• |
ide | kryesore

Pse filmi ‘Bota” nuk po ka sukses në Shqipëri?

Arkiva, Ide
andi_923144256.jpg



Regjisorja e filmit shqiptar “Bota”, Iris Elezi, filmi i së cilës ka rreth dy javë që po shfaqet në kinematë shqiptare, tashmë duhet të bëjë vetëm një punë: të pushojë së dhëni intervista. Sepse, në çdo intervistë, ajo thotë shumë më pak se çka thënë në mënyrë instiktive artistike me këtë film të parë të saj. Për fatin e saj të mirë dhe të të gjithë ekipit të saj, ky film i cilësuar nga të gjithë ata që e kanë parë minimumi “si film ndryshe”, ka kaluar thelbin dhe mesazhin të cilët autorët thonë se kanë dashur të japin, për arsyen e vetme se filmi “Bota” është një film që na kishte munguar, është një film më shumë se poezi, më shumë se fiction, më shumë se thriller, më shumë se dramë, më shumë se neorealizëm, se ekzistencializëm……Ndaj dhe është e vështirë t’i vësh një etiketë burokratike se cilës kategori i përket. Ndaj, dhe është një film i vështirë për t’u realizuar, ndaj mund të ketë dhe defekte të vogla, por defekte që në horizont paralajmërojnë për potenciale të mëdha artistike. Shpeshherë, kamera dhe fotografia magjike kanë masturbuar më shumë se ç’duhet në kurriz të dendësisë së dialogut, duke lënë pauza dhe xhepa bosh në zhvillimin e konfliktit, por personazhet janë aty dhe konflikti ndihet në ajër që do të vijë. Disa personazhe, dhe për shkak të mos përshtatjes me shqipen e folur në Shqipëri, flasin një shqipe statike, po arti i vërtetë nuk humbet dhe në kamera dhe në skenar. Është i gjithi aty. Filmi “Bota” është një metaforë e fuqishme, jo vetëm për jetën e disa të internuarve shqiptarë, por një metaforë për jetën e kujtdo në botë, në çdo cep të rruzullit, që ndihet i braktisur dhe i harruar dhe njerëz e komunitete të tilla bota jonë ka pa hesap. Ndaj, mesazhi i filmit “Bota” nuk është një mesazh shqiptar për shqiptarët, por një mesazh shqiptar për gjithë botën. “Bota” flet për një komunitet të vogël njerëzish që jetojnë në një vend ku dikur rrinin të internuarit, që janë me njëri-tjetrin në një marrëdhënie komplekse, që menaxhojnë një kafe- kioskë me emrin “Bota” dhe në këtë botë, në këtë vend të izoluar, disa kilometra më tutje po ndërtohet një autostradë. Pa hyrë shumë në detajet e përmbajtjes, padyshim që kjo është një histori shqiptare, sidomos kur lidhet me elemente reale të internimit, madje dhe me fakte të tilla konkrete shqiptare, si zhdukja e personave apo kompensimi në lekë. Por, në të njëjtën kohë shkohet shumë më tej, jo vetëm për shkak të marrëdhënieve moderne që personazhet kanë me njëri-tjetrin, jo vetëm se kioska “Bota” papritur e pa kujtuar kthehet në një pub shik “Bota”, me një muzikë moderne, nga ato ku në Tiranë duhet të hysh me lekë .… Dhe në fakt është era e lekëve, e mishëruar në personazhin kryesor mashkull, që e shpëton më së shumti këtë kalim jo thjesht nga një gjendje në tjetrën, por edhe nga një gjini artistike në tjetrën. Po të shihet me kujdes, ka, gjithashtu, një element stilistik formal, që e ka parapërgatitur të gjithë këtë: është jo vetëm portreti i dy personazheve femra, por edhe veshja e tyre; është një veshje moderne, që po ta shikosh pa sfond, mund ta gjesh në çdo kryeqytet europian. Ndaj kontrasti bëhet edhe më i madh për një sy të pastërvitur me filma, sidomos për një sy publiku shqiptar, që është mësuar me filmat e realizmit socialist. Kjo është dhe pika më delikate artistike e filmit, është një fije e hollë që i ndan spektatorët, kryesisht ata shqiptarë, dhe i bën të dalin thjesht dhe vetëm në dy konkluzione: o ky film është shumë i mirë, o ky film nuk bën. Ndaj nuk është çudi që “Bota” po ka më sukses e po vlerësohet më shumë jashtë, sesa këtu. Dhe mbi të gjitha, sepse shqiptarët kanë dëshirë të shikojnë më shumë atë që u ka ndodhur realisht në të kaluarën, sesa të jetojnë me metafaorën e së tashmes e për më shumë me metaforën e së ardhmes. E këtu Irisi nuk ka faj. Ajo ka bërë një film të mirë, një film që më shumë se evokon të kaluarën, evokon të tashmen e të ardhmen. Me “Botën” Irisi ka thënë shumë më shumë se çka menduar vetë, ndaj, e thashë që në fillim, puna më e mirë është të ndërpresë intervistat, të ndërpresë së shikuari filmin e saj për të njëmijtën herë, sepse ajo vetë, ashtu sikurse edhe ne, do të jetojë e do të mësojë gjëra që nuk i kishte menduar. Nuk është për t’u mërzitur që kinemaja nuk është plot.