• |
ide | kryesore

Al Jazeera reportazh për Begajn: mjerimi i medalistes së artë

Arkiva, Sport
romela.jpg



Medalja e artë e Romela Begaj në Kazakistan, e shoqëruar dhe me lajmin e trishtueshëm të kushteve në të cilat 28-vjeçarja jeton e stërvitet, është bërë lajm dhe në larg Shqipërisë. Al Jazeera, në versionin e saj ndërkombëtar, i ka kushtuar një reportazh asaj.

“Romela Begaj shkroi historinë dhe u bë femra e parë shqiptare që fiton medaljen e artë për peshëngritjen shqiptare në Botëror, dhe filloi të qante kur realizoi arritjen e saj. Duke jetuar në shtëpi me qira, pa të ardhura për të plotësuar stërvitjen dhe ushqimin e saj, 28-vjeçarja fitoi një nga trofetë më të rëndësishëm për vendin e saj”, – fillonte reportazhi i Al Jazeera, e cila kishte organizuar dhe një intervistë me kampionen shqiptare, ku tregon dhe atdhetarizmin e saj.  “Emocionet që përjetova janë të mrekullueshme dhe të pashpjegueshme. Ishte një luftë kundër kampionëve të botës apo medalistëve në Olimpiadë, por ja dola”, – tregon Romela, që vazhdon më tej. “Kam pasur oferta për të përfaqësuar vende të tjera, dhe disa herë u tundova prej mungesës së kushteve në Shqipëri. Por për mua ka qenë gjithmonë një kënaqësi dhe nder të ngre flamurin shqiptar. Kjo është gjëja më e rëndësishme, të ngresh lart emrin e shqiptarëve, edhe pse për këtë duhet të luftosh me gjithë botën dhe të dalësh e para.”

Begaj i tregoi Al Jazeeras dhe jetën e vështirë të saj, më vështirësitë me të cilat duhej të përballej.“Kur isha e vogël, performoja me cirkun e Tiranës gjimnastikë, trampolinë dhe disiplina të tjera të cirkut. Për shkak të problemeve financiare, babi emigroi në Greqi për të siguruar të ardhura. Unë isha një vajzë me ego të fortë dhe doja të jetoja një jetë të respektuar pa ndihmën e familjes. Duke ardhur nga një familje e varfër dhe duke parë vuajtjet e tyre, mendova që do t’ia u shpërbleja përpjekjet me punën time. Në 2005, kur isha 18 vjeç, fillova të merresha me peshëngritje, dhe vetëm 3 muaj më pas, fitova medalje të bronztë në lojërat mesdhetare. Në lojërat Olimpike të Pekinit mora pjesë dhe dola e gjashta, por vetëm dy javë më parë, babai im kishte ndërruar jetë. Ishte një moment shumë i vështirë për mua”, – përfundon Begaj, pa treguar shumë për problemet e së tashmes, edhe pse ato dihen tani. E në fund, edhe Al Jazeera, ashtu si gjithë shqiptarët, shpreson që fjalët e ministres Nikolla gjatë pritjes së kampionëve në Rinas të bëhen më në fund të vërteta, pasi një kampione bote meriton të shpërblehet ashtu siç i takon.