• |
ide | kryesore

Kulla e Korçës dhe kopaçet e kryeministrit*

Arkiva, Ide
kallamata.jpg



Kur ndodhen përpara kamerës njerëzit e përmbledhin veten dhe përpiqen të paraqiten sa më të denjë. Nëse iu kërkohet të flasin, mundohen të thonë diçka me vlerë. Në rastin e politikanëve, përgjegjësia shumëfishohet, pasi dalja përpara kamerave ka të bëjë me karrierën e tyre, me punën e përditshme. Logjikisht, sa më lart politikani, aq më e madhe përgjegjësia dhe aq më të mençura priten komentet përpara kamerave. Kjo punë shkon shkallë- shkallë deri te kryepolitikani, në rastin tonë Kryeministri. Kushdo pret që Kryeministri të thotë gjëra me vlerë, diçka të veçantë, të pjekur– të menduar mirë dhe të formuluar bukur. Këtë po prisja edhe unë kur po shihja në Youtube kronikën e “Ora News” (19 Dhjetor 2014) për vizitën e Edi Ramës në Korçë dhe çastin kur, pasi kishte vizituar dy-tri pika ndërtimi, arriti përpara objektit më të diskutuar kohët e fundit, Kullës Pa Emër. Kryeministri u ndal, përqendroi sytë në një pikë të papërcaktuar midis kamerës dhe qiellit pafund, i dha fytyrës shprehjen më të mençur të mundshme, mori frymë thellë dhe u bë gati të lëshonte verdiktin e tij. Ndërkohë, ata që e shoqëronin – Kryetari i Bashkisë së Korçës dhe ca të tjerë që s’dua t’i paragjykoj, u bënë gati të dëgjonin. Dy-tre prej tyre krijuan ca buzëqeshje tinëzare, ose për të treguar që ishin në gjendje të parashikonin se Edi do thoshte ndonjë gjë të fortë, ose si parapërgatitje për gazin e madh që do të shpërthente nga batuta e fortë.  Dhe Kryeministri e lëshoi: “Besoj se të gjithë ata që e kanë sharë kullën e re të Korçës, duhet të vijnë e ta përdorin si një vend për të shëruar shpirtin e tyre nga gjurmët e tmerrshme të estetikës sovjetike”. Kaq. As më shumë, as më pak. Gjithë ai Kryeministër, dy metra i gjatë, me pantallona bojë qielli dhe xhaketë të zezë; me profesion piktor, me hobi estet arti, me përvojë disavjeçare në ndërtime dhe leje ndërtimesh, kishte vetëm këtë fjali për të thënë në mbrojtje të një objekti që është konsideruar nga specialistët si ndër më të shëmtuarit të ngritur në Shqipëri këto 100 vjetët e fundit.
Mua më erdhi veçanërisht keq për ata të shkretët aty rrotull, që prisnin diçka më tepër dhe që iu shkoi buzëqeshja dëm. Nuk arritën as ta kalonin në qeshje të hapur pasi, megjithë dëshirën e tyre, nuk gjetën pikën e humorit në atë batutë, dhe as të ktheheshin në pamjen e intelektualit të menduar, sepse thënia nuk kishte asgjë intelektuale dhe asnjë mendim. Vetë shprehja e fytyrës së tyre tregonte qartë sa për të dëshiruar linte komenti i Kryeministrit.
Kulla që po ngrihet në Korçë është një objekt estetikisht i shëmtuar dhe me funksion të dyshimtë. Shqetësimin për të e shprehën fillimisht vetë qytetarët e Korçës dhe, më vonë, edhe specialistë– kryesisht arkitektë. Si njeri që e kam ndjekur nga pranë diskutimin më ka bërë përshtypje se, ndërsa Kulla sulmohet si objekt i shëmtuar, që dëmton pamjen e një prej shesheve kryesore të qytetit, ata që i dalin në mbrojtje nuk përdorin argumente estetike. Prandaj prisja me shumë kureshtje që këtë ta bënte ish-piktori dhe ish-kritiku i artit, Edi Rama. Në vend të kësaj, ajo fjali për të qarë hallin.
Unë jam një nga ata që e kam kritikuar, dhe jo “sharë“ siç thotë Rama, Kullën. Sepse kulla është objekt dhe nuk shahet. Nuk i thuhet Kullës “o idiot!”, as “o kafshë“, as “ të dhjefsha turinjtë”, e as ndonjë sharje tjetër me nënë. Për Kullën thuhet që është objekt i shëmtuar, dhe me këtë nuk nënkuptohet fyerje për objektin, sepse objekti as nuk fyhet dhe as nuk ndjehet krenar, por vlerësim, ose mungesë vlerësimi për projektuesit e tij, dhe ata që kanë vendosur, për arsyet e tyre jashtë estetike, që ta ngrenë në mes të qytetit.
Megjithatë, po e pranoj që Rama ka dashur të thotë “ata që e kanë kritikuar” kullën, po s’ka gjetur fjalën e duhur. Por ajo që pason në të njëjtën fjali, është edhe më befasuese: “…duhet të vijnë e ta përdorin…”. Hm, ta përdorim? Po si ta përdorim? Si përdoret një kullë? Si përdoret Kulla e Shëmtuar Pa Emër e Korçës? Unë di që projekti ka një palë shkallë që të çojnë në një si verandë lart, ku mund të ketë ose mund të mos ketë një kafene të vogël, shumë të vogël – një si biçim kioske. Nuk di nëse do të ketë nevojtore. Sepse vetëm nevojtorja mund të përdorej në këtë rast. Ndërsa ngjitja dhe zbritja e shkallëve nuk më duket ndonjë përdorim kushedi se çfarë.
Ndoshta Rama sugjeron që ta përdorim si Kullë Vrojtimi. Në këtë rast do të ishte e udhës të na jepte udhëzime se çfarë duhet të vrojtojmë dhe se si vrojtimi nga ajo kullë do të na vlejë për t’u shëruar. Sepse fjalia e Ramës në mbrojtje të Kullës zbret intelektualisht në pikën më të ulët në pjesën përmbyllëse të saj: “… për të shëruar shpirtin e tyre nga gjurmët e tmerrshme të estetikës sovjetike”. Unë jam i bindur që Edi, po të përpiqet, është në gjendje të thotë gjëra më të mençura kaq. Përndryshe, vaj medet për atë kullë.
Pa marrë mundimin t’i dalë intelektualisht, estetikisht, politikisht, ose në ndonjë dimension tjetër në mbrojtje të atij objekti të shëmtuar, Kryeministri zgjodhi atë rrugën e kollajshme, të rrahur e të stër-rrahur nga shumë të tjerë para tij, që t’i shpallë apriori armiq ideologjikë të gjithë ata që kritikojnë ato që bën ai apo njerëzit rrotull tij. Në këtë rast duke i akuzuar si pro-sovjetikë.
Përse pikërisht pro-sovjetikë? Mund të kishte thënë fare mirë “gjurmët e tmerrshme të estetikës komuniste”. Por jo, sepse në këtë rast do të binte ndesh me falangjet e enveristëve që po grumbullon gjithmonë e më shumë rreth vetes. Prandaj zgjodhi fjalën “sovjetike” – duke i akuzuar kritikët njëkohësisht edhe për estetikë komunistë, edhe për estetikë anti-marksiste leniniste. Me një gur vret dy zogj, na shpall ne edhe armiq të partisë, edhe armiq të demokracisë; edhe armiq të brendshëm, edhe të jashtëm.
Edhe politikisht qëndrimi i Edi Ramës është për t’u ardhur keq. Si një ndër ata që e kanë kritikuar kullën në shtyp, unë e kam bërë këtë thjesht për të parandaluar shëmtimin e qytetit të Korçës dhe pa asnjë paragjykim politik. Unë, dhe besoj se si unë edhe gjithë të tjerët, jam nisur nga dëshira për të ndihmuar, dhe as më ka shkuar ndërmend ta bëj këtë për të sulmuar Partinë Socialiste, sukseset dhe zotimet e saj. Prandaj është krejt pa kuptim që Edi Rama na vendos në anën e kundërt të barrikadës dhe na bën armiq me zor. Ne s’kemi asnjë qëllim, asnjë dëshirë, dhe asnjë interes që të rreshtohemi në këtë apo në atë krah të politikës në Shqipëri. Ne i përkasim krahut të neutralëve. Në çdo vend të botës politikanët përpiqen t’i marrin më të mirë dhe t’i fitojnë “neutralët” dhe jo të konfrontohen me ta. Por si duket, politikanët e tipit të Edi Ramës s’dinë të bëjnë politikë ndryshe.
Sinqerisht, nga Rama prisja pak më tepër mendim, më tepër klas.
Titulli i lapsi.al. Titulli i autorit: "Vaj me medet për atë kullë…"