• |
ide | kryesore

Edi Rama ka gjetur shesh të bëjë përshesh

Arkiva, Ide
mandi.jpg



Një varg ngjarjesh të rënda kanë tronditur opinionin në Shqipëri, por edhe më i rëndë ka qenë qëndrimi arrogant ndaj tyre. Asnjë marrje përgjegjësie nga zyrtarët dhe qeveritarët, asnjë dorëheqje, asnjë ndjesë publike. Përkundrazi, mospërfillje ndaj publikut, akuza për kundërshtaerët e madje kërcënime me burg për ata që ngrenë zërin dhe kërkojnë të drejtën e tyre.

Rastet fatkeqësisht kanë qenë të shumta. Dy vetëvrasje në burg, njëra prej të cilave e provokuar nga shkelja flagrante e ligjit dhe antihumanizmi. Dy marinarë të moshuar të anijes Iliria që humbën jetën për të shpëtuar pasagjerët e tragetit grek, me të cilët shteti lau duart sepse nuk ishin pjesë e strukturave të tij. Dy trupa peshkatarësh pa jetë dhe dy të tjerë të humbur në det, për të cilët askush nuk ka thënë një fjalë. Disa aksidente tragjike, të shkaktuara pjesërisht edhe nga papërgjeshmëria e autoriteteve që kontrollojnë ndërhyrjet në infrastrukturë. Një video skandal që nxjerr zbuluar gjendjen e pasigurisë dhe mjerimit në spitalet shqiptare. Një përleshje me armë në qendër të Tiranës ala siçiliana, me gjak, të vrarë e të plagosur dhe të dyshuar që ikin në drejtim të paditur apo lirohen për mungesë provash. Ka dhe shumë të tjera, por problemi nuk është thjesht me shkaqet që çojnë në këto ngjarje. Problemi është me qëndrimin arrogant që mbahet ndaj tyre.

Pas një viti e gjysëm në pushtet, arroganca e Edi Ramës mund të thuhet se u është përcjellë me sukses të gjitha strukturave poshtë tij. Nuk mund të shpjegohet ndryshe se si ka mundësi që për dy vetëvrasje rresht në burg, ku presupozohet të jetë siguria më e lartë, nuk jep dorëheqjen jo ministri, jo drejtori i përgjithshëm, por as drejtori i njësisë ku kanë ndodhur vdekjet. Thjesht nuk duan t’ia dinë për ndjenjat e qyetarëve dhe janë të sigurtë se kanë kryeministrin e gjatë që u bën hije mbi krye. Nuk jep dorëheqjen jo se jo drejtoresha e spitalit, as kur i ndodh skandali as kur gënjen me zë dhe figurë, sepse mendon se e hedh lumin duke bërë si kryeministri: akuzon Berishën. Futen në burg inxhinierë dhe ndërtues të njohur sikur të jenë lecka dhe nuk jep dorëheqjen asnjë drejtor për gjendjen vdekjeprurëse të rrugëve. Arrestohen fukarenj që kanë ngritur ndonjë tendë pa leje dhe nuk mban përgjegjësi askush për tolerimin që po u bëhet njerëzve të afërt me qeverinë. Shembujt e arrogancës nuk mbarojnë…

Eshtë e qartë se kur vetë kryeministri nuk shfaq minumin e një ndjenje përulësie apo ndjese, por përkundrazi akuzon, tallet apo argëtohet në mesin e këtyre skandaleve, nuk mund të presësh diçka tjetër nga vartësit e tij. Pyetja shtrohet se nga buron gjithë kjo sjellje e papërgjegjshme, ky trajtim i shqiptarëve sikur të jenë qënie inferiore, kjo tallje me ta dhe kjo nëpërkëmbje e tyre. Mund të jetë arroganca e 1 milion votave, mund të jetë siguria e numrave në parlament, mund të jetë opozita ende e trullosur, por me siguri që ka edhe një arsye tjetër. Më të madhe dhe që e bën Edi Ramën të ndihet i sigurtë në sjelljen e tij.

Kjo arsye ka të bëjë me reagimin e dobët, inekzistent e gati qaraman të shqiptarëve ndaj padrejtësive dhe abuzimit që bëhet me ta. Edi Ramës nuk i pëlqejnë vetëm fotografitë e Enverit, por edhe filozofia e tij që bazohet tek frika e kërcënimit me burg dhe kompensimi me ndëshkimin e “armikut” në emër të popullit. Kryeminstri, si në asnjë vend tjetër demokratik në botë, ka shpallur fushata arrestimesh e ndëshkimesh dhe qytetarët i kanë pranuar ato kokëulur, ndonëse janë në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën. Kanë frikë të ngrenë zërin dhe të kundërshtojnë. Ndoshta Rama beson tek thënia se “shqiptarit duhet t’i bësh nënën që të të thotë baba” dhe po e provon në praktikë. Dhe nuk ka si mos të bëhet çdo ditë e më shumë arrogant kur sheh se si u shkel e u shemb pronat njerëzve dhe askush nuk ngrihet për ta kundërshtuar. Kur sheh familjarët e viktimës që u vetëvra në burg për lidhje të paligjshme të energjisë, që qajnë para kamerave dhe nuk i zënë rrugën kur del nga vila e tij në Surrel. Kur ngre taksat dhe gjobat dhe qytetarët nuk bllokojnë rrugët me makinat e tyre. Kur, po ashtu si Enver Hoxha, shemb e ndërton me vullnetin e tij qendrat e qyteteve dhe njerëzit si pulat ulin kokën dhe pranojnë tekat e kryeministrit. E pranoi edhe Korça, ashtu si dikur Hoxhën që u shkatërroi kishën e vjetër, edhe Edi Ramën që u ngriti një palo kullë për t’u tallur me ta, dhe nuk del asnjë ta hedhë në erë natën si një turp publik që i bëhet qytetit. Si mos bëhet arrogant një kryeministër që fyen hapur duke u shpërndarë tapitë ca fukarenjve dhe nuk ka asnjë burrë që të paktën, jo me këpucë si Xhorxh Bushit, por me ndonjë kokërr domate apo vezë t’i tregojë se ku e ka kufirin. Në asnjë vend tjetër të qytetëruar një kryeministër nuk mund të gjente këtë shesh për të bërë përshesh.

Edi Rama e ka kuptuar mungesën e reagimit qytetar në këtë vend, prandaj edhe nuk e fsheh më arrogancën. Bën selfie, ndërkohë që të pafajshëm vuajnë në burg. Bën gallatë, ndërkohë që njerëzit vuajnë varfërinë dhe taksat e larta. Tregon papagallin kur duhet të tregojë përgjegjësit për ata që humbin jetën në burg, në rrugë apo në det. Dhe pas kësaj a duhet kërkuar përgjegjësi dhe reagim dinjitoz nga ministrat apo drejtorët e tij? Jo, sepse ata kanë model kryeministrin dhe nuk kanë ndjenjë llogarie ndaj qytetarëve. Ky model shpjegon gjithë arrogancën me të cilën u përcollën e po përcillen ngjarjet e rënda që tronditën këto ditë shqiptarët. E njëkohësisht nxjerr në pah edhe nënshtrimin si gjenerues të kësaj arrogance.

/mapo/