• |
ide | kryesore

Kur emigrantët i trajtojmë si gomerë

Arkiva, Ide
arben-kallamata-147x150.jpg



Para disa kohësh, një shoku im arkitekt që nga Kanadaja u shprehte në shtypin shqiptar, në facebook, dhe në letra të drejtpërdrejta autorëve indinjatën e tij si profesionist dhe qytetar për një përçudnim që po i bëhet qendrës së Korçës. Letrat dhe shkrimet, që kishin në shënjestër një firmë arkitekturore gjermane dhe krerët e Bashkisë së Korçës, gjetën mbështetjen e shumë korçarëve. Por për çudi, disa nga ata të cilët ia kishin pëlqyer shkrimet, njëkohësisht vazhdonin t’i bënin “lajka” edhe kryetarit të Bashkisë së Korçës dhe të tjerëve që kishin gisht pikërisht në atë shëmtim. Natyrisht, miku im arkitekt nuk mund të rrinte gojëmbyllur përpara dyfytyrësisë. Ai shkruajti përsëri, kësaj radhe për ata që e kthejnë pllakën sa në një anë në tjetrën, duke iu qarë hallin për sikletin që i ka zënë.

Kjo siç duket, s’u ka shkuar për shtat të gjithëve, ndaj edhe doli dikush që u ankua se “sos gomerët që na ngordhën, por s’na lënë rehat as mizat.” Për sqarim të figurës letrare, mizat jemi ne, shqiptarët në emigracion që shkruajmë lartë e poshtë që nga përtej deteve dhe oqeaneve për problemet e atyre që kanë mbetur atje, në atdhe, me gomerët e ngordhur.

Po të ishte një zë i veçuar, s’do t’ia vlente të merreshe me të. Halli është që sikur janë shtuar ca si shumë këta që ankohen dhe hakërrohen ndaj nesh, mizave të emigracionit. Prandaj them se ia vlen të futem edhe unë në këtë histori me bzzzz-in tim të bezdisur. Ne që kemi lënë Shqipërinë që nga viti 1990 e këtej, duhet të jemi ndonja 1 milion e ca. Këtë e them me hamendje, pasi me sa di unë, ata që kanë në dorë të mbajnë statistika, domethënë ata që kanë defterët në atdhe, nuk kanë marrë mundimin të na numërojnë.

Mes nesh ka gjithfarësh – hajdutë, prostituta, horra, mashtrues, burgaxhinj e kriminelë. Por ka edhe shumë njerëz të ndershëm – ka punëtorë ndërtimi, zanatçinj të mirë, mjekë, inxhinierë, ekonomistë, gazetarë, mësues, shkencëtarë, profesorë universitetesh. Ka të ndershëm e të pandershëm. Ka nga ata që kanë ikur nga Shqipëria duke menduar që përtej kufijve është parajsa e dembelëve. Por ka edhe nga ata kanë ikur me mendjen top, që do të bëjnë çdolloj pune për të siguruar një jetë të ndershme. Këta më duket se janë shumica.

Disave nuk iu ka ecur gjithçka si në vaj – janë rregulluar ku kanë mundur, me punëra poshtë nivelit të asaj që kanë bërë në Shqipëri, larg aftësive të tyre. Por ka shumë, shumë më tepër nga ç’ua pret mendja disave që bezdisen në Shqipëri, që kanë arritur sukses – ka inxhinierë që punojnë si inxhinierë, arkitektë që punojnë si arkitektë, kirurgë që operojnë, profesorë që japin leksione, financierë që drejtojnë kompani të mëdha – ka drejtorë uzinash, ka CEO, ka zëvendës-presidentë firmash të njohura në gjithë botën, ka gazetarë, poetë dhe shkrimtarë që botojnë. Të arrish në këto nivele në vend të huaj, ku flitet gjuhë e huaj, nuk është pak. Është shumë, dhe këta njerëz janë për t’u admiruar, jo për t’u injoruar si miza të bezdisshme.

Pra ne jemi gjithfarësojsh – të mirë e të këqij, të suksesshëm e jo aq të suksesshëm, të ndershëm e të pandershëm, të aftë e të paaftë. Megjithatë, kemi një gjë të përbashkët – jemi larguar nga Shqipëria për një jetë më të mirë. A e kemi arritur atë? Them se përgjithësisht po. Po të mos e kishim arritur, do të ishim kthyer, siç janë kthyer shumë prej nesh. Për t’u kthyer në Shqipëri nuk kërkohet vizë.

Një gjë tjetër që mendoj se e kemi të përbashkët është se, pavarësisht se ndoshta mund të jemi larguar me idenë që “të ikim, se ai vend nuk bëhet”, përsëri, thellë në zemër nuk e besojmë këtë. Ne sinqerisht shpresojmë dhe dëshirojmë që ai vend të bëhet – të bëhet një vend i zhvilluar, i denjë, ku njerëzit të respektojnë ligjin, të drejtën, njëri-tjetrin. Prandaj edhe nuk rrimë rehat dhe herë pas here japim ndonjë mendim për atë që ndodh aty. Ndoshta na gënjen mendja se mund të vazhdojmë të ndihmojmë sadopak përmes përvojës së këtushme.

Po a kemi të drejtë ne të japim mendim për ato që ndodhin aty? Kemi që ç’ke me të. Ne, mizat, jemi po aq shqiptarë sa edhe ata të bezdisurit që qajnë gomerët e ngordhur. Ne flasim po aq shqip sa edhe ata, ndoshta edhe ca më shumë. Neve na dhemb vendlindja po aq sa iu dhemb edhe atyre.

Natyrisht, jo të gjitha ato që themi janë gjëra me mend. Mes nesh ka budallenj e të mençur, llafazanë e të heshtur, kritizerë dhe eruditë. Siç ka midis çdo grupimi tjetër. Por kjo s’do të thotë që dikush mund të ketë të drejtë të na heqë të drejtën e fjalës dhe të drejtën të japim mendim për atë që ndodh në Shqipëri. Ne do flasim e do japim mendim sa të na dojë qejfi. Nëse ato që themi do t’i pëlqejnë dhe do t’i vlejnë njeriu, mirë. Nëse nuk i pëlqejnë, le t’i flakin tutje. Gjykimi i mendimeve bëhet në bazë të atyre që thuhen apo shkruhen, jo në bazë të paragjykimit ndaj një grupi ku përfshihet ai apo ajo që e ka shkruar.

Shkurt muhabeti, gjërat nuk janë bardhë e zi dhe ne këtej nuk para na vjen mirë kur na krahasojnë me mizat. Atë vend të quajtur Shqipëri e duam po aq sa edhe ata që jetojnë atje. Ia duam të mirën dhe përpiqemi të japim ndonjë mendim duke i parë gjërat nga larg. Nëse dikujt nuk i pëlqejnë ato që themi ne vetëm e vetëm ngaqë ne nuk jetojmë në Shqipëri, atëherë le të vazhdojë të merret me gomerët e ngordhur.

(Mapo)