• |
ide | kryesore

Profile/Kush ishin politikanet më të rëndësishëm mes dy luftrave botërore

Arkiva, Dossier
anetaret-e-qeverise-shqiptare-ne-vitin-1922-mes-tyre-fan-noli-dhe-ahmet-zogu.jpg



Shqipëria 1912- 1939. Figurat më të spikatura të tre dekadave? Pse u përkrah pavarësia e Shqipërisë? Pse humbi revolucioni I Fan Nolit. Si u bë Zogu mbret dhe interesat e fqinjëve? Humbi apo fitoi Shqipëria nga pushtimi italian. Të gjitha të bazuara në një studim për Europën qendrore dhe lindore.

 

Nga Jospeh Rothschild*

Shqiptarët ishin të fundit që vendosën të shkëputeshin nga Perandoria Osmane, struktura e elitës të së cilës kishte qenë gjithmonë e hapët ndaj bijve të tyre të talentuar dhe ambiciozë, e cila përgjithësisht nuk i kishte shtypur ata dhe ndaj Kalifit-Sulltan të së cilës shumica e tyre ndiente një nderim të mirëfilltë fetar. Në fakt, vendimi i shqiptarëve për të kërkuar më në fund pavarësi të plotë në fund të vitit 1912 në njëfarë kuptimi u provokua vetëm nga frika se, në rast të kundërt, ata do të ndaheshin midis Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë, që atëherë sapo kishin dalë fitimtarë në Luftën e tyre të Parë Ballkanike, kundër Perandorisë Osmane. Deri atëherë aspiratat politike të shqiptarëve nuk kishin kaluar kurrë përtej një shkalle të moderuar autonomie. Por tani ata ndjeheshin të detyruar të parandalonin një copëtim të mundshëm, duke e braktisur anijen osmane përpara se ajo të fundosej nën ta. Vendimi i tyre u bë më i lehtë nga fyerjet që iu shkaktuan ndjeshmërive të tyre konservatore dhe fetare prej politikave arrogante centraliste edhe shekullore të regjimit të atëhershëm të Turqve të Rinj në Stamboll. Kërkesa e tyre e vonuar për pavarësi tani u mbështet nga Austro- Hungaria dhe Italia, që nuk u pëlqente të shihnin një shtet sllavojugor ose Greqinë kaluar mbi Ngushticën strategjike të Otrantos në daljen e Detit Adriatik në Mesdhe. Prandaj njohja ndërkombëtare e pavarësisë të Shqipërisë erdhi menjëherë më 1913.

Por nëse ndarjet fisnore dhe shoqërore ishin vërtet më domethënëse sesa ato fetare, nacionalizmi shqiptar rezultoi më i fuqishëm nga të gjitha këto dallime. Shqiptarët e konsideronin veten me krenari si njësia më e vjetër e veçantë etnike në Gadishullin Bllkanik, pasardhës të ilirëve dhe/ose traksave, pra duke qenë ndoshta edhe më të vjetër se helenët dhe sigurisht më të vjetër se sllavët dhe turqit e ardhur më vonë. Kulti i Skënderbeut, i cili u riinterpretua si udhëheqës i një lëvizjeje të qëndresës kombëtare dhe jofeudale apo kristiane ndaj pushtimit osman në shekullin e pesëmbëdhjetë, i dha një fokus të veçantë simbolik krenarisë së tyre kombëtare. Kjo krenari u përforcua përsëri më 1908, në vigjilje të pavarësisë, kur inteligjencia shqiptare zyrtarizoi një alfabet latin të modifikuar, i cili edhe lehtësonte komunikimin midis gegëve dhe toskëve, edhe, si një veprim politik, diferenconte alfabetin shqip nga alfabetet grek dhe serbo-cirilik.

Ndonëse mund t’u vinte keq për territoret e gjera të vëllezërve të tyre lënë në vendet fqinje, shqiptarët, nga ana tjetër, mund të ngushëlloheshin politikisht prej faktit që konsolidimi i shtetit të tyre nuk u pengua nga ndonjë pakicë e huaj etnike e rëndësishme. Shteti-komb arrinte në 92 për qind të popullsisë; ajo që mbetej ishte ndarë midis grekëve, sllavëve, vllehve dhe turqve. Me fjalë të tjera, Shqipëria ishte një prej shteteve etnikisht më homogjene në Europën Lindore Qendrore.

Ekonomikisht, ajo ishte një vend me burime të varfra dhe ende në një shkallë të madhe të pazhvilluar. Malet e saj ishin të zhveshura, ultësirat moçalore, prodhimet bujqësore të ulëta dhe industria gati nuk ekzistonte. Në fund të periudhës midis dy luftërave, vetëm 9 për qind e sipërfaqes së saj tokësore ishte tokë e punueshme e kultivuar ose frutikulture; 33 për qind ishte tokë e pyllëzuar, që përbëhej ose nga pyje potencialisht të çmuara, por ende kryesisht të pashfrytëzuara, ose edhe shkurrishte të largëta; 25 për qind ishin kullota të hapëta dhe 33 për qind ishte krejtësisht joprodhuese. Përsa i përkiste popullsisë, 80 për qind varej nga bujqësia ose blegtoria, vetëm 15 për qind jetonte në vendbanime me mbi pesë mijë banorë dhe 80 për qind e popullsisë mbi moshën shtatëdhjetëvjeçare ishte analfabete.

 

Ai zhvillim ekonomik që pati vendi gjatë periudhës, midis luftërave ishte i financuar shumë nga Italia. E gjithë nafta e nxjerrë, që më 1937 kishte arritur në 72.00 tonë metrikë, thithej dhe përpunohej nga Italia e varfër në naftë. Të gjitha ndërtimet e rrugëve, që arrinin në gjithsej 1.200 kilometra midis viteve 1926 dhe 1939, të disa qendra urave te reja dhe përmirësimet e gjera portale në Durrës dhe Sarandë ishin financuar nga Italia, ashtu si edhe një fabrikë çimentoje, disa fabrika cigaresh, punishte lëkure, mielli, një fabrikë birre, një fabrikë sapuni dhe shumë ndërtime publike. Këto të fundit ishin më pak produktive, por mbresëlënëse nga ana e jashtme dhe, pra, simbolikisht ngushëlluese. Nevoja më e madhe ishte për kapital dhe, për arsye politike ndërkombëtare, i vetmi burim i disponueshëm i kapitalit ishte Italia, pretendimi i së cilës për kujdestari të veçantë ndaj Shqipërisë u respektua nga fuqitë e tjera të mëdha.

Italia, nga ana e vet, e shihte interesin e saj në Shqipëri jo vetëm si një interes “normal” ekonomik, por dhe si thelbësisht politik e strategjik. Prandaj ajo u kushtonte pak vëmendje dhe i toleronte humbjet e mëdha në investimet e saj atje dhe thithte vazhdimisht përpjestime shumë më të mëdha të eksporteve të saj (rreth dy të pestat), duke e mbuluar defiçitin e pagesave me financime bujare, ndonëse jo shumë altruiste. Kështu, edhe në rrafshin ekonomik dhe hëpërhë pa i vlerësuar rrjedhimet ushtarake të zhvillimit të rrugëve dhe porteve që Italia ndërtonte në Shqipëri, Roma e shihte protege – të saj të përtej Adriatikut më shumë si një burim lëndësh të para të rëndësishme, sesa si një treg potencial mallrash.

Me gjithë këto mundësi investimesh në ekonomi, Shqipëria mbetej shteti më pak i zhvilluar i Europës ndërmjet luftërave, sepse, për shkak të dokeve dhe vlerave të shoqërisë së saj dhe të kulturës së saj politike, një pjesë e madhe e investimeve potencialisht prodhuese thithej prej modeleve tradicionale “osmane” të konsumit të shtresës sunduese. Kjo shtresë, një rrjet i ndërthurur politikanësh, burokratësh, latifondistësh, tregtarësh dhe kryetarësh të fiseve, qe e ndarë, në dy kampe politike.

Kampi më tradicional dhe politikisht me përvojë, i përbërë kryesisht nga kryetarë fisesh, bejlerësh që kishin qenë në shërbim të ish-perandorisë osmane, dhe pronarë tokash rentierë, udhëhiqej nga Ahmet Zogu. Borgjezia dhe inteligjencia, më të oksidentalizuara, por më pak të provuara politikisht, udhëhiqeshin nga peshkopi ortodoks i shkolluar në Harvard Fan S.Noli (te dy ne foton e madhe te qeverise shqiptare ne vitin 1922). Konkurrenca midis tyre ishte gjithsesi mjaft e pabarabartë. Noli, ndonëse rastësisht ministër i Jashtëm për sytë e Europës në vitet e para midis dy luftërave, qe kryeministër vetëm për gjashtë muaj, në gjysmën e dytë të vitit 1924; kjo periudhë qe mjaft e shkurtër për t’i vërtetuar paaftësinë e tij politike, si mbështetësve, ashtu edhe kundërshtarëve të tij.

Ahmet Zogu (emri ishte shqiptarizuar prej formës së dikurshme turke Zogolli) kishte krijuar reputacionin e tij politik si një komandant me iniciativë dhe i guximshëm në periudhën e pështjellimit që pasoi menjëherë pas Luftës së Parë Botërore, kur ai kishte udhëhequr shpurën e malësorëve luftëtarë të fisit të tij në luftë me pushtuesit e huaj dhe kaosit vendës, në një kohë kur shumë udhëheqës të vjetër politikë ishin përfshirë nga paniku dhe paraliza. Shumë herë ministër i brendshëm dhe herë-herë kryeministër në kabinetet e njëpasnjëshëm, ai futi njerëzit e fisit të tij në xhandarmëri dhe nëpërmjet këtij instrumenti sundoi me efektshmëri qeveritë e kohës, pavarësisht nëse ai i kryesonte ato realisht apo jo.

Por stili i tij politik në përgjithësi prej pashai dhe parapëlqimi i tij për ish-zyrtarët osmanë dhe njerëzit e klanit të vet, sidomos në punësimin shtetëror dhe – më në veçanti – dobësia e tij për të mbledhur të ardhurat shtetërore nga jugu bujqësor, por për t’i shpenzuar ato për fisët malësore të Shiqërisë së Mesme dhe të Veriut, shkaktuan zemërim dhe kundërshtim. Me gjithë mashtrimet dhe presionin e konsiderueshëm nga policia, ithtarët e Zogut fituan vetëm një përparësi prej 40 vendesh në zgjedhjet legjislative të 26 nëntorit dhe 27 dhjetorit 1923, ndërsa 35 i kaluan kampit opozitar të Nolit dhe 20 të pavarurve. Më vonë, më 20 prill 1924, në një krim që ishte gjithashtu një gabim trashanik, pasuesit e Zogut vranë një udhëheqës të ri dhe të talentuar opozitar të quajtur Avni Rustemi. Ky veprim, nga ana e tij, i shtyu kundërshtarët e tij të revoltuar në një kryengritje të suksesshme midis 25 majit dhe 10 qershorit. Zogu iku në Jugosllavi dhe më 16 qershor 1924 Noli formoi qeverinë e tij të vetme.

Regjimit të Nolit, që përbëhej edhe nga reformatorë parimorë, edhe nga elementë “feudalë” që ndanin me Zogun të njëjtat vlera, por që e ndienin veten të pashpërblyer sa duhet nga shpërndarja konkrete e favoreve prej tij, i mungonte uniteti. Noli shpalli një program të thellë reformash, por bëri pak për ta realizuar atë. Duke u përpjekur të krijonte një përshtypje ta favorshme tek opinioni publik evropian, ai shpalli shumë angazhime liberale dhe modernizuese, që kishin të bënin shumë pak me realitetin shqiptar. Ndërkohë, brenda vendit, ai ngriti një trup të posaçëm gjykues të përzgjedhur politikisht, për të dënuar me vdekje kundërshtarët e tij të mërguar dhe për të konfiskuar pasurinë e tyre, ndërkohë që ai mund të kishte qenë më i mençur, po të kishte shpallur një amnisti ose, të paktën, të përmbahej nga ndërhyrja politike në procesin gjyqësor. Për më tepër, megjithëse kishte ardhur në pushtet në një mënyrë zyrtarisht jo kushtetuese, kryengritëse, Noli nuk pranoi ta formalizonte ose ta legjitimonte pozitën e tij nëpërmjet një plebishiti ose zgjedhjeve të përgjithshme.

Fan Noli

Përkundrazi, ai imponoi një censurë të rreptë dhe dukej sikur e pranonte heshturazi se ai dyshonte të gëzonte besimin e publikut. Së fundi, ai njohu Bashkimin Sovjetik dhe kërkoi mbështetjen e tij në një kohë kur ai ishte ende thuajse i përbuzur në arenën ndërkombëtare dhe pas kësaj ushtria vrangeliste e emigrantëve caristë rusë në Jugosllavi, me përkrahjen e qeverisë së këtij vendi, vuri mjetet e saj në dispozicion të Zogut të mërguar. Duke u rifutur në Shqipëri më 14 dhjetor 1924 dhe duke mbledhur me shpejtësi fiset e veta dhe aleate malësore nën flamurin e tij, Zogu hyri triumfalisht në kryeqytetin Tiranë më 24 dhjetor. Noli iku në mërgim, ku hartoi një epitaf të saktë, ndonëse jo të plotë, për ushtrimin e tij të shkurtër diletant të pushtetit: “Duke këmbëngulur për reformat agrare, unë ngjalla zemërimin e aristokracisë së tokës, duke mos arritur t’i realizoj ato, humba mbështetjen e masave fshatare”.

 

Ndërkohë Zogu fitimtar dha shenja se kishte nxjerrë mësime prej gabimeve të Nolit dhe gabimeve të veta të mëparshme. Pasi fillimisht likuidoi ose detyroi të mërgoheshin armiqtë e tij më të rrezikshëm, më 1925 ai shpalli dhe respektoi një amnisti për kundërshtarët e rangjeve të mesme dhe të ulëta. Me kalimin e kohës, ai gjithashtu bindi një pjesë të rëndësishme të inteligjencies modernizuese t’i shërbente kombit, duke vënë aftësitë e saj në dispozicion të regjimit të tij; në të njëjtën kohë me këtë ai e bënte veten më pak tërësisht të varur prej pasuesve të tij fisnorë dhe ish-osmanë. Gjithashtu Zogu u tregua në mënyrë skrupuloze i kujdesshëm të siguronte legjitimitetin formal, ndonëse të manipuluar, kushtetues dhe parlamentar të të gjitha veprimeve të tij politike, duke përfshirë zgjedhjen e tij si president më 31 janar 1925 dhe marrjen e statusit mbretëror si “Zogu I, mbret i shqiptarëve” më 1 shtator 1928. Në mënyrë domethënëse, në këtë rast të fundit, emri i tij arab, Ahmet u braktis, ashtu sikurse kishte hequr prapashtesën turke të mbiemrit të tij, i cili tani, si fjalë e pastër shqiptare që do të thoshte “zog”, u bë emërtimi i tij mbretëror.

Megjithëse në dhjetor 1924 ishte rikthyer në pushtet me bashkëpunimin e jugosllavëve, Zogu e kuptoi shpejt që vetëm Italia ishte në gjendje t’i jepte atij subvencionet financiare bujare të nevojshme për të konsoliduar regjimin e tij; rrjedhimisht, menjëherë dhe pa sentimentalizma, ai kishte ndryshuar besnikëritë e veta diplomatike.

Ndërsa në gjysmën e parë të viteve 1920 në Shqipëri kishte pasur të paktën një turbullirë apo kryengritje rajonale në vit, këto rreshtën pas 1926, kur Zogu shkatërroi një kryengritje të fundit të financuar nga padronët e vet të dikurshëm, jugosllavë. Natyrisht, ai e arriti këtë qetësi politike relative nëpërmjet sulmeve ndëshkimore dhe ligjit të gjendjes së jashtëzakonshme, por qysh atëherë vendit iu kursyen luftërat e mëparshme kronike civile dhe episodet e mëvonshme të dhunës politike ishin pak më shumë se përpjekje trashanike të atyre që kërkonin poste për të vrarë apo për t’i bërë pritë Zogut. Në fakt, marrja prej tij e titullit mbretëror më 1928 mund të ketë qenë menduar si një shenjë që gjatë jetës së tij nuk do të lejohej asnjë krizë tranzicioni, që mund t’i rihapte dyert një lufte civile.

Zogu pati një sukses të ngjashëm në frenimin shkallë-shkallë të institucionit të hakmarrjes dhe të gjakmarrjes dhe në zëvendësimin e këtyre instrumenteve ligjore primitive me kode moderne civile (1929), penale (1930) dhe tregtare (1931). Banditizmi tradicional u shtyp dhe politikat fiskale dhe tatimore u reformuan, për të krijuar siguri tek investitorët e mundshëm të huaj dhe për të inkurajuar borgjezinë vendëse që po lindte. Nga ana tjetër, reforma agrare eci në mënyrë jashtëzakonisht të ngadalshme dhe të matur, vetëm rreth 8 për qind e tokës në pronësi të shtetit dhe 3 për qind e sipërfaqes së pronave të zotëruara nga privatët iu shpërndanë fshatarëve pa tokë. Pra, në tërësi, Zogu me sa duket arriti në përfundimin se pronarët e tokave, udhëheqësit e fiseve, burokratët dhe tregtarët ishin shtylla më thelbësore për regjimin nga ç‘ishte shumica fshatare përgjithësisht memece.

 

Pra, ndërsa politika e brendshme e Zogut qe e efektshme në zotërimin e problemeve të konsolidimit politik dhe administrativ të vendit dhe në realizimin e një përparimi të ngadaltë, por të prekshëm drejt modernizimit ekonomik dhe kulturor, politika e tij e jashtme, në një këndvështrim afatshkurtër, nuk arriti ta ankoronte fort pavarësinë e Shqipërisë në sistem evropian të shteteve. Megjithatë, këtu problemet e tij dilnin mjaft përtej aftësive të Shqipërisë apo të vetë atij për të kontrolluar ose vepruar, qoftë edhe me diplomacinë më të mençur. Sikurse u përmend më parë, fuqitë e tjera të mëdha njohën pretendimin e Italisë për hegjemoni mbi Shqipërinë, duke i hequr kështu Zogut çdo mundësi reale që të siguronte mbështetje të efektshme ndërkombëtare, për t’i dhënë fund kësaj vartësie të rrezikshme dhe poshtëruese nga Roma. Veç kësaj, Italia ishte padyshim shumë bujare në ndihmën ekonomike dhe fiskale. Së fundi, mbrojtja e saj për këtë protege ballkanik shërbeu për të frenuar dëshirat zakonisht të fshehta dhe herë-herë të hapta të jugosllavëve dhe grekëve për ta ndarë Shqipërinë ndërmjet tyre. Pra, në analizë të fundit, interesi italian për Shqipërinë, ndonëse pa dyshim imperialist, nuk ishte krejt pa përfitim për shtetin klient. Problemi i Zogut ishte të vendoste një drejtpeshim midis nevojës së tij për kapitalin italian, nga njëra anë, dhe , në anën tjetër, shqetësimit të popullit të vet, sidomos të inteligjencies së re, që e shihte patronazhin italian si një poshtërim kombëtar. Krenaria e tij personale dhe vendosmëria për të qenë zot i vetes ishin një faktor i tretë në këtë veprim ekuilibrues.

Zogu dhe ministri i jashtem italian Konti Ciano

Lidhjet e hapta të Zogut me Italinë filluan me Traktatin e Parë të Tiranës të 27 nëntorit 1926, të cilin ai e përfundoi si një reagim të kuptueshëm ndaj financimit nga Jugosllavia të një kryengritjeje serioze dhe ndoshta separatiste në fillim të atij muaji. Të dy partnerët u angazhuan për mbështetje të ndërsjelltë në ruajtjen e statukuosë territoriale, juridike dhe politike të Shqipërisë dhe, veç kësaj, Musolini u angazhua në mënyrë të njëanshme ta jepte këtë mbështetje vetëm si përgjigje ndaj një kërkese të shprehur shqiptare. Një vit më vonë, më 22 nëntor 1927, Traktati i Dytë i Tiranës i zgjeroi këto angazhime në një aleancë mbrojtëse – përsëri duke pasur ndër mend Jugosllavinë dhe Greqinë – që parashikonte dërgimin e një misioni të madh ushtarak italian, për të stërvitur dhe zhvilluar ushtrinë shqiptare. (Nga ana tjetër, xhandarmëria mbeti nën kontrollin personal të Zogut, nëpërmjet oficerëve britanikë të pajtuar individualisht).

Ndonëse tani kapitalet italiane rodhan në ekonominë shqiptare dhe financimet e drejtpërdrejta italiane i lejuan qeverisë shqiptare të ekuilibronte buxhetin e saj, Zogu shpejt nisi të trembej për pavarësinë e vet dhe të vendit të tij dhe nisi t’u rezistonte ambicieve të mëtejshme italiane. Më 1931, ai nuk pranoi të përtërinte Traktatin e Parë të Tiranës; më 1932, ai hodhi poshtë një ofertë të Musolinit për bashkim doganor, dhe, më 1933, shtetëzimi prej tij i shkollave fetare dhe private ishte një veprim i nënkuptuar antiitalian. Zogu shkarkoi disa prej këshilltarëve të tij italianë dhe kërkoi një afrim me fqinjët e vet të drejtpërdrejtë, Greqinë dhe Jugosllavinë, dhe mbështetje diplomatike prej qeverive më të largëta, por më të fuqishme të Francës dhe Britanisë. Por këtu ai gjeti përballë një mur të fortë. As Parisi, as Londra nuk ishin të gatshme të preknin Romën për një çështje të dorës së tretë.

Angazhimi gjatë një gjysmë dhjetëvjeçari i Musolinit me pavarësinë e Austrisë, pastaj me fushatën e tij të Abisinisë dhe, më në fund, me Luftën Civile në Spanjë u dhanë Shqipërisë dhe Zogut një armëpushim të zgjatur dhe dehës, por të gënjeshtërt. Një kompromis i përkohshëm u arrit më 1936; kushtet ishin njëfarë triumfi mbrojtës për Shqipërinë, duke pasur parasysh përshpejtimin e forcave midis protagonistëve, edhe pse Italia ruajti një ndikim të fortë në ekonominë dhe administratën e vendit të vogël. Por, kur vëmendjen e tij nuk e tërhiqnin më çështje të tjera ndërkombëtare, Musolini veproi me shpejtësi dhe pa mëshirë. Më 25 mars 1939, ai paraqiti një ultimatum, duke kërkuar një protektorat zyrtar italian mbi Shqipërinë dhe vendosjen e garnizoneve italiane në territorin e saj. Kur Zogu u vonua, vendi i tij u bombardua, u sulmua dhe u pushtua me shpejtësi midis 7 dhe 10 prillit 1939 dhe Zogu u largua në mërgim.

Politika e Shqipërisë ndërmjet dy luftërave – që do të thotë sundimi i Zogut-është një temë intriguese. Regjimi i tij ishte një përzierje interesante dhe në evoluim i stileve të një kryetari fisi, të një banditi luftëtar, të një pashai osman dhe një despoti modernizues. Ai ishte autoritarit si rezultat i impulseve dhe kërkesave të vetë personalitetit të ashpër të Zogut, i kompleksit të ndërlikuar të interesave të brendshme dhe i pozitës së lëkundur ndërkombëtare të Shqipërisë. Ai ishte i korruptuar dhe shtypës, por ai gjithashtu e bashkoi dhe e modernizoi vendin dhe u pranua nga kombi si më i parapëlqyer në krahasim me anarkinë dhe kaosin që i paraprinë atij. Në politikën e jashtme, Zogu ishte edhe ku kujdesshëm, edhe pragmatik. Në të vërtetë, ai acaroi disa nacionalistë shqiptare, sepse kurrë nuk parashtroi kërkesa irredentiste ndaj Jugosllavisë dhe Greqisë, me përjashtim të faktit që e shpalli veten “mbret të shqiptarëve”. Për sa i takonte Italisë, ndihma ekonomike e së cilës ishte dëshpërimisht e nevojshme për vendin e tij të pazhvilluar, Zogu “u nënshtrua, kur duhej të nënshtrohej, rezistoi, kur mundi dhe përfitoi nga të dyja këto”. Në analizë të fundit, të kesh arritur në vetëm dy dhjetëvjeçarë konsolidimin e shtetit të ri shqiptar përballë ndikimeve të regjonalizimit dhe tribadizmit, përballë trysnive të traditës së frondeur dhe të banditizmit, përballë gërryerjeve të varfërisë dhe analfabetizmit masiv dhe përballë rreziqeve të një sistemi ndërkombëtar që lejonte fqinjët grabitqarë të mohonin vetë legjitimitetin e një Shqipërie të pavarur, ishte një arritje politike e lëvdueshme.

* Autori ka qenë prof. i shkencave politike në universitetin e Kolumbias NeW York. Libri i tij konsiderohet si një nga kontributet më me vlerë për historinë e Europës Qendrore dhe Lindore