• |
ide | kryesore

Edi Rama nuk është “nona”

Arkiva, Ide
Besart-Kadia.jpg
Në ditën e ndërrimit të viteve, gjersa të tërë shkëmbenin mesazhe urimi për Vitin e Ri, kryeministri Rama ndau me kënaqësi informacionin se të rinjtë e quajnë NONA. Duke qenë se ai nuk e dinte kuptimin e kësaj fjale, duhet theksuar se nona është me të vërtetë trendi, por nga ana tjetër kurrsesi se përdoret për sjellje të përgjegjshme, çka pritet nga një kryeministër në kohë krize ekonomike.
E para, paralizimi që pati debati publik para zgjedhjeve se taksa progresive ishte diçka pozitive që do të mposhte pabarazinë ekonomike në vend po rezulton jo e saktë, siç u parashikua dhe nga autori i këtyre radhëve. Varfëria në vendet në zhvillim si Shqipëria mundet të arrihen vetëm nga rritja ekonomike në nivele mbi 4% në vit, ndërkohë që parashikimi për vitin që lamë pas dhe ky vit i ri parashikohet të jetë më i ulët. Nga ana tjetër, sipas statistikave të INSTAT-it, papunësia në vend është rritur në 18% nga 13% që ishte dy vite më parë. Biznesi gjithashtu, si vendas dhe ai i huaj, ka shprehur rezerva për nivelin e lartë të taksave duke e bërë ekonominë tonë më pak konkurruese. Kjo përkthehet në më pak investime të huaja direkte që kufizon më tej rritjen ekonomike. Të dhënat tregojnë se investimet e huaja direkte janë 117 milionë euro më pak nga viti i shkuar, duke dëmtuar ekonominë tonë akoma më shumë. Biznesi nga ana tjetër thotë se qeveria nuk është “nona”, përkundrazi anëtarët e Dhomës Amerikane po shohin mundësitë për t’u larguar nga Shqipëria, sipas Presidentit të saj, Mark Crawford. Ndryshimet e shpeshta të taksave në fakt po i çorientojnë bizneset dhe po u rritin kostot në mënyrë të panevojshme.
Së dyti, qeveria me nënshkrimin e marrëveshjes me FMN-në ka rënë dakord për uljen e borxhit publik, që do të thotë praktikisht ulje e shpenzimeve qeveritare në mënyrë konstante për tri vitet e ardhshme, ose në kushtet e një ekonomie të dobët, rritje në mënyrë konstante të taksave. Kjo u vu re në buxhetin e vitit 2014 dhe 2015 dhe nuk duhet të surprizojë askënd kur e njëjta gjë të ndodhë dhe në buxhetin e vitit 2016. Kjo do të jetë periudhë e taksave të larta dhe shpenzimeve të ulëta qeveritare. Bizneset që kanë kryer investime publike gjithashtu mendojnë se kryeministri i 2014 nuk ishte “nona’ për ta, pasi Ministria e Financave ka shlyer vetëm 8.7 miliardë lekë nga 14 miliardë të parashikuara, ose 37% më pak nga vetë plani i saj. Gjithashtu duhet theksuar se shlyerja e detyrimeve të prapambetura që parashikohet të përfundojnë në vitin 2016, nuk do të kenë efekt në rritjen ekonomike.
Është një gabim i bërë shpesh nga shumë qeveritarë se shlyerja e detyrimeve do të çojë në rritje ekonomike. Kjo për dy arsye kryesore: së pari, këto firma tashmë i kanë ndërtuar rrugët apo punimet publike vite më parë, duke e dhënë në këtë mënyrë efektin pozitiv në ekonomi, së dyti, janë 100 firma të cilat presin që në tri vite të shlyhen me 220 milionë dollarë, ose çdo firmë me mesatarisht 740 mijë dollarë në vit. Kjo do të ketë një impakt të përkohshëm në ekonomi, i cili nuk çon detyrimisht në rritje të ekonomisë apo dhe të kreditimit. Fakti është se në vitin 2014, pavarësisht shlyerjes së këtyre bizneseve, kemi një rritje të kredive të këqija në 24,89% dhe mungesë të rritjes së kreditimit. Së fundi, shlyerja e detyrimeve të prapambetura do të ishte bërë nga çdo qeveri, pasi ato janë detyrime kontraktuale dhe jo politika ekonomike. Asgjë s’të bën “nona”, as këtu.
Së treti, kryeministri Rama do të ishte “nona” në qoftë se do të ulte çmimin e energjisë elektrike si dhe moshën e daljes në pension, dhe jo ta rriste atë. Në tërë situatën e vështirë ekonomike do të ishte me shumë interes gjithashtu të dinim se kush janë këshilltarët ekonomikë të qeverisë, se kush është përgjegjës për mungesën e investimeve kapitale në ekonomi me 15% dhe si do të financohen bashkitë e reja kur të hyjë në fuqi ligji i reformës territoriale.
Për t’iu rikthyer fjalës “nona”, duhet thënë se është një term parazit i gjuhës shqipe pa ndonjë domethënie konkrete. “Selfie-mania” e kryeministrit Rama është “nona”, por në kohën kur kriza ekonomike ka prekur ekonominë shqiptare, kryeministri Rama mundet të na i kursente vlerësimin “nona” për vete dhe të tregohej e sillej pak më shumë si “gjyshe” që i do dhe mundohet t’i ndihmojë fëmijët e saj të gjithë njësoj.
/mapo/


Kthehu