• |
ide | kryesore

Armina: “Unë nuk isha personi i tretë që prisha martesën e Shkëlzenit. Të gjithë kemi vuajtur shumë”

Arkiva, Paparazzi
IMG_20150122_184606_edit_edit (1).jpg



Armina Mevlani ka vendosur të flasë dhe mbi të gjitha të shfajësohet. “E di që lidhja jonë është përdorur politikisht, që e kanë shfrytëzuar kundër nesh, por nuk jam unë personi i tretë që u fut brenda çiftit”. Kështu ka rrëfyer ajo në emisionin “Takimi i pasdites” të Rudina Magjistarit. Armina ka lënë të kuptohet se marrëdhëniet e Shkëlzenit me ish bashkëshorten e tij, Sadije Berisha ishin në rënie dhe vetëm pas kësaj, lindi dashuria e çiftit të ri me shikim të parë. Pastaj Armina ka thënë: “Edhe unë kam vuajtur shumë, edhe Shkëlzeni gjithashtu, por e di që edhe zonja (ky qe termi që përdori për ish gruan), ka vuajtur. Por këto janë gjëra të jetës që kështu vijnë. Ne na ka ardhur natyrale”.

Duke folur për dy fëmijët e Shkëlzenit, Armina ka lënë të kuptohet se nuk i ka takuar, por se i do ata si pjesë e pazëvendësueshme e njeriut që dashuron.Për divorcin e të dashurit të saj aktual, Armina ka folur pas një ndërhyrjeje të gjatë të Rudina Magjistarit që e ka quajtur paraardhësen: një grua të mrekullueshme.

Pjesa ku gjatë intervistës, Armina u duk më e kontraktuar dhe ulte vështrimin në tokë teksa fliste, ishte kur ajo u pyet për për marrëdhëniet e saj me Sali dhe Liri Berishën. Që pas ballos së fundit presidenciale të fundvitit ku dy çiftet ishin së bashku, por u komentuan shumë sikur nuk folën me njëri- tjetrin, Armina është përpjekur të sqarojë gjithçka. Ajo ka pohuar se i ka takuar prindrit e Zenit- kështu e thërriste gjatë gjithë emisionit- dhe është ndjerë mirë me ta.

“Është ndryshe kur ata që i ke njohur përmes ekranit i takon realisht”, ka thënë ajo, duke ulur përsëri sytë në tokë dhe duke shtuar: “edhe Zeni i ka takuar prindrit e mi”. Pastaj ka shtuar: "Ata janë njerëz të veçantë dhe ndjehesh mirë në bisedë, besoj ashtu janë ndjerë edhe ata me mua. Unë dhe Zeni jemi rritur me ndjenjat e respektit për familjen”. Ky ka qenë rrefimi i parë televiziv i Armina Mevlanit për një ekran shqiptar. Ajo nuk e kish treguar kurrë më parë historinë e dashurisë së saj, që shpesh ka pushtuar faqet e kronikës rozë. E për këtë, një meritë të veçantë ka edhe drejtuesja e emisionit Rudina Magjistari, që përpos talentit të saj, ka përdorur me sa duket edhe një favor tjetër për të bindur Arminën të flasë: Pjesa e parë e intervistës ishte një dialog i gjatë publiciteti për butikun që Armina ka hapur së fundi në bllok.