• |
ide | kryesore

Donald Lu shkeli në Tiranë me këmbën e majtë

Arkiva, Ide
Andi_Bushati (1)_22.jpg



Ambasadori Donald Lu ka hyrë në Shqipëri më këmbën e majtë. Që në prezantimin e parë ai me gjasë se do të përsërisë “traditën” më të keqe të paraardhësve të vet, duke u përpjekur t’i ngjajë më shumë një personazhi të showbizit, sesa një diplomati diskret. Vetëm në pak ditë, ambasada e ShBA-ve në Tiranë ka shpërndarë dy videoregjistrime dhe një set fotosh, ku Donald Lu, përshëndetet me shqiptarët. Ajo që të bën më shumë përshtypje në të gjithë këtë aksion është se ai ngjan më shumë me strategjinë e marketimit të mbërritjes së një rockstari. Fillimisht një video nga Ushingtoni, pastaj publikimi tejet jo normal i fotove të backstage, se si u realizua ky filmim, e më pas një video e dytë e mbërritjes në Rinas, ku po të shikosh montazhin dhe muzikën e kë të vështirë të besosh se në tokën shqiptare ka mbëritur thjesht një ambassador.

Të dielën, ende pa shkelur në Rinas Donald Lu, Lapsi.al i kushtoi një shkrim të gjatë (në rubrikën lajme) kësaj hyrjeje të ekzagjeruar në skenë. Jo se në këtë mënyrë startimi ka ndonjë faj apo ndonjë mëkat. Por thjeshtë për të fshikulluar një mendësi, që shpesh i bën diplomatët e huaj në këtë vend të kalojnë caqet e kostumit të tyre të erët.

Donald Lu duhet ta dijë se sapo të vërë këmbën në Tiranë do të jenë të shumtë qeveritarët që do të shkojnë të falen tek ai se si ti ndërtojnë politikat e tyre, si të sillen në rajon, si t ‘a luftojnë kundërshtarin e kështu me radhë. Nuk do të mungojnë as ata që do ti bëjnë vizitë, për të spiunuar shefin e tyre, për të dhënë informacion për aferat korruptive dhe lidhjet e dyshimta. Kabllogramet e zbardhura të “Wikiliksit” na e kanë dëshmuar në mënyrë të shëmtuar edhe këtë mëkat të pashërueshëm shqiptar, që nga koha e Ekrem bej Vlorës e deri më sot.

Donald Lu duhet ta dijë se menjëherë, sapo të ulet në zyrën e tij, do ti’a behin aty opozitarët për t’i treguar për mëkatet e pushtetit, për të spiunuar radikalizmin e më të ashpërve ndërmjet tyre, për t’iu lutur që të dalin në publik për një kafe me të, e kështu me radhë.

Donald Lu duhet ta dijë, se në portën e tij do të trokasin shoqatat feministe dhe ato të homoseksualëve, paraplegjikët dhe minatorët e pushuar nga puna, për të ngritur një problem apo për të zgjidhur një hall.

Donald Lu duhet ta dijë se tek ai do t’ia behin këngëtarë në krizë që do ta ftojnë në koncertet e tyre, vajaza shalëgjata që janë të gatshme për cdo akrobaci, vetëm e vetëm që të kapin një foto në rubrikën paparazzi dhe moderatorë spektaklesh që nuk kërkojnë audiencë (absolutisht një diplomat i SHBA-ve nuk përbën audiencë televizive), por që kërkojnë të demonstrojnë pushtet.

Por, pamvarësisht të gjitha këtyre, Donald Lu duhet ta kuptojë (sa më shpejt aq më mirë për të) se të gjithë këta “servilë” që do ti sillen rrotull, nuk e kanë se vlersojnë atë personalisht. As se kanë ndonjë dashuri të veçantë për tokën e lirive nga ai vjen. Miti i dashurisë shqiptare për Amerikën është një mit i ekzagjeruar. Mjafton episodi i zemëratës popullore kundër mundësisë së ardhjes së armëve kimike të Sirisë, për të treguar se nga këto anë, “tokën e premtuar”, nuk e dashurojnë me çdo çmim.  Pra Donald Lu duhet ta kuptojë se të gjithë ata që do ti vijnë nga pas e do ti trokasin në derë, nuk e bëjnë këtë nga ndonjë qëllim sublim, por thjeshtë nga një kompleks i hershëm i elitave shqiptare, për tu shfaqur përkrah më të fortit. E kanë bërë këtë me ministrat e Austro-Hungarisë e Italisë, menjëherë sapo u themelua shteti shqiptar, e kanë bërë më mëkëmbësin e Viktor Emanuelit dhe e kanë ripërsëritur edhe në komunizëm, me ambasadorët jugosllavë, sovjetikë dhe kineze. Ky demostrim virtual force është një sëmundje këtej nga ne.

Po atëherë përballë kësaj trysnie dhe kësaj joshjeje, që vjen nga vetë ne shqiptarët, nga politikanët tanë servilë, nga mediat tona që e ndjekin me mikrofonë nga pas edhe për deklaratën më absurde, nga drejtuesit lokalë që e ftojnë për të bërë qytetar nderi, nga presidentët e futbollit që e thërrasin të shohë përktah tyre një ndeshje të skuadrës në stadium, si duhet të sillet një diplomat amerikan?

Eksprerienca çerekshekullore ka dëshmuar deri më tani dy modele të të ardhurve nga Uashingtoni në Tiranë. Atë të diplomatëve seriozë dhe diskretë që më tepër sesa me shfaqen kanë lënë gjurmë më thelbin në këtë vend. I tillë ishte Joseph Lake, kryediplomati i parë që guxoi të shkelë në selinë e Partisë Socialiste (1995) duke i dhënë fund një ndarjeje mes shqiptarëve. I tillë ishtë Robert Frouik (1999), diplomati i vjetër i karrierës, i cili normalizoi mardhëniet me Berishën, ariti ta kthejë atë në parlament dhe e bindi të japë për herë të parë dëshminë e shumëdiskutuar për mënyrën e vrasjes së Azem Hajdarit. Nga kjo linjë nuk bën përjashtim as James F Jefrey (1999) që ashtu si pasardhësia e tij Marci Rise (2003) ruajtën një profil të ulët e serioz,  pa rënë nën presionin e Kasandrave lokale.

Të një linje tjetër, pompoze, plot zhurmë dhe fanfarë, plot angazhim dhe çarje është ajo e një grupi tjetër diplomatësh amerikanë. Ai fillon me William Ryerson, klientin e pashmangshëm të mitingjeve të PD-së 1992; me Mariza Linon me kostum ushtarak (1997) e cila mbeti e famshme me shprehjen e përcjellies që i bëri ish kryeministri Majko: “na erdhi beqare po e martuam me Shqipërinë”; me Joseph Limprehtin që erdhi i martuar po u bë atraksioni i grave libertine të Tiranës dhe mbështetësi i New Word Telecom dhe gjithashtu me dyshen e fundit Uidhers- Arvizu e cila mbeti peng i profilit të dytë.

Ky profil është ai që nuk i shpëton dot joshjes së lakejve, servilizmit, gjithpushtetshmërisë, vanitetit për të vendosur ministra apo për të ndryshuar fatin financiar të një biznesi. Të rrethuar shpesh nga provincialë ata marrin papritmas trajtat e një shpëtimtari dhe vuajnë gjitnjë e më shumë nga sindroma e njohur e Laurencit të Arabisë. Këta diplomatë fillojnë të bëhen palë në lojën politike, por kjo nuk u mjafton. Ata fillojnë të shfaqen gjithnjë e më shumë në TV, të japin mendime për gjithçka dhe të kundërtën e saj, të marrin pjesë në evenimente të mediatizuara deri sa përfundojnë në perzonazhe të kronikës rozë.

Natyrisht ky lloj profili, nuk i përshtatet aspak petkut fillestar të misionit të tyre, atij të diplomatit. Duke vepruar kështu ata rënojnë edhe më shumë imazhin e tokës së lirisë tek njerzit, bëhen përçarës mes shqiptarëve dhe mbi të gjitha bëhen qesharakë për sytë e atyre pak njerzve që i çmojnë realisht vlerat e Amerikës në këtë vend.

Midis këtyre dy modeleve po zbarkon sot në Shqipëri ambasadori i dhjetë i SHBA-së që pas rënies së komunizmit, Donald Lu. Mënyra se si ai u prezantua me shqiptarët, u duk më e afërt me këtë linjë të dytë. Videot dhe fotot që shpërndau i ngjanin më tepër atyre të një aktori Holliwoodi, sesa profilit të një diplomati që qëndron pas kuintave.

A do të vazhdojë kështu? 

Është ende në dorë të tij të vendosë. Ndoshta ky është vetëm fillimi që nuk është zgjedhje e tij, por e asaj që i kanë treguar për këtë vend, që përvëlohet nga dashuria e zjartë për Amerikën. (www.Lapsi.al)