• |
ide | kryesore

Reportazh/Si po rilind e djathta eksterme në Greqi

Arkiva, Planet
Konstantions-Kallergis_Distomo-Museum1-1024x683.gif



Nga Kostas Kallergis */ Poshtë shpateve të gjelbra të malit të Parnasit në Greqinë qendrore, qyteza e vogël e Distomos është përplot me njerëz, gjë që është e pazakontë. Vizitorët kanë ardhur për të përkujtuar 70 vjetorin e masakrës së Distomos, një nga krimet më famëkeqe naziste në këtë vend, në të cilën më shumë se 200 civilë u ekzekutuan.

Në një kodër ku gjendet një memorial për viktimat, nxënës të shkollave të mesme nga Greqia dhe Gjermania shfaqin “Fëmijët e Luftës”, një skenë teatrale për paqen. Fotografi në trupave naziste mbi Akropolin e Athinës dhe fotografi më të reja të fëmijëve të vrarë të Sirisë projektohen në sfond. Të pranishmit shhikojnë në heshtje të plotë.

Por në kafenetë e qytezës, atmosfera është normalisht më e zhurmshme dhe më e politizuar. Herët a vonë, emri i Maria Sideri-Tsamit përmendet.

Tri anëtarë të familjes Sideri-Tsami u vranë në masakrën e Distomos. Megjithatë 23 vjeçarja qe kandidate në zgjedhjet vendore të majit të vitit të kaluar, për Agimin e Artë, partinë gjerësisht të cilësuar si neo-Naziste që është  ngritur në skenën politike të Greqisë gjatë viteve të fundit.

Sideri-Tsami ka deklaruar se qe rezistenca e partizanëve komunistë shkaku i masakrës, duke thënë se ata i provokuan nazistët duke organizuar një pritë. “Ata e dinin se gjermanët mund të ktheheshin në fshat për të vrarë njerëz nëse sulmoheshin,” tha ajo në një intervistë me një bloger vendës i cili e filmoi atë te memoriali.

Përqafimi i të djathtës ekstreme nga Sideri-Tsami mund të duket e jashtëzakonshme. Por edhe njerëz me paraardhës të vrarë nga Nazizmi apo me tradita familjare të së majtës të farkëtuara gjatë Luftës së Dytë Botërore janë bashkuar me Agimin e Artë, parti që ka shfrytëzuar zemërimin ndaj krizës së thellë ekonomike të Greqisë dhe zhgënjimin me partitë politike tradicionale.

Në fushatën zgjedhore, Agimi i Artë me krenari shfaqi videon e intervistës së

Sideri-Tsamit në faqen e vet të internetit. Por deklarata e saj u prit me më pak entuziazëm në qytezë.

“Është e turpshme,” thotë 84 vjeçarja Maria Sechremeli, një kushërirë e largët e Sideri-Tsami.

Sechremeli i mbijetoi masakrës duke u fshehur nën trupin e një fqinji të ekzekutuar.

“Komunistët nuk vranë Distomot, komunistët kishin dalë të luftonin armikun,” thotë ajo.

Shenja e një plumb i marrë nga masakra gjendet ende në këmbën e Sechremelit. Çdo vit, ajo fillon të mos ndjehet mirë dy ditë para përkujtimores.

Në përkujtimoren e këtij viti, ajo ka marrë dy aspirina që në drekë për të ulur presionin e gjakut.

E ulur në tavolinën e dhomës së ndenjes, Sechremeli thotë se ajo nuk pëlqente të fliste për masakrën me nipërit e saj, duke mos pasur dëshirë që t’i trondiste apo që të mbante gjallë urrejtjen prej asaj epoke. Por ajo ndryshoi mendim pasi u alarmua nga ngritja e Agimit të Artë.

“A duan ata më të mirën për Greqinë? Duke vrarë njerëz? Duke bërë të gjithë ato gjëra të shëmtuara apo duke kërcënuar në televizor?” thotë ajo për këtë parti. “Ti e kupton vetë se çfarë lloj njerëzish janë atje.”

Pas shumë dekadash në periferi të skenës politike, Agimi i Artë tërhoqi vëmendje shumë më të gjerë në vitin 2010 me axhendën e vet nacionaliste, anti-emigrante dhe shpesh të dhunshme. Media dhe akademikët e kanë etiketuar partinë si neo-naziste apo fashiste por anëtarët e saj mohojnë çdo lloj lidhjeje me Nacional Socializmin.

“Për mua, është e gabuar të mbash qëndrim ideologjik për shkak të asaj se çfarë ka ndodhur në të shkuarën,” – thotë anëtari i Agimit të Artë Nikos Kourakos.

Ngritja e partisë përkoi me një rritje të paprecedent të sulmeve racore kundër emigrantëve.

Kjo dhunë kaloi përgjithësisht e pandëshkuar për shumë vite deri sa një njeri me lidhje të ngushta me Agimin e Artë vrau reperin antifashist Pavlos Fyssas në një lagje të Athinës në shtator 2013. Vrasësi u arrestua dhe qeveria nisi një fushatë shtypjeje kundër kësaj partie.

Sot, gjashtë zyrtarë të lartë të partisë, përfshirë udhëheqësin Nikos Michaloliakos, janë në burg në pritje të gjykimit për akuzat e drejtimit të një organizate kriminale. Gjyqi, të cilin partia e sheh si persekutim politik, pritet të fillojë më vonë këtë vit.

Pavarësisht gjyqit të pritshëm, skena politike e Greqisë ka qenë kaq e ngatërruar sa Sechremeli thotë se është e frikësuar se Agimi i Artë mund të marrë pushtetin dhe të ndezë një luftë të re civile.

Në zgjedhjet e fundit, ajo votoi për një parti të majtë, si gjithmonë.

Bashkëshorti i saj i ndarë nga jeta tashmë u bashkua me rezistencën guerilase të kohës së luftës për të çliruar Greqinë nga pushtimi gjerman. Ai përqafoi komunizmin në atë kohë dhe mbeti besnik ndaj komunizmit për të gjithë jetën.

Historia e kësaj familjeje është tipike për shumë njerëz në Greqi – traditat politike u themeluan në Luftën e Dytë Botërore dhe u ruajtën për shumë gjenerata më pas.

Vijat e gabuara ideologjike përballë plagëve të vjetra

Gjermania pushtoi Greqinë në prill 1941. Qindramijëra grekë humbën jetën përgjatë tri viteve që pasuan si rrjedhojë e luftimeve, shpërnguljeve drejt kampeve të përqendrimit, reprezaljeve gjermane dhe urisë.

Rezistenca u organizua nga grupime të ndryshme por komunistët qenë më të fuqishmit dhe u përhapën me shpejtësi në pothuajse të gjitha anët e Greqisë. Në anën tjetër, si në pjesën tjetër të Europës së pushtuar, shumë grekë bashkëpunuan me gjermanët, përfshirë simpatizantët e nazizmit dhe nacionalistët.

Pas luftës, të majtët dhe të djathtët filluan të përplasen për pushtet. Përleshja politike shpejt solli një luftë civile të përgjakshme e cila përfundoi më 1949 me disfatën e të majtëve.

Dimitris Psarras, një gazetar investigativ që ka gërmuar për të djathtën ekstreme të Greqisë që nga vitet 1980, ka gjetur shumë raste ku ideologjia anti-komuniste e bashkëpunëtorëve u kalua te fëmijët dhe nipërit e tyre.

Disa nga këto njerëz qenë mes udhëheqësve të juntës ushtarake që sundoi vendin nga viti 1967 deri më 1974 dhe disa janë në skenën politike aktuale me Agimin e Artë. Udhëheqësi i partisë Michaloliakos vjen nga një familje kolaboracionistësh.

Por një minoritet i vogël i anëtarëve të Agimit të Artë dhe votuesit e tyre kanë një të shkuar familjare shumë të ndryshme.

Pionieri

Giorgos Germenis ka kujtime shumë të ëmbla nga gjyshi nga ana e nënës, Panayotis Griziotis. Ai e mban mend atë si një “gjysh modern” i cili qe gjithmonë pranë gjeneratave të të rinjve.

Gjatë luftës Griziotis qe një udhëheqës gueriles komunist në Greqinë perëndimore. Kur vajza e tij qe dhjetë vjeç, ai e dërgonte atë për të marrë gazetën ilegale të Partisë Komuniste të Greqisë (KKE).

Ajo vetë u bë komuniste kur u rrit. Ajo lindi Germenis dhe e mbante fëmijën e vet të vogël në krahë ndërsa vendoste postera bashkë me shokët e partisë për manifestimin e përvitshëm të 1 majit në Athinë.

Djali i saj është tashmë një nga anëtarët më të njohur të parlamentit në Agimin e Artë dhe i pari drejtues i partisë që pranoi publikisht më

Giorgos Germenis. Foto: Paavo Teittinen

Giorgos Germenis. Foto: Paavo Teittinen

2012 se gjyshi i tij pati qenë një gueriles komunist.

Deklarata e tij shkaktoi një tronditje të madhe te të majtët, të cilët nuk mund të kuptonin se si dikush me tradita të tilla familjare mund të përfundojë në të djathtën ekstreme.

Germenis është aktualisht në burg në pritje të gjyqit bashkë me pjesën tjetër të udhëheqësisë së partisë. Për këtë artikull, ai dha përgjigje me shkrim të kaluara nga bashkëshortja e tij kur ajo vizitoi atë në burgun e sigurisë së lartë Korydallos në Athinë.

“Partia Komuniste është kthyer në një parti borgjeze. Pas kaq shumë vitesh në skenën politike ata janë bërë revolucionarë profesionistë,” thotë ai.

Sipas Germenis, njerëzit që dikur qenë komunistë apo socialistë janë mes mbështetësve më të zellshëm të Agimit të Artë.

“Ata ndjejnë se partitë që po mbështesnin përgjatë gjithë këtyre viteve i kanë tradhtuar!” deklaron ai.

Germenis u bashkua me radhët e Agimit të Artë herët në vitet 1990, kur fantazma e nacionalizmit po përndiqte gadishullin e Ballkanit. Prindërit e tij e morën vesh ndryshimin e tij ideologjik shumë më vonë. Lexoni intervistën Giorgos Germenis këtu.

Ai thotë se asnjë nga familja e tij nuk u përpoq që t’i ndryshonte mendje dhe as ai nuk i përpoq t’i ndryshonte mendjen atyre. Sipas Germenis, nëna e tij tashmë beson se Agimi i Artë është partia e vërtetë revolucionare.

“Në manifestimet tona ajo nuk pa xhelatët e zakonshëm partiakë apo drejtuesit e emëruar politikisht por njerëzit e lagjes së vet, punëtorët, ata që fitojnë bukën e gojës me punë dhe kjo gjë i la përshtypje,” thotë ai.

Një paradoks i dyfishtë

Njerëz të tillë të zakonshëm dhe përpjekjet e tyre kanë pasur ndikim të thellë mbi Tasos Papaioannou. Ai thotë se është tronditur nga rritja e numrit të vetëvrasjeve të lidhura me krizën ekonomike në rajonin e tij të lindjes në Korinth.

Papaioannou, i cili është në të 50at, nuk pëlqen të quhet shofer taksie, përveç rastit kur ai po punon për klientë grekë. Për shumicën e ditës, ai është shofer i turistëve të huaj të pasur që vizitojnë Korinthin e Lashtë, rreth 80 kilometra në perëndim të Athinës.

Prindërit e tij emigruan në Australi kur ai qe dy vjeç dhe ai ende mban mend se sa e vështirë qe të ishe i huaj atje. Njëzet vjet më vonë ai u kthye në Greqi për pushime dhe vendosi të qëndrojë.

Papaioannou tashmë voton për Agimin e Artë. Vendimi i tij për të votuar për një parti shumë antiemigrante pavarësisht eksperiencës së tij përballë diskriminimit në Australi nuk është paradoksi i vetëm.

Gjyshi i tij, Giorgos, qe një gueriles komunist në rajonin e Korinthit gjatë luftës civile.

“Nuk e takova atë kurrë. Do të më pëlqente shumë ta njihja edhe pse mendimet e mija janë krejtësisht të ndryshme,” thotë ai në një tavernë pranë zonës arkeologjike të Korinthit Antik.

Kur filloi kriza ekonomike e Greqisë, Papaioannou mendoi: “Bum! Nacionalizëm! Le t’i ndryshojmë gjërat. Duhet një luftë civile.”

Armiqtë e tij? Emigrantët, politikanët e korruptuar që përvetësuan pasurinë e popullit, Fondi Monetar Ndërkombëtar madje edhe ata që kanë të njëjtat mendime të majta si gjyshi i tij.

Ai thotë se disa të djathtë ekstremistë në fshatra kanë arka me kallashnikovë të fshehura në shtëpitë e tyre. Thjeshtë për siguri.

Tasos Papaioannou. Foto: Kostas Kallergis

Tasos Papaioannou. Foto: Kostas Kallergis

Pak më në jug, Nikos Kourakos është zyrtar i lartë në zyrën e Agimit të Artë në qytetin e Kallamatës.

Gjyshi i tij luftoi gjermanët në rezistencën komunistë dhe u ekzekutua nga një anëtar i të famëkeqeve Batalione të Sigurisë që u krijuan nga qeveria kolaboracioniste e Greqisë.

Kourakos e sheh vendimin e gjyshit të tij për t’u bashkuar me komunistët si një akt patriotik dhe jo si një veprim prej të majti.

“Gjermanët qenë pushtues,” thotë ai. “Gjëja më e arsyeshme për të bërë qe që t’i luftoje.”

Ai nuk ndjen se vendimi i tij për t’u bashkuar me Agimin e Artë dhjetë vjet të shkuara fyen kujtimin e gjyshit të tij.

“Për mua, është e gabuar të marrësh një qëndrim ideologjik për shkak të asaj që ka ndodhur në të shkuarën,” thotë ai.

Një dramë familjare

Për disa familje, gjithsesi, vendimi i një fëmije për t’u ndarë nga vlerat e vjetra dhe për të mbështetur të djathtën ekstreme është një burim vuajtjesh të mëdha.

Giorgos Triantafyllou, një pensionist emri i të cilit është ndryshuar këtu me kërkesën e tij, jeton në një bashkësi të vogël ku nazistët ekzekutuan pothuajse gjysmën e popullsisë, përfshirë një nga të afërmit e tij, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Familja e tij ka një histori të gjatë te e majta, përfshirë luftëtarë të rezistencës gjatë pushtimit gjermanë, gueriles komunistë gjatë luftës civile dhe viktima të persekutimit politik gjatë sundimit të juntës së kolonelëve.

Vetë Triantafyllou qe një i majtë e paepur por filloi të shkëputej nga Marksizmi në vitet 1970 dhe u kthye te religjioni. Pas studimit të kujdesshëm të librave të shenjtë të shumë religjioneve, ai u bë Dëshmitar i Jehovait.

Ai dhe dashuria e fëmijërisë së tij rritën dy fëmijë sipas vlerave të tyre. Ata i mësuan atyre të duan, të jenë paqësorë dhe tolerantë.

Por pasi mbushi 18 vjeç, fëmija i tyre i madh hodhi poshtë besimet fetare të familjes dhe u bashkua me Agimin e Artë, duke garuar si kandidat për partinë në zgjedhjet vendore të viti të kaluar.

Triantafyllou zbuloi lajmin tronditës ndërsa ai po lundronte në internet. Ai u shkatërrua tërësisht dhe nuk ka folur me fëmijën e tij që nga ajo kohë.

Ai thotë se nuk mund të durojë të dëgjojë deklaratat që vijnë nga goja e fëmijës së tij.

“Unë u rrita në një vend përplot me të ve lufte dhe jetimë,” thotë ai.

Shqetësimi i tij vihet më shumë në dukje nga fakti që nazistët persekutuan dhe burgosën Dëshmitarët e Jehovait.

Agimi i Artë përballë bastioneve të kuqe

Triantafyllou vijon të vrasë mendjen se si ndodhi që vetë fëmija e tij hodhi poshtë historinë e familjes dhe u bashkua me Agimin e Artë. Edhe shumë ekspertë sondazhesh, analistë politikë dhe sociologë vrasin mendjen se si ndodhi që Agimi i Artë rezultoi kaq popullor nëpër zona që më herët qe dominuese Partia Komuniste.

Perama dhe Nikea, dy rajone të Athinës të konsideruara prej kohësh si “bastione të kuqe”, kanë shënuar rritje të shpejtë të mbështetjes për Agimin e Artë përgjatë viteve të fundit.

Lagjja e Peramas në Athinë. Foto: Kostas Kallergis

Lagjja e Peramas në Athinë. Foto: Kostas Kallergis

Vassiliki Georgiadou, profesor i asociuar në shkenca politike në universitetin Panteion të Athinës i cili ka kryer kërkime të gjera në këto lagje, thotë se varfëria e klasës punëtore dhe papunësia afatgjatë e zonës – e cila vërtitet në rreth 70 për qind – ka krijuar territor pjellor për Agimin e Artë.

Partia ka akuzuar aktivitetin politik të sindikatave të zonës për rënien e konkurrueshmërisë së kantiereve detare dhe humbjen e vendeve të punës. Agimi i Artë ka krijuar sindikatat e veta të rrepta dhe ka premtuar vende pune. Disa punëtorë kanë firmosur anëtarësimin.

Duke qenë aktive në terren në këto lagje, Agimi i Artë ia ka dalë të “bëhet i dukshëm dhe të arrijë një shkallë të caktuar ndikimi, veçanërisht mes të rinjve që janë rritur pa asnjë perspektivë,” thotë Georgiadou.

Të rinjtë e politizuar kanë përdorur grafitet për të kthyer muret e lagjes në fushëbeteja të ideologjive.

“Gjyshërit tanë qenë refugjatë, prindërit tanë qenë emigrantë dhe ne jemi racistë!” thotë një slogan i së majtës.

“Lironi të gjithë anëtarët e burgosur të Agimit të Artë!” thotë një tjetër, jo shumë larg burgut të Korydallos u gjendet aktualisht udhëheqësia e partisë.

Në një pjesë tjetër të Athinës, një grafit artistik me stampë ofron një koment ironik mbi të papriturat e historisë. Një burrë i moshuar po pi një cigare dhe vëren: “Unë i luftova fashistët në mënyrë që nipi im t’i kthejë ata pas.”

Grafiti me stampë në Athinë. Foto: Kostas Kallergis

Grafiti me stampë në Athinë. Foto: Kostas Kallergis

Beteja e Sheshit Lenin

Ajo që duket si një përplasje që nuk mbaron kurrë mes të majtës dhe të djathtës vijon edhe jashtë Greqisë – në një fshat hungarez, rreth 1 mijë kilometra larg Athinës.

Beloiannisz në Hungarinë qendrore u themelua nga guerilasit komunistë grekë që u arrasitën nga lufta civile në fund të viteve 1940. Ata e emërtuan bashkësinë e tyre sipas Nikos Beloyannis, një hero komunist grek.

Zisis Vlachopoulos, një ish kryeplak fshati, pati lindur në Greqi më 1942 dhe u soll në Beloiannisz nga prindërit e tij kur ai qe katër vjeç. Që nga rënia e komunizmit, thotë ai, ka patur shumë përpjekje për të fshirë historinë e fshatit.

Fshatit iu desh të ndryshojë emrin e shesit të vet kryesor, i cili mbante emrin e Leninit. Kryqet kanë zëvendësuar yjet e kuqe mbi varret e varrezës së fshatit.

“E çfarë do të bëjnë ata me yllin e kuq mbi shishet e Heineken?” thotë ai me shaka duke folur rrjedhshëm greqisht.

Zisis Vlachopoulos, një ish kryeplak i fshatit Beloiannisz në Hungari. Foto: Kostas Kallergis

Zisis Vlachopoulos, një ish kryeplak i fshatit Beloiannisz në Hungari. Foto: Kostas Kallergis

Tani, Krisztian Bene, 31 vjeç, anëtar i këshillit vendor për partinë e ekstremit të djathtë Jobbik, dëshiron të heqë pllakën përkujtimore në shesh që nderon ushtarët sovjetikë që çliruan Hungarinë nga Nazizmi. Bene propozon zëvendësimin e memorialit me një pllakat tjetër në përkujtim të Kryengritjes Anti-Sovjetike të Hungarisë më 1956.

Në shesh, Bene dhe shoku i tij Szotirisz Kariofilisz bisedojnë me një vizitor.

Kariofilisz pati lindur në fshat 32 vjet më parë me prindër grekë. Gjyshërit e tij qenë gueriles komunistë.

Ai është i papunë, i pasigurt për të ardhmen e tij dhe voton për Jobbik. Ai këmbëngul se partia nuk është ekstreme si Agimi i Artë në Greqi.

“Jobbik nuk dëshiron të vrasë romët dhe hebrenjtë, do vetëm që t’i asimilojë ata,” thotë ai.

Por ish-kryeplaku Vlachopoulos hedh poshtë sugjerimet e anëtarëve të Jobbik në fshat se të huajt janë fajtorë për problemet e Hungarisë së sotme.

“Sot problemi janë jevgjit, nesër do të jenë shqiptarët dhe pas kësaj do të vijë radha e grekëve,” thotë ai. “Mua nuk do të më bëjnë për budalla!”

Ai ndërpritet nga një telefonatë në celularin e tij. Zilja e celularit tingëllon e njohur. Zilja bie deri sa himni i guerilasve komunistë të Greqisë dëgjohet: “Me pushkën time në krah, nëpër fusha, në qytete dhe në fshatra, unë shtroj rrugën e lirisë…”

Babai i dashur

Pas në Greqi, Giorgos Triantafyllou bën një jetë të qetë. Ai kujdeset shumë për kopshtin e tij dhe herë pas here hyn në internet për të lexuar lajmet.

Ai dhe bashkëshortja e tij po mendojnë të mos hyjnë më në internet me qëllim që të shmangin artikujt e mundshëm mbi fëmijën e tyre të madh, i cili hodhi poshtë vlerat e familjes dhe u bashkua me Agimin e Artë. Ata duan të fikin atë që Triantafyllou e quan: “çelësi i trishtimit”.

Por ky zemërim zbutet pak para fundit të intervistës. Një ripajtim mund të jetë ende i mundshëm, thotë ai, nëse pasardhësi i tij pendohet tërësisht dhe i rikthehet jetës së virtytshme.

Ai reciton Alegorinë e Birit të Dorëlëshuar, njohur gjithashtu si Alegoria e Babait të Dashur.

“Djali iku në kërkim të pasurive të kota dhe të jetës plot mëkate, ai vuajti vështirësi por babai priti për të. Dhe pastaj djali u rikthye, babai e përqafoi atë. Kjo është çfarë do të bëj edhe unë,” thotë ai.

*Kostas Kallergis është një gazetarë i lirë dhe producent televiziv me bazë në Athinë, me eksperiencë të gjatë në prodhimin e dokumentarëve. Kostas ka punuar me shumë organizata ndërkombëtare të medias për mbulimin e krizës ekonomike të Greqisë.Ky artikull u prodhua si pjesë e Programit të Bursës Ballkanike për Gazetari Ekselente, mbështetur nga Fondacioni Erste dhe Fondacioni Shoqëria e Hapur, në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative.