• |
ide | kryesore

Për një marrëveshje jo si kjo

Arkiva, Ide
ljuba.jpg



A nuk është shumë thuajse çerek shekulli që jetojmë një lloj pluralizmi, ku partitë tona të maxhorancës dhe opozitës kanë nevojë ende për ndërhyrjen e ndërkombëtarëve që të bashkëpunojnë në interes të këtij vendi- siç treguan edhe ditët e fundit? A mund ta quajmë këtë një sëmundje foshnjore të demokracisë apo mund të themi se kjo foshnjëri po zgjat tepër, prandaj kemi të bëjmë me një sëmundje, një gjë anormale? Sipas meje, kjo situatë mund të konsiderohet tashmë si sëmundje kronike, pasi, në një rreth vicioz, po na mban në një gjendje antidemokratike, e cila gjeneron, si pasojë, të tilla situata destruktive. Pse them antidemokratike? Sepse, nëse dialogu dhe bashkëpunimi midis partive është në interes të demosit shqiptar, përse atëherë nuk është demosi shqiptar që t’ua imponojë atyre hyrjen në Parlament, por të huajt? Përse opozita për të vënë në vend dinjitetin e vet nuk ka mjete brenda sistemit tonë, të ashtuquajtur demokratik, por i duhet t’u drejtohet të huajve? Këtyre pyetjeve që flasin për mungesë demokracie në vend e të tjerave rreth tyre,- si p.sh. sa duhet t’ia atribuojmë këtë sëmundje të kaluarës totalitare dhe sa duhet t’i kërkojmë rrënjët e saj në sistemin e ri që kemi ngritur- ka ardhur koha t’u jepet një përgjigje e qartë, të identifikohen mirë përgjegjësit dhe të kërkohet një zgjidhje serioze, jo si kjo e fundit.
 
***
Si parantezë më duhet të them se për konfliktualitetin midis partive në demokraci dhe faktin se ato shpenzojnë shumë energji në luftë me njëra- tjetrën, ka studime edhe në botën demokratike. Ka nga ata, madje, që thonë se më efikas sesa sistemi kompetitiv/konfliktual midis partive- siç është në përgjithësi ai perëndimor- vlen sistemi zviceran, i cili quhet sistem bashkëpunues ku, pas zgjedhjeve, zgjidhet një qeveri me ministra nga të gjitha partitë, varësisht nga përqindja e votave që ka marrë njëra apo tjetra, kurse vendimet e rëndësishme merren me referendum. 
Nuk dua me këtë rast të propozoj sistemin zviceran, sepse, me sëmundjen që kemi ne, partitë tona do ta pervertonin atë në monopartitizëm fashist, por thjesht të zgjeroj këndvështrimin e problemit. Dhe jo si ngushëllim, por për të vënë në dukje se konfliktualiteti dhe destruktiviteti ynë janë një përjashtim në raport me demokracitë që përmenda– në rastin më të mirë mund të quhen një karikaturë e tyrja. Sipas meje, një çerek shekulli destruktivitet i tillë janë jo vetëm shenjë dështimi i kësaj klase politike, por edhe një gjë e turpshme, shumë e turpshme për atë se si na bën ajo të ndihemi përpara vetes dhe përpara botës. Imagjinoni se si mund të tallet Kukani me të njohurit e vet kur bie fjala për udhëtimet e tij të shpeshta në Tiranë për këtë muhabet. Por unë do të thosha se është tregues dështimi dhe punë e turpshme jo vetëm për ne, por edhe për këta europianët që nuk rreshtin së përgatituri vizita e më the të thashë për të pajtuar politikanët tanë. Kjo histori është bërë tashmë si një serial televiziv banal, ku një herë në gjashtë muaj apo në vjet do të na vijë Fyle apo Kukan apo ku di unë e do të na pajtojnë udhëheqësit tanë. Në fakt, ka gjasa që Kukani, kur tallet me ne, u thotë miqve të tij edhe: shyqyr që ka ende kokëmushka si shqiptarët në Europë. Por, për mendimin tim, edhe Europa nuk ka të holla të tepërta për fluturime e shpenzime kësisoj të Kukanit e të tjerëve.
 
***
Që askush nuk e merr më seriozisht brenda vendit një lojë të tillë si marrëveshja e fundit, këtë e di edhe bufi, besoj se edhe Kukani. Treguesi më i qartë i kësaj është fakti se ndërkohë që njëra nga kërkesat e rezolutës mbi futjen e opozitës në Parlament ishte dekriminalizimi i tij nga deputetët e ashtuquajtur me precedentë kriminalë, atë e votuan që të gjithë kriminelët. Sikurse është shkruar tashmë në shtyp, ajo nuk është tjetër, veçse një marrëveshje për të vazhduar mosmarrëveshjen, që është si oksigjeni për këta fëmijë të rritur që kemi në krye të vendit tash njëzet vjet, pasi është e vetmja gjë që dinë të bëjnë. Prandaj, kush kërkon vërtet ndryshimin e gjërave në këtë vend, duhet të kërkojë rrugë të ndryshme nga këto që kanë mbi njëzet vjet që dështojnë. E për këtë, sikurse e thashë më sipër, duhet të identifikohen më së pari sëmundja e përgjegjësit, dhe pastaj të kërkohen “kurimet” ndryshe.
 
Mbi përgjegjësit
Sipas meje, sikurse e kam thënë edhe herë tjetër, përgjegjësia kryesore duhet kërkuar në faktin se partitë tona sillen si dy parti totalitare (ose banda të denja për nënën që i ka pjellë) në një luftë civile pa armë me njëra- tjetrën, për të vendosur kontrollin e sundimin e tyre përfundimtar në vend. Kjo fitore nënkupton vendosjen në pushtet të administratës së tyre, të gjykatave të tyre, të bizneseve të tyre, të shoqërisë civile të tyre, të mediave të tyre, të artistëve dhe shkrimtarëve të tyre etj. Për të realizuar këtë, ato bëjnë gjithçka për të forcuar pushtetin e tyre dhe për të dobësuar pushtetin e tjetrës. Dhe kjo është mënyra e tyre e të bërit politikë. Nuk dinë dhe nuk mund të bëjnë ndryshe për të ardhur apo ndenjur në pushtet, ashtu sikurse partia mëmë nuk dinte e nuk mund të bënte ndryshe për të sunduar, përveçse duke izoluar Shqipërinë dhe duke vrarë e burgosur njerëzit që nuk i ndiente tërësisht nën kontrollin e nën gjunjët e saj. 
Trashëgimia e së kaluarës është vetëm njëri faktor i kësaj sëmundjeje. Tjetri ka të bëjë me sistemin kriminal të pasurimit nëpërmjet pushtetit politik, që është instaluar këta njëzet e kusur vjet, për të cilin kam shkruar po ashtu më se një herë.
 
Mbi kurimin
Për mua ka vetëm një ilaç për të ndryshuar këtë gjendje: këto parti duhen të ridimensionohen në pushtetin e tyre. Ato nuk duhet të kenë pushtetin që kanë për të vendosur mbi administratën, gjykatat, Prokurorinë, Presidencën, biznesin, mediet, shoqërinë civile, shkrimtarët dhe artistët, e me radhë. 
Ja p.sh., në rastin konkret PD-ja u drejtohet të huajve me kërkesën që PS të heqë nga Parlamenti disa kriminelë, që deri edhe i kanë rrahur deputetët e saj. Po ashtu, ajo u kërkon atyre që maxhoranca të pranojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Po a nuk tregojnë këto se as mediat, as shoqëria civile dhe as intelektualët, shkrimtarët dhe artistët nuk kanë forcën e duhur për të denoncuar këta kriminelë dhe për të ushtruar presion që njerëz si këta të mos zgjidhen si përfaqësues të popullit? A nuk tregojnë këto se Gjykata jonë Kushtetuese nuk ka pushtetin që duhet të ketë për të imponuar vendimet e saj? Sigurisht që po. Po pse? Sepse është maxhoranca që i ka vetë në dorë ato. A mund të guxojë kush në një vend vërtet demokratik të kundërshtojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese– siç ka bërë kjo maxhorancë? Kurrsesi jo. Ashtu sikurse nuk mund të guxojë kush në një vend demokratik të akuzojë Presidentin dhe prokuroren e Përgjithshme si puçistë, siç ka bërë maxhoranca paraardhëse.
Ja që këtu, te pakësimi i pushtetit të këtyre partive, në emër të forcimit të pushtetit të institucioneve të pavarura prej tyre, sipas mendimit tim, fillon problemi dhe që këtu duhet kërkuar zgjidhja, që do të çojë, tek e fundit, në zbritjen nga pushteti të kapove të këtyre bandave dhe vendosjen në pushtet të ligjit, ndryshe të shtetit të së drejtës. “Rilindja” e Edi Ramës në këtë aspekt është një katastrofë, ashtu siç ka qenë “Shqipëria po ndryshon” e Sali Berishës, sepse kryetari i maxhorancës vazhdon të punojnë me ethe të madhe për forcimin e pushtetit të partisë së tij në kurriz të institucioneve të tjera. Dhe, sa të vazhdojë kjo gjendje, me Kukan dhe pa Kukan, nuk mund të ketë bashkëpunim e dialog të vërtetë, por vetëm luftë ose nënshtrim.
Po si mund të arrihet pakësimi i pushtetit të partive kur kjo shkon ndesh me interesat e tyre?
Së pari, besoj se kjo nuk shkon krejtësisht ndesh me interesat afatgjatë të partive, sepse nëse brenda partive nuk dalin njerëz të mençur që të shohin më larg, herët ose vonë me këtë mendësi totalitare pushteti i tyre do të vdesë, sepse ka ardhur gjithnjë e duke u delegjitimuar (ja pse një hap i rëndësishëm duhet të jetë demokratizimi i partive, në mënyrë që ato të mos kenë në krye të njëjtët njerëz që, për interesat e tyre, i ngurtësojnë gjërat në mënyrë të përjetshme). Një PD, që do të kishte nxjerrë mësime nga e kaluara dhe që, duke qenë në opozitë, e ndien peshën dhunuese të pushteteve që akumulon maxhoranca, mund të punonte për uljen e pushtetit të saj të nesërm dhe forcimin e pushteteve të pavarura prej saj, gjithë duke rritur simpatinë dhe ndikimin në vend. Por gjer më sot ajo s’po sillet kështu, por po ripërsërit gabimet e së kaluarës, duke shpresuar vetëm te dështimi i kundërshtarit– çka thjesht do të vazhdonte traditën e spirales zbritëse.
Së dyti, mendoj se, pavarësisht partive, presioni kryesor për ndryshim duhet të vijë nga shqiptarë që e kanë vuajtur dhe vazhdojnë ta vuajnë këtë spirale. Janë ata– jo perëndimorët- që duhet të imponojnë edhe marrëveshjet midis partive, nëse bëhet fjalë që fundi i këtij destruktiviteti mund të arrihet nëpërmjet një marrëveshjeje midis tyre. Vetëm ata mund të imponojnë një marrëveshje- jo si kjo e fundit- por një marrëveshje që partitë të hyjnë në Parlament të çarmatosura jo vetëm nga kriminelët që kanë vrarë apo kanë qenë në burg, por edhe nga armë të tjera që nuk duhet të jenë të tyret, si institucioni i Presidentit, gjykatat, administrata, mediet, bizneset, shoqëria civile, shkrimtarët, artistët etj. etj.
/Panorama/