion të përditësuar të kësaj ndarjeje në formën potencialisht bllokuese dhe kjo edhe i ka kushtëzuar zhvillimet, ashtu siç kanë ndodhur, ku dinamikën e tyre e kanë përcaktuar edhe ambiciet dhe interesat vetjake të protagonistëve kryesorë.

Por, nëse gjërat shihen nga një perspektivë historike, çarja e madhe që kishte ndodhur në vitet ’90, e që shpjegohej si çarje e krahut të rezistencës paqësore dhe krahut të luftës, pas vitit ’90 me çdo zgjedhje ka përjetuar ndryshime dhe zbutje. Nëse në vitet ’90 dhe pas luftës dy krahët ishin në armiqësi dhe njëra-tjetrën e akuzonin për tradhëti të interesave kombëtare, me kohë fjalori i diskualifikimit të tjetrit është zbutur dhe në praktikë ka pasur edhe procese të bashkëqeverisjes dhe bashkëpunimit. E shndërruar në fjalorin e konkurencës demokratike për pushtet, armiku dhe tradhtari tani akuzoheshin ndryshe, p.sh. si hajdutë dhe të paaftë. Vetëm elementet më ekstreme në politikë dhe ndër opinionistët i kombinonin akuzat për tradhëti me ato të zhvatjes së pasurive kombëtare.

Në ndërkohë, koalicionet e detyrueshme që i prodhonte vetë vota e ndarë e qytetarëve, por edhe presioni i protektorëve të jashtëm të Kosovës, e kanë krijuar të paktën idenë që krahu paqësor dhe krahu i luftës mund të ndajnë pushtetin e madje edhe të bashkëqeverisin. Për më shumë, në këto muaj ndodhi që një pjesë e krahut të luftës të kthehet kundët PDK-së dhe Hashim Thaçit, duke bashkëpunuar ngushtë me LDK-në dhe Isa Mustafën. Dhe kur ku bashkëpunim nuk solli rezultatin e pritur, nuk mbeti ndonjë alternativë tjetër për të krijuar qeveri stabile në Kosovë pos që të bëhet koalicioni i dy partive më të mëdha, PDK-së dhe LDK-së.

Nga disa qarqe nostaligjike për kohërat e çarjes dhe armiqësisë të madhe mes dy krahëve të lëvizjes çlirimtare, koalicioni i madh që po krijohet ende cilësohet si diçka shumë e keqe, si tradhti dhe dorëzim para armikut! Ndërkaq, është e kundërta, nuk është katastrofë, por një koalicion i forcave më të mëdha politike që vërtetë janë rivalë të ashpër; e kanë kuptuar se bashkëpunimi i tyre është i detyrueshem për këtë fazë katërvjeçare sa do të duhej të zgjaste mandati i kësaj Qeverie…

Koalicionet e mëdha ndodhin shpesh në të gjitha sistemet demokratike dhe nuk mund të paragjykohet apriori se çka do të sjellë bashkëqeverisja e PDK-së me LDK-në. Nëse dy subjektet do ta gjejnë një gjuhë kompromisi për programin e përbashkët që e përfshin brenda edhe kritikën e LDK-së për mënyrën se si ka qeverisur PDK-ja deri më sot, por edhe PDK-ja arrin që bashkëqeverisjes t’i imponojë prioritetin e zhvillimit ekonomik që e kishte në programin e Misionit të ri, kjo nuk do të ishte një pikënisje e pashpresë e këtij koalicioni.

Megjithatë, për vlerësimin e qëllimive dhe të kapaciteteve të Qeverisë së re vendimtare do të jetë përbërja e saj, nëse ajo do të përfshijë apo jo personalitete politike që mund të bëjnë ndryshimin, a do të kemi emra të rinj e të pakompromituar, apo makinës së pushteti do t’i hipin sërish “kuadrot” tashmë të djegura që nuk kanë bërë asgjë të hajrit ose kanë shkaktuar vetëm dëme.

Po kështu, një test i madh për këtë koalicion do të jetë edhe hartimi i programit qeverisës me prioritete të qarta, pos atyre që i janë me obligimet ndërkombëtare, por edhe shtetformuese që ngërçi gjashtëmuaj i ka ndalur në realizim dhe sipër, e këto janë, siç dihet: krijimi i Ushtrisë së Kosovës, përfundimi i dialogut me Serbinë, krijimi i Gjykatës speciale për krimet e luftës, afirmimi i mëtutjeshëm ndërkombëtar i pavarësisë së Kosovës etj.

Skepticizmi rreth fuqisë së Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit që të bëhen motor të zhvillimeve të reja mund të jetë edhe i arsyeshëm. Por, ata në karrierën e tyre kanë pas edhe momentet të sukseseve. Madje, edhe vetë rivaliteti i ashpër i tyre mund të shikohet si faktor motivues dhe jo bllokues. Këtë do ta tregon edhe zbardhja e emravetë ministrave të rinj, që sipas disa listave ende spekulative, jep shpresa për një skuadër bukur të rinovuar…

Në këtë moment nuk mund të them më shumë për këtë, duhet të kihet durim edhe disa ditë. Por, mendoj se presioni i madh i opinionit e edhe i ndërkombëtarëve, nuk do të lejojë që Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi të mbeten peng të strukturave të vjetra në partitë e tyre. Strukturat bllokuese në partitë e tyre mendoj se më në fund e kanë kuptuar se rinovimi i përgjithshëm i kastës politike në Kosovë duhet të fillojë menjëherë duke i dhënë shansin një brezi të ri të politikanëve dhe ekspertëve përta filluar një kthesëpolitike premtuese.

Më në fund, për ata që thonë se koalicioni është katastrofë dhe se ajo do të amnistojë korrupsionin dhe krimin, mua më duket se po teprohet dhe se ky lloj i argumentimit prodhon një ambinet inflator, ku edhe akuzat më të rënda nuk po kanë më asnjë peshë reale. Nuk mund të jenë mbrojtës të drejtësisë dhe të ligjshmërisë opinionistët dhe politikanët esktremë që akuzojnë çdo qeveri dhe çdo ministër për kurrupsion dhe krime, ndërkaq që prokuroritë dhe gjykatat punojnë për të zbardhur dhe ndëshkuar korrupsionin dhe krimin, dhe deri më tash nuk kanë arritur suksese të shënuara. Nuk është mirë për sistemin kur opinionistët dhe politikanët dijnë më shumë se gjykatësit.

Kuptohet, te nje është problem fakjti se sistemin e drejtësisë e kemi ende në zhvillim e sipër, se ky i ka mangësitë e veta objektive dhe subjektive, se është i politizuar dhe edhe vetë i korruptuar etj., por ai nuk mund të hidhet poshtë ose të zëvendësohet me një gjyq të opinionit që nuk nuk ka fakte të plota dhe nuk njeh procedura, por operon me dyshime dhe gjysmëfakte. E vëretat është se nuk mund të ketë sundim të plotë të ligjit pa e krijuar respektin ndaj autoritetit të sistemit gjyqësor. Opinionistët zhurmëmadh të paktën nuk duhet të marrin rolin e prokurorit dhe gjykatësit të prerë me vlerësime paushale dhe pa dëshmi.

Edhe sistemet e zhvilluara demokratike kanë shpesh probleme me zbardhjen e krimeve dhe të korrupsionit, dhe edhe atje mediat dhe opinionistët kontribuojnë në zbardhjen e aferave dhe shkeljes së ligjeve, por për shëndetin e demokracisë është e rrezikshme kur mediat vetë e marrin rolin e gjykatësve në mënyrën se si kjo bëhet te ne krejtësisht pa pasoja, që dikush të akuzohet dhe të shpallet hajn ose vrasës, e që pas kësaj të mos ketë procedim ligjor që këtë edhe e vërteton. Një praktikë e tillë vetëm sa e ul kredibilitetin e mediave, por edhe të vetë sistemit gjyqësor, pa e ndihmuar realisht luftën kundër korrupsionit dhe krimit, dhe nuk kontribuon shumë as në krijimin e ambinentit për qeverisje të mirë dhe kritikë efiçiente të qeverisjes.