• |
ide | kryesore

Portieri i Partizanit për gruan që i vdiq pas lindjes së djalit: “Si e preka me duar në çastet e fundit të jetës”

Arkiva, Sport
0alban hoxha me gruan e tij dori.jpg



Kanë kaluar vetëm pak ditë nga ngjarja e trishtuar dhe tragjike e vdekjes së gruas së portierit të Partizanit, Alban Hoxha, menjëherë sapo solli në jetë djalin e saj, Bekon. Në 40 ditët e lindjes së tij, ai i ka dhënë një intervistë gazetës “Shekulli”, ku kujton gëzimin e lindjes të së birit, por edhe tragjedinë që do ta shoqëronte më pas këtë çast. Ai tani ka filluar stërvitjen dhe ndeshjet, madje duke thyer edhe rekordin e paprekëshmërisë së portës në kampionatin shqiptar (1080 min pa gol), por nga mendja e tij nuk mund të hiqet ai moment kulmor i jetës. “Doktori më ka futur brenda në dhomë në momentet e fundit. Aparaturat kishin filluar të tregonin se gjendja po vështirësohej. I preka këmbët në fillim dhe pastaj duart. Nuk po e besoja derisa pashë të gjithë treguesit e aparaturave që tregonin se ajo kishte ikur. E gjithë kjo ndodhi për një moment ndoshta, por kjo zgjati shumë për mua. E kuptova që kur doktori më tha: “Eja në dhomë”. Asgjë tjetër nuk u tha aty. Të gjitha i kuptova nga ato viza që lëviznin në aparatura. Nuk folëm, thjesht e preka. Ndonjëherë mendoj se do të ishte më mirë të mos isha në dhomë atë moment, pasi sytë e saj nuk kishin më atë shkëlqim, ndërsa herë-herë mendoj se bëra mirë që i preka duar e këmbë, përpara se ajo të ikte”.

Alban Hoxha me djalin Beko

Por Alban Hoxha ka kujtuar edhe atë moment të 40 ditëve më parë kur gruaja e tij tashmë e ndjerë, Dori, solli në jetë fëmijën e tyre. Ai tregon se i ka mbetur një peng. Pengu i mosvlerësimit për gjërat që për një çast na duken si të sigurta.”Kur lindi djali, unë vrapova për tek ai. Hyra në dhomë dhe e pyeta për djalin. “Pyet njëherë për ne”, më tha Dori. I thashë: “Ty këtu të kam dhe për gjithë jetën”. Nuk e mendoja kurrë se mund të ndodhte edhe kështu. Atë ditë e shijova me të dhe me djalin. Po flisnim, ajo ishte mirë, qeshte, ishte e lumtur. Ditën tjetër kisha ndeshje, doja të mos ikja, por planet ishin bërë. Para se të kthehem të nesërmen nga ndeshja, mami më merr në telefon dhe më thotë se Dori kishte dhimbje koke. Kur kam ardhur pësoi trompozë. Ishte një rast që ndodhte 1 në 1 milion. Dhe kjo më ndodhi mua”. Dhe tani kur gjithçka ka mbaruar dhe lotët janë tharë, ai kujton edhe momentet e emocioneve të gëzuara. “Ishte dita e parë kur Beko erdhi në jetë dhe ia kishin vendosur Dorit në gjoks. Beko i mbledhur flinte i qetë, ndërkohë që ajo merrte frymë dhe fliste me mua. E morën Bekon për një çast që të mbulohej pranë shtratit të vogël ku kishte afër edhe ngrohësen. E hoqën nga gjoksi dhe gusha e Dorit dhe ai filloi të qante. Nuk pushonte. U desh ta vinim sërish te gusha e saj që ai të mblidhej dhe të mbyllte sytë si të flinte i qetë në gjoksin e nënës së tij. Kështu e kujtoj Dorin me Bekon, ai ishte i qetë aty. Nuk kishte ftohtë me të. Mbaj mend edhe një moment tjetër, atë shkëlqimin e syve të saj, kur unë mbaja në krahë Bekon e porsalindur. Ishte e lumtur. Asaj i shkëlqenin gjithnjë sytë, por atë ditë kishte një shkëlqim ndryshe. Ishte shumë mirë, derisa të nesërmen do të merrte një rrugë tjetër”.