• |
ide | kryesore

A do bëjë Edi Rama selfie nga rruga e Kavajës

Arkiva, Ide
rama selfie.jpg



Krismat tek rruga e Kavajës duket se e kanë ndaluar kryeminsitrin Rama të bëjë selfie-n e radhës për ditën e sotme. Kryeministri gazmor, në fakt i vetmi entuziast në këto kohë të vështira, nuk ka bërë asnjë koment për ngjarjen e rëndë në mes të kryeqytetit, ku një person mbeti i vrarë dhe dy të tjerë të plagosur, përfshi edhe një punonjës policie.
Gjendja skandaloze e rendit publik, ku persona me precedentë penalë lëvizin lirshëm të armatosur në Tiranë, madje bashkëpunojnë edhe me policinë, ka shkaktuar në pak kohë një numër të konsiderueshëm viktimash dhe ka mbjellë terror tek qytetarët. Nuk ka asnjë dyshim dhe asnjë naiv të besojë se raste si ai Kostandin Xhuvanit apo përleshjet mafioze të së hënës mbrëma janë një rastësi. Ato janë pasojë e një çthurje totale të forcave të rendit, ku elementë të inkriminuar kanë depërtuar në struktura drejtuese dhe ku drejtues të policisë bashkëpunojnë me kriminelë. Nuk shpjegohet ndryshe, që figura të njohura të krimit lëvizin të armatosur deri në dhëmbë, më kallashnikovë e pistoleta, me makina me targa të fallsifikuara apo me bagazhet e mbushura me drogë.
Policia nuk i kontrollon këta individë. Ajo mjaftohet duke masturbuar kapriçot e kryeministrit që i mbushi burgjet me fukarenj që nuk paguajnë dritat, me kontrollorë rrugësh e inxhinierë, me hallexhinj që kanë vënë ndonjë tendë pa leje, ndërkohë që kriminelët jo vetëm lëvizin lirisht, por ndërtimet e tyre nuk guxon t'i prekë kush. Policia ka muaj që bën sherr me bashkinë për parkimet anës bulevardit apo me qytetarët për gjoba ekstreme, ndërkohë që para hundës i kalojnë banditët që terrorizojnë çdo ditë qytetin. Dhe si për t'i vënë kapak kësaj situate perverse, shfaqet vetë kryeministri që bën gallatë nga mëngjesi deri në darkë, herë më fakirët që u shpërndan tapi apo lëmoshë ekonomike, herë me gjithë shqiptarët duke luajtur "kush bën poza më të bukura".
Kryeministri duhet të bënte një video selfie edhe sot, bashkë me ministrin Tahiri, tek rruga e Kavajës, për të treguar gëzhojat e plumbave dhe gjakun që shokuan dje banorët përreth. Një shteti ku krimi vret përditë, ku rendi është i kërcënuar, i paaftë të mbrojë e të shpëtojë qytetarët e tij, nuk i ka hije një kryeministër që zgërdhihet nga mëngjesi deri në darkë. Dy përleshje të mëdha me armë, një në qendër të qytetit e tjetra në periferi, një masakër e ndodhur pak kohë më parë me katër viktima, një bankier i fuqishëm i ekzekutuar, do të mjaftonin që jo ministri por edhe vetë kryeministri, në mos të dorëhiqeshin, të paktën të ndiheshin të përulur dhe jo të mburreshin pa pikë turpi. Por jo kryeminisri e ministri, por as drejtori i policisë nuk mendon të japë dorëheqjen si shenjë ndjese ndaj qytetarëve. Do kalojnë disa ditë dhe kryeministri do t'i këpusë prapë ndonjë selfie, do të qeshë me veten, do tregojë sa keq ka qenë Shqipëria me Sali Berishën dhe do të mburrë qeverisjen e tij.
Një qeverisje, që çdo ditë e më shumë po nxjerr zbuluar atë që dyshohej që në fillim. Sepse zhurma e aksioneve të INUK, britmat për burg apo selfie-t e kryeministrit nuk mund të mbulojnë dot paaftësinë dhe kompromentimin e qeverisë. Herët ose vonë ato shihen nga qytetarët. (lapsi.al)