• |
ide | kryesore

Pse nuk flasin kritikët e Bashës në PD

Arkiva, Ide
mand edit.jpg



Një intervistë e fortë e disa ditëve më parë e Astrit Patozit tek “Panorama” kaloi plotësisht në heshtje brenda mureve të Partisë Demokratike. E bërë në një moment delikat për të ardhmen e PD dhe nga një figurë qëndrore e kësaj partie (ish nënkryetar dhe ish kryetar i grupit parlamentar), përmbajtja e kësaj interviste do të duhej më e pakta të merrte një përgjigje për akuzat që ngrinte. Aty, Patozi e quante të dyshimtë procesin nëpërmjet të cilit u zgjodhën drejtuesit e rinj të PD dhe u shmangën ca të tjerë. Sipas tij, bojkoti i parlamentit u bë për t’i mbajtur larg politikës aktive disa figura të PD dhe po për këtë arsye, prej shtatorit, kryetari Basha nuk ka zhvilluar asnjë takim me grupin e tij parlamentar. Në intervistë thuhej se mbështetësit e Sokol Olldashit janë goditur në mënyrë staliniste brenda PD, se është përzënë pjesa e saj më e qëndrueshme, se Basha po imiton atë që Edi Rama bëri kur mori drejtimin e PS. “Një imitim që e bazon suksesin tek pritja (do më vijë radha) dhe jo tek frymëzimi që shkakton aksioni energjik dhe i përditshëm”, thotë Patozi.

Do të mjaftonin edhe gjysmat e këtyre akuzave, që i bën një prej njerëzve që e njeh më mirë PD, që në një parti normale të tentohej t’u jepej përgjigje. Madje në një parti normale, vetë kryetari do të duhej të kishte një qëndrim publik për çështje të tilla të rëndësishme. Përveç Sali Berishës, që në një intervistë për AbcNews u mundua të japë një shpjegim për atë që po ndodh në PD me lidershipin e ri, askush tjetër nuk foli. Kryetari Basha, dhe këtu me siguri që ngjan me Edi Ramën, i kaloi në heshtje akuzat e Patozit, sipas filozofisë së njohur që çudia më e madhe tri ditë zgjat.

Por nëse për Bashën është e kuptueshme që don t’i përcjellë me sa më pak zhurmë zërat që prekin çështje të ndjeshme të lidershipit të tij, është e habitshme se si në Partinë Demokratike, se si në grupin e saj parlamentar, askush tjetër nuk foli. Ka një kompleks, jo vetëm në PD por në përgjithësi në politikën shqiptare, se nëse konteston brenda partisë tënde, mund të akuzohesh se flirton me kundërshtarin. Pa dyshim që kompleksi se po i shërbejnë Edi Ramës, i ka frenuar shumë të tjerë në PD që mendojnë si Patozi të mos flasin apo të bëjnë sikur nuk e kanë lexuar intervistën e tij. Ky kompleks i la në mes të rrugës në vitin 2009, Blushin, Malajn, Islamin e ndonjë tjetër, të cilët të trembur nga akuza se po bënin lojën e Berishës, u tërhoqën nga ajo që nisën. Sot një pjesë e tyre janë jashtë politikës aktive.

Diçka e ngjashme duket se po ndodh edhe në PD. Nëse i takon veç e veç, pjesa më e madhe e deputetëve të PD janë për kthimin në Kuvend. Veç e veç po ashtu, shumë të tjerë nuk janë dakort me mënyrën se si u zgjodhën drejtuesit e rinj. Por në publik askush nuk flet, madje as kur kapakun e rëndë e ngre dikush tjetër, si në rastin me Patozin. Sigurisht që mes kritikëve, ka nga ata që nuk flasin se duan ta mbajnë mirë me kryetarin, por shumicën është kompleksi i “tradhëtisë” që e mban të heshtur. Fakti se mund të akuzohen si përçarës, si vegla të Ramës, është shkaku kryesor i hezitimit të tyre, të cilin e mbulojnë me shprehjen e konsumuar: “nuk ka ardhur koha”.

Në të vërtetë, të gjithë ata që nuk mbështesin vendimet kryesore politike të kryetarit Basha, janë ende në kohë për të bërë diçka. Qoftë në qëndrimin ndaj parlamentit, qoftë edhe sa i takon drejtimit të PD. Dhe këtë jo si karshillëk ndaj Bashës, por si bindje se po bëjnë gjënë e duhur. Vetëm kështu mund ta largojnë hijen e mundimshme se po bëjnë lojën e kundërshtarit. E folura nëpër korridore dhe jo hapur, teza që të mos prishim punë deri në zgjedhjet lokale e pas tyre e shohim, tingëllojnë tinzare dhe si një lloj ngazëllimi i fshehur që Basha t’i humbë ato e pastaj është e lehtë për ta kryqëzuar. Kjo nuk është e ndershme. Kush nuk është dakort me mënyrën se si po vepron Lulzim Basha duhet ta thotë tani. Teoria e pritjes krijon ndjesinë e kurthit dhe jo të ballafaqimit të ndershëm. Dhe sa më shumë që mosdakortësia parimore mbahet e ndrydhur, aq më shumë ajo nis dhe i ngjason mllefit të pakënaqësisë. Atëherë edhe kur një çështje është e drejtë, rrezikon ta humbë besueshmërinë. Prandaj ata, që me zë të ulët përsërisin ato që tha Patozi në intervistë, duhet të flasin tani. Pa kompleksin e “tradhëtarit” dhe pa inatin ndaj kryetarit. Vetëm kështu, ky i fundit, nuk mund t’i kalojë në heshtje dilemat e mëdha të së ardhmes të PD.