• |
ide | kryesore

Kosova dhe Shqipëria në katër pamje

Arkiva, Ide
mehmet kraja.jpg



1.Hapësira mediale
Në pikëpamje mediatike, raportet Shqipëri-Kosovë janë të ngatërruara, komplekse, të pabarabarta. Mediet elektronike të Shqipërisë janë fuqizuar së tepërmi në Kosovë dhe, bashkë me këtë, është shtuar edhe ambicia e tyre për ta përdorur Kosovën si ndajshtim pezhorativ të Shqipërisë. Diskursi i kësaj medie ndaj Kosovës është paternalist, ka brenda recidivizmin historik dhe metodën e sprovuar të propagandës komuniste: Kosova duhet ta dojë Shqipërinë, kurse Shqipëria e do vetëm veten e saj. 
Prandaj, në hapësirën e ndërmjetme mediatike Kosovë-Shqipëri kanë krijuar avantazhe të mëdha njerëzit e Kosovës që e bëjnë jetën reale në baltën dhe mjegullën e Prishtinës, ndërsa jetën e idealizuar (bashkë me ëndrrën e vjetër Shqipëri) e bëjnë në sallonet imagjinare të Tiranës, pa çka se në dalje nga ndonjë studio televizive mund t’i godasë si tokmak turinjve kundërmimi i rëndë Lanës. 
Në dukje të parë kjo është marrëzi kosovare dhe do të ishte gazmore, po mos të kishte brenda tragjizmin anekdotik, po ashtu kosovar: kosovarët, edhe sot që e kanë shtetin e tyre, patriotizmin nuk e masin me dashurinë ndaj Kosovës, por me dashurinë ndaj Shqipërisë. Kurse Shqipëria e shfrytëzon këtë gjendje anormale: shet në Kosovë arrogancë politike, arsimore, kulturore, shkencore etj., ndërsa nga Kosova kërkon nënshtrim dhe inferioritet. Disa ditë më parë, i trimëruar nga kjo rrethanë, e keni parë se si një deputet i Shqipërisë i kërkonte llogari kryeministrit të ri të Kosovës për biografinë e tij politike, në një kohë që askush në Kosovë nuk do ta bënte këtë për ndonjë deputet ose kryeministër të Shqipërisë, në ka qenë spiun i Sigurimit, i Greqisë apo i Serbisë. Tashmë e di secili në Kosovës se si mediet e Shqipërisë promovojnë disa autoritete fiktive në Prishtinë (përfshirë edhe “babanë e kombit”!) dhe përmes tyre kërkojnë ta sundojnë hapësirën politike, kulturore dhe intelektuale të Kosovës. Sekush thotë se kjo bëhet për inerci nga kohët e komunizmit, ose të Sigurimit famëkeq, por e vërteta është se deri tani promovimet e këtilla i kanë bërë dëm të madh Kosovës. Mbi të gjitha, Kosova nuk mund të bëhet protektorat mediatik i Shqipërisë, aq më pak nëse mediet e Shqipërisë nuk mësojnë pak etikë profesionale dhe të kultivojnë në masë minimale ndjenjën e respektit për Kosovën.
Për disa medie të Tiranës, Kosova vazhdon të jetë hapësirë e përshtatshme për të konstruktuar propagandë. Ja një rast, të cilit do t’ia kishte zili edhe Gebelsi. Raportit për kapjen e një serbi me 12 kilogramë eksploziv në Prishtinë, “Top News” ia shton në fund edhe këtë fjali: Nuk u konfirmua se eksplozivi i kapur nga policia kishte lidhje me vizitën e Edi Ramës në Prishtinë. Pas këtij lajmi, asnjë kosovar kokëshkretë nuk duhet të dyshojë se prapa takimeve të shpeshta të Ramës me Vuçiqin mund të fshihet ndonjë paudhësi e kryeministrit të Shqipërisë, në dëm të Kosovës.
 
2.Përdorimi politik i Kosovës
Kosova dhe Shqipëria kanë një histori të gjatë të përdorimit dhe të keqpërdorimit politik. Veçmas ka lënë shije të keqe përdorimi politik i Kosovës nga ana e Shqipërisë, që nga themelimi i shtetit shqiptar deri në ditët e sotme. Vetë akti i shpalljes së pavarësisë kishte brenda një dozë padrejtësie ndaj Kosovës. 
Kolosi i shqiptarizmës, Hasan Prishtina, mbronte idenë se Kosova mund të çlirohej vetëm nëse në Tiranë vendosej një pushtet patriotik, luajal ndaj Kosovës. Këtë iluzion ai e pagoi me kokë. Nuk ishin vetëm Ahmet Zogu dhe Enver Hoxha që e keqpërdorën Kosovën për utilitarizëm politik dhe pushtetar, por ndaj Kosovës dhe çështjes kombëtare u sollën pa konsideratë edhe një numër intelektualësh dhe krijuesish të profileve të larta. Noli, sapo erdh në pushtet, shpërndau Komitetin e Kosovës; Koliqi, pas Revolucionit të Qershorit, me gjithë shpurën e tij për katër vjet gjeti strehë në Jugosllavi; Çabej e quan kufirin e Shqipërisë kufi natyror; Shuteriqi më 1947 në Beograd e quan Elbasanin “Stara Srbija”; Camaj u martua me vajzën e kryespiunit serb. Ose një rast krejt i vonë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë më 2012 sakrifikoi bashkëpunimin e shkëlqyer që kishte me Akademinë e Kosovës, vetëm që ta ftonte në kremtimin e 40-vjetorit nënkryetarin e Akademisë Serbe, Lubisha Rakiqin, njërin nga ideatorët e “Memorandumit” famëkeq. 
Pra, politikisht, Kosova kishte nevojë për një vijë të qartë ndarjeje me Serbinë, ndërsa Shqipërisë i pengonte ky fakt. Më anë tjetër, në njëqind vjet shtet Shqipëria e kishte barrë Kosovën, madje një barrë e tillë që e tejkalonte fuqinë e saj për ta administruar. 
Por, a thua arriti ndonjëherë Kosova t’ia kthente Shqipërisë borxhin e madh të kësaj barre të rëndë dhe të nevojës për përkujdesje të vazhdueshme?
Fundja, animozitetet e sotme Shqipëri-Kosovë a mund të kenë edhe këtë prapavijë, se Shqipëria ndihet e lodhur nga një Kosovë e parritur përjetësisht? Përveç patriotizmit euforik dhe ndonjë ndihme të hershme, siç ishte ajo e Isa Boletinit, kosovarët nuk gjetën shumë raste për ta ndihmuar Shqipërinë, vetëm se nuk janë të paktë në Kosovë, ata që mendojnë se kombin dhe shtetin shqiptar e bënë lëvizjet politike dhe luftarake që u zhvilluan në Kosovë, që nga Lidhja e Prizrenit e deri më 1912. Por, mbi të gjitha, ishte mburoja e Kosovës ajo që iu bëri ballë rrebesheve të shumta mbi Shqipërinë, në mënyrë që sot Tirana me shumë diell mesdhetar, të mos kishte në përdorim popullor një gjuhë kontinentale.
Në vitet e fundit, përdorimi politik i Kosovës nga Shqipëria ka marrë domethënie tjetër. Çuditërisht, Shqipëria e këtyre viteve ka bërë një shpërndërrim situatash: mosinteresimin për Kosovën, refuzimin, madje qëndrimin konsistent për mosintegrim të ndërvetshëm të shqiptarëve në Ballkan e afishon si politikë konstruktive, me koherencë evropiane dhe ndërkombëtare. Por kosovarët nuk mund të jenë aq të paditur, sa mos ta kuptojnë se prapa tullumbaceve të këtilla politike fshihet një politikë meskine e shtetit shqiptar ndaj Kosovës, madje e mbështjellë ndonjëherë me cinizëm jo aq të hollë.
 
3.Kthimi në Beograd
Është një ambicie e kamotshme e Beogradit, që të gjejë zgjidhje për Kosovën duke bërë marrëveshje me Tiranën. Tirana, gjithashtu, e ka pasur synim të lidhet me Beogradin, duke anashkaluar Kosovën, madje, po u pa e nevojshme, edhe në dëm të Kosovës. 
Prapavija e këtyre dredhive ka qenë, është dhe do të mbetet e tejdukshme, vetëm se, njësoj si kosovarët, një pjesë e faktorit ndërkombëtar nuk e beson këtë lidhje, ose e shikon me skepsë të arsyeshme. Në planin e përgjithshëm, nuk kërkohet shumë dije politike që të kuptohet se integrimin evropian të Ballkanit kishte synim ta rivalizonte gazi rus. Tani këtë funksion duhet ta kryejë kapitali kinez, të cilit i duhet një këmbë vend për t’u futur në Europë. E zëmë se kjo është politikë e lartë dhe se neve nuk na bie hise të merremi me të, por është shumë e qartë se kthimi i Shqipërisë në Beograd po bëhet përmes Kinës dhe se Shqipëria, pasi ia jep me koncesion Kinës portin e Shëngjinit, që ia kishte premtuar Kosovës, bën plane pa Kosovën, për një hekurudhë që do të kalojë nëpër Kosovë dhe e cila do të lidhë Serbinë me Detin Adriatik. 
Kjo është politika e madhe, e cila është e hijezuar në shumë pamje, prandaj nuk del shumë e qartë. Politikë e vogël është se kryeministri i Shqipërisë, për një kohë të shkurtër, është takuar tri herë me kryeministrin e Serbisë, dy herë për “kinezeri”, një herë për patriotizëm. 
U pa qartë se Kosova nuk prishi esencën, prishi vetëm idilin e jashtëm. Shkuarja në Beograd si akt patriotik është një recidivizëm i përbashkët shqiptar-kosovar, ndoshta një nostalgji komuniste- internacionaliste. Ka të tjerë burra dhe gra, nga Kosova dhe Shqipëria, që ende e shohin ëndërr Beogradin, të gjitha këto i kam të qarta, vetëm se nuk e kam të qartë ç’i hyn në punë Edi Ramës patriotizmi, meqë ai ka rënë copash për të treguar se vjen nga një proveniencë intelektuale krejtësisht e imunizuar nga vese të tilla provinciale. Më anë tjetër, vetëm patriotë nuk mund të quhen liderët e Shqipërisë, të cilët sa herë që e panë të nevojshme, për pushtetin e tyre, e bënë shtetin paçavër, pavarësisht se ky fakt e përkeqësonte shumë pozitën e shqiptarëve kudo në botë. Dhe i turpëronte.
Në të vërtetë, unë ende nuk e kuptoj edhe një gjë tjetër, çfarë kërkojnë liderët politikë të Shqipërisë që merren me Kosovën, kujt i hyn në punë angazhimi i tyre në këtë krah? Për opinionin e brendshëm të Shqipërisë, ka kohë që Kosova nuk thotë gjë. Secili politikan i Shqipërisë, angazhimin për Kosovën e paguan me humbje votash. Që të eksportojnë përvojën e tyre politike, apo modelin e tyre të qeverisjes, edhe kjo më duket e pabesueshme. Cilën përvojë pozitive mund t’i ofrojnë ata Kosovës? Le të dalë kushdo në pikën kufitare të Morinës, le të shikojë Kosovën në njërën anë dhe Shqipërinë në anën tjetër dhe le ta thotë se kush kujt mund t’i shesë mend, rreth përvojës së bërjes së shtetit. Dhe si mund të sillen me aq arrogancë këta liderë politikë të Shqipërisë, kur vinë në Prishtinë, ndërsa për pesëmbëdhjetë vjet kanë eksportuar në Kosovë fjalamani boshe, hipokrizi patriotike, lypsa që rrinë nëpër semaforë, drogë të të gjitha llojeve dhe femra të trafikuara? Dhe zarzavate me hormone dhe pesticide.
 
4.Gjuha dhe kultura
Kjo është një pikë delikate, ku Kosova, sipas logjikës së gjërave, do të duhej të ndihej inferiore. Që në Seminarin e parë, pas luftës së vitit 1999, doli një gjuhëtar me emër i Shqipërisë dhe tha se Kosova duhej të bënte “desllavizimin e gjuhës”. Ishte një goditje e pamëshirshme në një plagë të hapur. Kosova për një kohë të gjatë i kishte jetuar të gjitha format e diskriminimit gjuhësor, përfshirë edhe segregacionin, aparteidin, së fundi edhe fashizmin gjuhësor. Asaj i duhej kohë që ta merrte veten, prandaj në një goditje të këtillë kishte mungesë mirëkuptimi dhe mirësjelljeje. Këtë mungesë bontoni gjuhësor Tirana do ta manifestojë ndaj Prishtinës përgjatë gjithë kësaj periudhe. 
Nuk është se Shqipëria ka një gjendje gjuhësore ideale dhe nuk është se njerëzit në Kosovë nuk e dinë se sistemi fonetik i shqipes së folur në Shqipërinë e Mesme është cenuar ndjeshëm nga italishtja, apo nga greqishtja në Shqipërinë e Jugut. 
Pavarësisht se standardi u krijua në rrethana politike dhe gjuhësore të pafavorshme për Kosovën, askush këndej kufirit nuk kërkoi revidimin e tij, me përjashtim të ndonjë zëri periferik. Por Tirana gjuhësore, në vend që të merrte parasysh rrethanat e reja të krijuara në Kosovë, për shkak të trysnisë së brendshme dhe ndonjë frike fiktive se mund ta humbte primatin dhe prestigjin, mori qëndrim armiqësor ndaj çdo forme të liberalizimit dhe ashpërsoi tej mase kursin dogmatik. 
Edhe barbarizmat e të folmeve toske këmbëngulet të përfshihen në fjalorët normativë, ndërsa manifestohet refuzim kategorik edhe ndaj fjalëve burimore, vetëm pse ato mund të vijnë nga gegërishtja. Më e keqja ndodh, kur Kosova perceptohet në Tiranë si armike e standardit, imazh ky që ka filluar të zëvendësojë stereotipin e mëhershëm të Kosovës primitive, e cila duhet të kolonizohet gjuhësisht nga Shqipëria, për ta civilizuar. Më anë tjetër, mbështetësit e dogmës në Shqipëri, çështjen e standardit e kanë kthyer në çështje ideologjike, madje edhe partiake, duke shtrirë disa reflektime të shëmtuara politike e kulturore edhe në Kosovë.
Kolonizimi kulturor është edhe një tjetër ide fiktive që është nisur nga Tirana në drejtim të Prishtinës. Kosova ka shumë mungesa kulturore, siç ka edhe Shqipëria mungesa kulturore, vetëm se askush në Prishtinë nuk është i gatshëm që ta zëvendësojë integrimin me protektorat, aq më pak me kolonizim. Kjo ide e marrë e Tiranës, njësoj si akomodimi në provincializëm i Prishtinës, janë faktorët kryesorë që pengojnë komunikimin më të mirë kulturor dhe krijimin e hapësirës së integruar kulturore shqiptare.
Fundja, më në fund, ka ardhur koha që t’ia themi njëri- tjetrit disa fjalë të pakëndshme, që ta çlirojmë shpirtin dhe të mos na kapë veremi.
/Express/