• |
ide | kryesore

I munguari i madh

Arkiva, Planet
Screen-Shot-2015-01-12-at-2.31.11-PM.jpg



Mungesa e presidentit amerikan, Barak Obama në marshimin madhështor të së djelës në Paris kundër terrorizmit, ka ngjallur polemika të shumta. Sikurse raporton “New York Times”, Shtëpia e Bardhë ka refuzuar të komentojë arsyet e kësaj mungese, ndërsa dhe si kundërpërgjigje të menjëhershme ka vendosur që të dërgojë Sekretarin e Shtetit Xhon Kerri në Paris ditën e enjte dhe të premte, për të forcuar bashkëpunimin me qeverinë franceze.

Megjithatë fakt është që të djelën e 11 janarit në marshimin e mbi 40 lidërve nga e gjithë bota në Paris, mungonin krerët kryesorë amerikanë. Uashingtonin e përfaqësonte vetëm Ministri i Drejtësisë, Erik Holder, së bashku me ambasadoren amerikane në Francë, Xhejn Hartli.

Gjithësesi asnjëri prej tyre, nuk është kapur nga ndonjë fotograf. Holder ka bërë me dije se në 18 Shkurt në Uashington, do të mbahet një samit i nivelit të lartë “për të reaguar ndaj ekstremizmit të dhunshëm”.

Përtej debateve mbi sigurinë, që gjithësesi janë ndezur më tej me zgjedhjen e Shtëpisë së Bardhë, për të mos marrë pjesë në marshim, në mediat amerikane këto ditë editorialistët janë distancuar nga slogani universal:”Je suis Charlie”.

Vetë gazeta “New York Times”, ka ngjallur polemika me publikimin e një komenti të Dejvid Bruks me titullin “Unë nuk jam Charlie Hebdo”, ku opinionisti

shpjegonte sesi në SHBA, karikaturat satirike të vëna në shënjestër nga ekstremistët islamikë, do të kishin përfunduar në gjykatë nën akuzën e nxitjes së urretjes.

Pavarësisht kësaj, tani mediat amerikane po kritikojnë zgjedhjen e Obamës për të mos shkuar në Paris, ndonëse axhenda e tij zyrtare ishte e lirë. Për më tepër, ai mund të dërgonte në vendin e vet zv.presidentin Xho Bajden, që përkundrazi fundjavën e kaloi në shtëpinë e tij në Delaëare. Ose ndoshta mund të dërgonte edhe bashkëshorten Mishel Obama.

Në fakt, Xhon Kerri ishte i angazhuar në një mision diplomatik në Indi. “Barak Obama nuk është Charlie, ose të paktën nuk ka qenë këtë fundjavë”- ishte titulli i së përditshmes amerikane “Politika”, që e bashkëshoqëron shkrimin me një foto nga marshimi, duke nënvizuar faktin sesi shefi i Shtëpisë së Bardhë qëndroi thelbësisht “i heshtur”, gjatë 3 ditëve dramatike që tronditën Francën.

Pasi i etiktoi “si frikacakë” terroristët, që kryen masakrën në redaksinë e së përvajshmes”Charlie Hebdo”- shkruan “Politika”- Obama nuk iu rrikthye më ngjarjeve në Francë, dhe as ka lëshuar ndonjë deklaratë për mediat.

“Do të kisha dashur, që presidenti ynë të kishte shkuar në Paris, përkrah aleatëve tanë evropianë”- shkroi në “Twitter” Xhejms Stavridhis, ish-admirali i Marinës Amerikane, aktualisht rektor.

Britanikja mjaft popullore “Daily News”, shkruan një titull kulptimplotë:”Ke braktisur botën në hallet e saj!”. Në rrjetet sociale, kanë shpërthyer ndërkohë ironitë e zgjedhësve republikanë, që shpërndajnë një foto të lidërve botërorë në Paris me një “karrige” bosh, pikërisht atë të Obamës./ Marrë nga Huffingtonpost.it/

a.g./www.bota.al

Sa shumë u vu re mungesa e Obamës në marshimin e paqes

Të dielën më 11 janar pati zëra në Amerikë që shprehnin keqardhjen për mungesën e presidentit amerikan në kortezhin e kryetarëve të shteteve që parakaluan në marshimin qytetar të paqes, organizuar në nderim të viktimave të atentateve islamike. Ai u qortua që nuk dërgoi të paktën zëvëndës presidentin Joe Biden, apo sekretarin e shtetit, John Kerry.

Gjatë vizitës që po bën në Indi John Kerry njoftoi se do të vizitojë këtë javë Parisin për të shprehur solidariten e Shteteve të Bashkuara. “Asnjë akt terrorizmi, asnjë njeri i armatosur me pushkë AK 47, asnjë marrje peng nuk do të ndalojë asnjëherë ata që janë angazhuar në marshimin e lirisë”, u shpreh ai.

Dyzet e katër kryetarë shtetesh dhe qeverish ishin pranë presidentit Holand gjatë grumbullimit të një numri të madh qytetarësh, që nuk kishte ndodhur në Francë qysh prej mbarimit të luftës së dytë botërore. Presidenti francez ishte në krah të homologut të Malit, Ibrahim Boubacar Keita, dhe kancelares Angela Merkel, të cilët ishin kapur prej krahu me kryeministrin izrarelit Benyamin Netanjahu dhe me presidentin e autoritetit palestinez, Mahmoud Abbas.

Shtetet e Bashkuara u përfaqësuan nga ambasadorja e tyre në Francë, Jane Hartley. Ministri i drejtësisë Eric Holder takoi homologët e tij evropianë për të reflektuar për mjetet që duhen zbatuar për të përmirësuar bashkëpunimin në luftën kundra terrorizmit, por ai nuk ka marrë pjesë në parakalim.

Për Fareed Zakarian, prezantues i një emisioni të ri në kanalin televiziv CNN, mungesa e e drejtuesve të lartë amerikanë ishte një gabim. “Kjo ishte shumë e sikletshme. Ku është presidenti Obama? Përse nuk shkoi ai në Paris?”, pyeste në Twiter gazetarja e televizionit “Fox News”.

“Eshtë e trishtueshme që pesëdhjetë kryetarë shtetesh shprehën solidaritetin e tyre në Paris dhe që presidenti Obama të ketë refuzuar të merrte pjesë në marshimin e paqes”.

E pyetur për këtë çështje Shtëpia e Bardhë nuk ka bërë komente. Barack Obama gjatë vizitës në Ambasadën e Francës në Uashington do të shprehej: “Populli francez duhet të dijë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë pranë tij dhe do të jenë dhe nesër”. Obama do të drejtojë në shkurt një konferencë ndërkombëtare mbi luftën kundra ekstremizmit në Uashington, njoftuan shërbimet e presidentit.Në Francë, pati zëra që prania e tij në Paris do të kërkonte marrjen e masave të pamendueshme për sigurinë. /bota.al