• |
ide | kryesore

Lakuriqësia e Bleonës si model i shoqërisë

Arkiva, Ide
kico.jpg



Po bëhet një zhurmë mbushullonjëse,kotanake, shtinjake e rraketake rreth ngjarjes pa ngjarje që një e vetëshpallur këngëtare, një showgirl që geni i ka falur mundësinë të jetë shalëgjatë, e quajtur Bleona Qereti, na paskësh dalë thuajse lakuriq, me një veshje-zhveshje në formë rrjete, në një nga spektaklet e kësollojshme në SHBA. Me siguri, po të hapen nesër arkivat e mediave (se të thashethemeve dihet që nuk hapen kurrë!), do të shihet se më tepër është folur për këtë “event” ndërkombëtar sesa për Ditën e Çlirimit për disa, e të Pushtimit për disa të tjerë… Ec e thuaj pas kësaj që ne, nga provincë e Ballkanit nuk jemi bërë metropol!

E megjithatë, për fat të keq, ne humbamenot e këtushëm, ndonëse të marrim gjak në vetull për krenarinë kombëtare, nga fundi i botës, falë internetit, morëm vesh se s’andejmi, në SHBA, paskësh pasur kritika të ashpra për shfaqjen-sfidë të Bleona Qeretit, e cilësuar nga kritikët e sfilatave samëska vulgare e pa shije… “Fotot e saj mbushën edhe mediat në Shqipëri dhe ky fakt i ka sikletosur jo pak babain dhe nënën e saj” shkruan “US Weekly”, që citon Bleonën, dhe vazhdon: ”Ata nuk duan të dalin nga shtëpia. S’donin të dilnin as sot. Por unë u thashë: Kjo është gjë e mirë. Ndërsa ata më kthehen: çfarë do të thuash me këtë? Ti ishe lakuriq dje. Unë iu ktheva: Kini besim tek unë.” Kaq u desh dhe pas kësaj në rrjetet sociale, nëpër debate televizive dhe kafene u ndezën flakadanët e nderit dhe të namuzit tonë tradicional shqiptar, a thua se me testament, nderin e kombit të këtyre ditëve të kremtimit të 70-vjetorit të Çlirimit ne nuk ua kemi lënë në dorë Bashës dhe Ramës, po Bleonës. Na turpëroi apo na nderoi? Bëri mirë apo keq që u vesh me një fustan-rrjetë, si peshk jo dhe aq i freskët? Qeder i madh ky!

Kjo mefshtësi e jona prej provincialësh ballkanikë e paskësh nervozuar Bleonën, e cila, e zhgënjyer, na kumtoi së largu me hidhërim se këtë “sakrificë”, d.m.th. aktin sublim të zhveshjes kurajoze në tapetin e kuq si dhe nepsin e protagonizmit për të kapur me çdo çmim majat e Hollivudit, e paskësh bërë në emër e në të mirë të Shqipërisë, të këtij vendi fanatik, të panjohur e të prapambetur për amerikanët. Me një fjalë, shumë amerikanë, kinezë, izraelitë, rusë etj., miliona njerëz që ndoqën spektaklin me Bleonën e zhveshur, e morën vesh ku binte e ç’ishte Shqipëria! Por ne, ne pra, të këtushmit, qenkemi jo vetëm me paragjykime, por edhe mosmirënjohës, se nuk u hodhëm ta mbrojmë e të mburremi me të, edhe pse showgirl-i ynë nëpër intervista “flet shqip dhe e deklaron hapur e pa komplekse identitetin e vet shqiptar”!

Sigurisht që nuk do t’ia vlente të ulnim nivelin e analizës për rastin në fjalë, po qe se vitet e fundit dukuria “Bleona”, si model e si pasqyrë, nuk do të ishte bërë, për shumë arsye objektive, sundues, mbizotërues dhe miklues për jo pak të rinj, djem e vajza. Është i vetmi model suksesi që i ofrohet rinisë së sotme. Pa mund, pa djersë, pa aftësi, pa studime, pa punë, qenkësh e kollajtë të kapësh në mos Hollivudin, jetën e natës në Bllok.

Pikërisht në harkun e këtyre ditëve ndodhën disa ngjarje të ububushme që mbushën faqet e gazetave dhe të ekraneve, por pa e tronditur në themel shoqërinë, ndoshta ngaqë, si po duken bathët, ne tanimë jemi të imunizuar nga kronikat e zeza e të fëlliqta kësodore… Një mëngjes u njoftuam se humbi jetën nga overdoza një këngëtar i suksesshëm, Doktor Flori, gjë që shkaktoi hidhërim të skajshëm në botën artistike. Pas disa ditësh një balerinë e re e “Klanit” që ndiqte studimet në Akademinë e Arteve vrau veten nga depresioni, me armën e të atit. Në Tiranë babë e bir u arrestuan nga policia në flagrancë se përdornin për prostitucion një minorene, të dashurën e djalit, të cilën e çonin me makinë nëpër motele, si “gjah” i freskët për VIP-at e biznesmenët e kamur të Tiranës… U arrestua ndërkohë edhe drejtoresha e Arsimit në Lushnjë, edhe kjo bashkë me të birin, ngaqë jo vetëm merrte ryshfet për emërimet, duke e përdorur djalin e vet si sekser, por njëkohësisht i detyronte mësueset simpatike të kryenin “favore seksuale” për njerëz të rëndësishëm me pushtet.

Pa dyshim që këto ngjarje, me një sy sipërfaqësor, duken “pa lidhje” mes vedi. Ato dëshmojnë, pavarësisht se janë samëska të hidhëta e të shëmtuta, dramatike e tragjike, që edhe ne jemi bërë, më në fund, pas 102 vitesh mëvetësi dhe 70 vitesh çlirim-pushtim, një “vend perëndimor e demokratik”, përndryshe, një metropol i njëmendtë. Ja përse ia vlen të merret në gjykim e në konsideratë dukuria “Bleona”. Sepse kjo dukuri shpjegon, më mirë edhe se deklarimet dhe premtimet e krerëve të politikës, të qeverisë e të opozitës bashkë, se çka ndodh, si ndodh e përse ndodh rropama e thiktë morale në shoqërinë e në familjet e sotme shqiptare.

***

Në fillimet e demokracisë nuk mbeti shkallë pallati në qytet dhe rrap katundi që të mos organizonte konkurse ‘Miss’-esh për fëmijë. Ky ishte prologu i drogës, pabeve, diskove, prostitucionit, “botës së konsumit”, të qejfit dhe të “lirisë” së pakushtëzuar e të pakufizuar. Po të lësh mënjanë kronikën e zezë të lajmeve, për t’u relaksuar darkave sadopak, nëpër të gjitha televizionet do të gjesh me shumicë, në mos telenovela turke dhe braziliane, spektakle me balerina e këngëtare gjysmë të zhveshura që imitojnë me sukses të paparë “Moulin Rouge” dhe lokalet me pulla të kuqe. Tirana shfaqet si një burim i pashtershëm lokalesh luksoze, vajzash e djemsh të bukur, veshur firmato, që udhëtojnë me makina të shtrenjta, që kërcejnë dhe këndojnë “amerikançe”, duke shpresuar se, duke investuar mundin dhe duke paguar me paratë e babit apo të shpërdorimit të trupit për të xhiruar videoklipe dhe spote, do të bëhen një ditë të famshëm edhe në Evropë e SHBA…

Jo vetëm për provincialët e trishtuar të periferisë, por edhe për ata që jetojnë në kryeqytet, që nuk i kanë këto mundësi financiare nga familjet (këta janë shumica dërrmuese!), Blloku dhe lokalet e tij luksoze shfaqen si një parajsë qejfi dhe ahengu me stil e me nivel të lartë… Jo vetëm rruga, por shkolla është bërë vatra kryesore që e mbjell këtë farë snobizmi, degradimi moral dhe ekzibicioni majmunëror më lehtë se kanabasi i Lazaratit dhe Dukagjinit. Në adoleshencë tundimi nga vaniteti i kësollojtë është pa dyshim më i fortë, më ndikonjës e më ndjellës se tundimi për të studiuar dhe derdhur djersë. Por a ka shembull më të spikatur se ai i drejtoreshës së Arsimit në Lushnjë që provon se jo vetëm adoleshentët, por edhe prindërit e tyre me pushtet e kanë përqafuar këtë mendësi? Ky është mjerimi ynë moral.

Në “Fiks Fare” pashë disa intervista të rinjsh, para bustit të De Radës, që edhe pse thanë që kishin mbaruar universitetin, nuk e dinin dhe nuk e njihnin këtë poet kombëtar. E jo vetëm kaq, por nuk e dinë as kur është çliruar Shqipëria: më 1912 apo më 1944?!

Jam i bindur që do të ketë lexues që do të thonë: e përse duhet t’i dinë këto? Ç’u lipsen e, tekefundit, ç’dobi mund të kenë të rinjtë e sotëm nga këto njohuri? Nuk jam aq i prapambetur sa të mos e di që moda dhe rendja pas konsumizmit, është një prirje e përgjithshme, globale, për të cilën bota mediatike dhe reklamat shpenzojnë më shumë se për luftën kundër varfërisë, injorancës apo kancerit. Por tek ne, për fat të keq, kjo mendësi është zotëruese, ajo ka kapur edhe elitën tonë politike. Emërimet në administratë dhe sidomos nëpër parti priren të bëhen me këto lloj kriteresh, duke i dhënë ligjërim jo vetëm financiar, por edhe zyrtar dukurisë “Bleona”.

Mjafton të vish nga bota e spektakleve të tilla, ca më mirë po të vish nga jashtë (kujtoni se si u prit një farë Anxhela Martini dhe se si doli nëpër shi Berisha të përshëndeste Rita Orën, duke lënë pritjen zyrtare për 100-vjetorin e Pavarësisë!), dhe jo vetëm që të adhurojnë e të sponsorizojnë me shifra marramendëse, por edhe të emërojnë në administratë, ose në forume partish meqë nuk ke përvojë dhe mund të sjellësh inovacion…

Kjo dukuri ka shpërbërë sistemin e vlerave në mënyrë të pandreqshme aq sa, sot, po të jesh akademik, apo Nder i Kombit, ke më pak vlerë e nderim se të jesh këpuca apo dekolteja e një prej VIP-ave të tillë! (Gazeta shqiptare)