• |
ide | kryesore

Sot apeli/Strategjia shqiptare dhe serbe për ndeshjen e Beogradit

Arkiva, Sport
serbia-albania-1-690x336.jpg



Komisioni i Apelit të UEFA do të vendosë të martën në 2 dhjetor lidhur me fatin e ndeshjes Serbi-Shqipëri. Pas vendimit të marrë nga komisioni i Etikës, i cili e dënoi Shqipërinë me rezultatin 3 me 0, por i hoqi edhe tre pikë serbëve, opsionet e tanishme janë: Të anulojë vendimin e parë duke i dhënë Shqipërisë fitoren dhe Serbia të humbasë ndeshjen: t’ia rikthejë tre pikët Serbisë, apo opsioni i tretë që ndeshja të riluhet në një fushë asnjëanëse. Të gjitha këto mundësi janë në tavolinën e anëtarëve të Apelit të komisionit juridik.

Nga ana e saj FShF nëpërmjet tre studiove ligjore (shqiptare, zvicerane dhe angleze), do të kërkojë ndryshimin e vendimit të shkallës së parë (24 tetor) në mbledhjen e Komisionin e Apelit, që do të zhvillohet më datë 2 dhjetor në Nion të Zvicrës. Shpresa e mbrojtësve ligjorë të palës shqiptare, që këtë herë do të dëgjohen nga anëtarët e komisionit të Apelit, është të gjejnë të cara në dëshmitë e përfaqësuesve të UEFA-s që ishin prezent në Beograd në mbrëmjen e 14 tetorit.

Në raportet e tyre, gjyqtari Atkinson dhe shefi i gjyqtarëve Frohlisch kanë qenë shumë më negativë. Ata shkruan se, kapiteni i Shqipërisë Lorik Cana i ka argumentuar se lojtarët kuqezi e kanë të pamundur të rifillojnë ndeshjen për shkak të gjendjes së tyre fizike dhe psikologjike pas asaj që ndodhi në stadiumin e Beogradit. Por çuditërisht, të dy këta zyrtarë pas këtij citimi të Canës kanë shtuar në raport se skuadra shqiptare refuzoi kthimin në fushë. Dhe këtu ngrihet pikëpyetja e parë, pasi siç ka deklaruar vetë Cana dhe zyrtarët më të lartë të FSHF-së, Shqipërisë asnjëherë nuk i është kërkuar nga arbitri i ndeshjes kthimi në fushë dhe ajo asnjëherë nuk ka pasur rast të artikulojë asnjë refuzim të prerë.

I vetmi që nuk i ka marrë si refuzim deklaratat e Canës ka qenë delegati i ndeshjes, holandezi Harry Been, i cili në asnjë moment nuk ka shkruar se shqiptarët kanë refuzuar të rifuten në fushë. Në raportin e tij, delegati holandez ka theksuar se në minutën e 14-të është djegur flamuri i NATO-s, ndërsa bien në sy dy pika që rëndojnë mbi federatën serbe, gjendja e stadiumit dhe siguria në stadium dhe në fushë.

Në favor të palës sonë shkon edhe deklarata e oficerit të sigurisë, Vincent Egbers, të cilin UEFA e kishte dërguar në Beograd për ndeshjen e 14 tetorit. Raporti i tij ngel në klasë autoritetet serbe sa i përket sigurisë në stadium. Duke ilustruar edhe me foto raportin e tij, oficeri Egbers ka shkruar se siguria në stadium ishte shumë e dobët, policia dhe forcat e sigurisë u treguan shumë pasive për të mos lejuar futjen e tifozëve në fushë dhe më pas për të kapur ata që dhunuan futbollistët e Shqipërisë. Ai përshkruan hedhjen e sendeve të forta nga tifozët në fushë gjatë gjithë ndeshjes, ndërsa e cilëson sjelljen e vendasve “shumë të keqe dhe agresive”.

Këtu do të synojë të fiksohet, këtë të martë, mbrojtja e federatës shqiptare. Mëse njëherë presidenti i FShF-së Armando Duka ka përsëritur se institucioni i futbollit shqiptar do ta konsiderojë drejtësinë të vënë në vend, vetëm në rast se Shqipërisë i jepen 3 pikët, ndaj në rast të mosplotësimit të kësaj kërkese cështja është e destinuar të shkojë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë ku do të duhen muaj për shqyrtimin e saj dhe marrjen e një vendimi përfundimtar.

 Por tani cështja është në apel dhe aty po lobojnë edhe serbët. Gazeta “Vecernje Novosti” shkruante se federata serbe është hedhur në një sulm diplomatiko sportiv përpara gjykimit të Nionit. “Sekretari i përgjithshëm Zoran Lakovic do të jetë vetë prezent në Zvicër, pranë zyrave të UEFA-s dhe avokatët serbë kanë përgatitur një mbrojtje shumë të mirë nga e cila presin një rezultat pozitiv. Ata do të hedhin në tryezë fakte të reja të papublikuara më parë dhe do të kërkojnë, ose anullimin e vendimit për heqjen e 3 pikëve, ose riluajtjen e ndeshjes pa publik” shkruante gazeta serbe.

Por për të gjitha këto vendoset sot. Në një sondazh të hapur prej ditësh nga Lapsi.al (shikojeni poshtë në faqen Kryesore) mbi 58 përqind e mbi një mijë të pyeturve nuk besojnë se UEFA do ta ndryshojë vendimin për Shqipërinë. Nga mënyra se si ngjarjet janë zhvilluar deri tani vetëm 42% e të pyeturve besojnë tek një mrekulli. Të presim./lapsi.al/