• |
ide | kryesore

Drejtoresha e QSUT-së si simbol i degradimit të pushtetit

Arkiva, Ide
odeta-manastirliu-300x217 (1).jpeg



Kur një pushtet fillon të degradojë, arma e fundit që i mbetet për të luftuar është gënjeshtra. Simboli i kësaj të vërtete është bërë papritmas drejtoresha e QSUT-së, Ogerta Manastirliu (në foto). Pas ngjarjes së rëndë që ka ndodhur në qendrën spitalore që ajo drejton, në vend që të pyeste se si ish e mundur që një paciente pa ndjenja mund të molestohej seksualisht, kur është shtruar për kurim, se si është e mundur që as rojet as infermieret dhe askush nga personeli nuk kanë pikasur gjë, se si është çështja e sigurisë në spital dhe si duhet rregulluar ajo, kjo ish punonjëse e bashkisë së Edi Ramës, ka rendur tek gazetarët për të thënë se kjo ngjarje kish ndodhur në kohën e pushtetit të kaluar. Ka rrëfyer para kamerave edhe mjediset e rilindura të pavionit, si një provë të alibisë së saj (shiko rubriken lajme/lapsi.al). Dhe si për ta bërë ngjarjen më të besueshme ka mbajtur si dëshmitar, një zdap goxha të gjatë, vetë ministrin e shëndetësisë, i cili miratonte në heshtje ato që thoshte drejtoresha.

Por, gënjeshtra nuk zgjati as 24 orë. Dëshmitë në polici të vetë të dëmtuarës dhe më tej të personit të parë të ndaluar, po hedhin dritë mbi një të vërtetë tjetër. Ngjarja ka ndodhur në shkurt të vitit 2014, pra në një kohë kur pushteti qëndror ish instaluar prej muajsh, kur ministria e shëndetit të rilindjes ishte vënë në punë, dhe kur vetë Manastirliu kishte shkulur kioska e kish mbjellur pemë para spitalit, pa pasur fare haberin se çfarë ndodhte brenda mureve të tij.

Natyrisht që një drejtuese e një qendre aq të madhe, as nuk pretendohet të dijë në çdo çast dhe në çdo moment, atë që ndodh, në teritorin e administruar prej saj, por ajo që e bën më të rëndë fajin e Ogerta Manastirliut, nuk është fakti se asaj i ndodhi kjo ngjarje e rëndë, por, fakti se ajo u përpoq ta manipulojë të vërtetën. Në vend që të përpiqej t’i shërbente institucionit që drejton me transparencë, ajo tregoi se ka aderuar në virusin që po prek pushtetin gjithnjë e më shumë: “nëse arrin ta fshehësh, skandali nuk ka ndodhur”. Vetëm rënia pre e kësaj mendësie do të qe e mjaftë që sot, Ogerta Manastirliut t’i kërkohej dorëheqja.

Sepse po të shkohej më larg, do të qe edhe më rëndë. Shumë gazetarë realisht të pavarur në këtë vend, që pas ngjarjeve të tmershme si Gërdeci apo 21 janari (krahasimi me to është shumë i shproporcionuar megjithëse parimi mbetet i njëjtë) kanë bërë të tyrin një parim. Nëse një pushtetar fillon të gënjejë apo të shpërndajë alibi për një krim, ai duhet parë si i dyshuar edhe në mungesë të fakteve që e implikojnë drejtpërdrejt. Nëse ky kut dhe kjo masë do të përdoreshin për të gjykuar drejtoreshën  e QSUT-së dhe ministrin e stërgjatë që i qëndronte në krah, mbi ta mund të ngriheshin shumë pikpyetje që fillonin me tenderat për sigurinë e spitalit e deri tek përzgjedhja partiake e personelit. Pas alibisë të tyre mund të tentohej të kërkoheshin arsyet për të cilat ata kanë gënjyer dhe atë që donin të fshihnin realisht. Por edhe nëse me dashamirësi nuk do të shkohej deri këtu, përsëri përpjekja e tyre është e ulët dhe ndyrë. Sepse ajo është simboli i një pushteti që nuk ka më fuqi t’i ndryshojë gjërat, dhe prandaj rend pas armës së fundit që i ka mbetur në dorë: manipulimit dritëshkurtër të së vërtetës.     /lapsi.al/