• |
ide | kryesore

Pse shqiptarët e Greqisë duhet të votojnë Syriza-n

Arkiva, Ide
Andi_Bushati (1)_22.jpg



Zgjedhjet e 25 janarit në Greqi përbëjnë një paradoks për emigrantët shqiptarë që jetojnë atje. Ndërkohë që qeveria e majtë vendit të tyre është rreshtuar hapur me eurokratët që e shohin si një katasrofë fitoren e pritshme të Syriza-s, interesi i afro 1 milionë shqiptarëve është i kundërt me të. Ndërsa institucionet e Brukselit (që shiten në Tiranë si ëndrra pa alternativë për ne) po luajnë përditë e më shumë me kartën e frikës, ata kanë arsye të jenë më të qetë.

Në fakt, që në fund të vitit të shkuar, kur u pa se mundësia e votimit të një presidenti të ri në Athinë do të dështonte dhe se zgjedhjet e parakohshme ishin në prag, i gjithë establishmenti europian u hodh në sulm për të ndaluar një fitore të mundshme të liderit karizmatik të të majtës radikale, Aleksis Cipras.  Presidenti i Komisionit  Europian Zhan Klod Junker deklaroi publikisht  se ai “dëshironte të shikonte fytyra familjare në janar në Athinë”. Me të njëjtin stil, kancelaria gjermane Anxhela Merkel, nuk e përgënjeshtroi një rrjedhje lajmi të provokuar vetë për gazetën Der Spiegel, që i atribuonte asaj thënien : «Në rast fitoreje të Syrizas, ajo do ta lejonte Greqinë të dilte nga euro». Po në të njëjtën linjë, por me një paturpësi më të madhe, kryeministri në largim i Greqisë, Samaras, e çoi edhe më tej provokimin gjatë marshimit të Parisit për viktimat e «Charlie hebdo», ku ai gjendej krahas Merkelit, Holandit, Renzit e Ramës. Ai bëri një lidhje të çuditshme mes atentatorëve dhe konkurrentit të tij Aleksis Cipras : «Këtu në Paris u prodhua një masakër me 12 të vdekur, ndërsa në Greqi disa premtojnë më shumë emigracion ilegal dhe natyralizime të plota. Syriza është në një planet tjetër».

Propozimet e Aleksis Cipras për emigracionin kanë trembur shumë konservatorët grekë, por edhe zyrtarët europianë. Programi i tij politik, kur shpalli një vit e pak më parë ambicien për të qenë kandidat i së majtës europiane për drejtues i Komisionit Europian, kërkonte shembjen e një «kështjelle europiane»,  që shërbente si mburojë e ksenofobisë, racizmit dhe fashizmit. Ai, atëherë kërkonte «modifikimin e arkitekturës europiane për emigrimin dhe të drejtën e azilit» dhe nuk e shihte zgjidhjen tek vrasja e klandestinëve në detin Mesdhe, por tek ndihma ekonomike për vendet nga vijnë këta emigrantë dhe nga integrimi i tyre në mënyrë të barabartë nga të gjitha vendet e BE-së.

Këto propozime drithëruese për establishmentin drejtues të Europës së sotme, nuk janë të vetmet që e bëjnë Aleksis Cipras të shikohet me frikë.  Fitorja e tij perceptohet si ajo e njeriut që do ta ndajë Greqinë me euron, që do t'u japë fund masave shtrënguese, që do të rishohë memorandumin dhe marrëveshjet e nënshkruara me trojkën. Ndaj shumëkush nga ata që i friksohen një fitoreje të Syrizës pyet : Çfarë do të ndodhte nëse ashtu sikurse bëri Qipro në vitin 2013 parlamenti i ri grek do të refuzonte masat shtrënguese dhe bashkë me to «planin e ndihmës» europiano- gjerman? A do të ndërhynte banka europiane për të bllokuar furnizimin me monedhë dhe për të ndërprerë transaksionet e bankave greke me ato të eurozonës? Ku do t'i gjente Greqia të 20 miliardët që ajo i detyrohet borxhlijve të saj për vitin 2015? A do të falimentonte vendi pas kësaj dhe a do të shtrihej epidemia në Evropë?

Të gjitha këto pandehma alarmiste po bëhen gjithnjë e më të forta kur sondazhet e ditëve të fundit jo vetëm e nxjerrin fitues Aleksis Ciprasin (33,5%), por ato i japin atij edhe mundësinë teorike të një fitoreje pa aleatë (sipas ligjit grek, partia e parë merr edhe 50 deputetë bonus pas fitores në një parlament me 300 vende).

Por ndryshe nga sa parathonë ato, emigracioni shqiptar në Greqi duhet të ndihet më i sigurtë me ardhjen në pushtet të këtij lideri të lindur fill pas rënies së diktaturës së kolonelëve (korrik 1974) dhe që po kërkon të përmbysë rendin e gjërave në tokën helene. (shih shkrimet poshtë të botuara në Lapsi.al)

Së pari, sepse pikpamjet e tij për emigracionin janë shumë tolerante dhe të bazuara tek idealet e një Europe iluministe, të ngritur mbi vlerat e barazisë dhe vëllazërisë tek të cilat ai beson. Janë ende emblematike thëniet e tij për të spjeguar mosfunksionimin e shtetit burokratik grek: “Unë nuk e di nëse mundem ta regjistroj të punësuarin tim shqiptar. Një zyrtar më thotë po, një tjetër më thotë jo. Duhet ta përzëmë këtë burokraci që po na vret”.

Eshtë ende simbolike vajtja e tij në pritjen e presidentit grek Papulias jo duke mbajtur përkrah si gjithë liderët e tjerë të shoqen e tij (me të cilën ka dy fëmijë) por një emigrante afrikane.

Për të gjithë emigrantët shqiptarë, që kanë vuajtur për një kohë të gjatë nga racizmi dhe ksenofobia, fitorja e Ciprasit do të qe një revansh i ëmbël, në një Greqi ku ata po ndërtojnë jetën e tyre. Edhe për ata që janë natyralizuar, që kanë marrë dokumentat dhe nuk kanë më shqetësime, kjo do të ishte një homazh në emër të së shkuarës së tyre.

Por problemi nuk është vetëm moral. Ai është gjithashtu ekonomik. Në rast të një fitoreje të dielën e 25 janarit, Aleksis Cipras, është zotuar ta rikthjejë pagën minimale nga 684 në 751 euro. Ai  është zotuar për shëndetësi dhe elektricitet falas për më të varfrit dhe po ashtu për shpërndarjen e bonove ushqimore për ta. Duke qenë se një pjesë e emigrantëve shqiptarë  janë ende në gjendje të nderë, propozimet e Syrizas u drejtohen edhe atyre.

Përpos arsyeve pragmatike ka dhe një arsye historike se përse emigracioni shqiptar duhet të bëhet pjesë e këtij ndryshimi. Fitorja e mundshme e Syrizës do ta kthejë njëherë e përgjithmonë rotën e ngjarjeve. Ajo do t'i japë fund dominimit të familjeve të mëdha, (Micotaqis, Papandreu, Karamanlis) që kanë ndërtuar Greqinë e sotme, Greqinë e kontrasteve haluçinante, Greqinë e diferencave të egra, Greqinë e pasurisë dhe pushtetit të mbledhur në pak duar, pra shkurt Greqinë që prodhoi këtë krizë të rëndë për qytetarët e saj. Duke qenë në shumicën e tyre pjesë e shtresave të margjinalizuara, që i kanë vuajtur mëkatet e kësaj Greqie të padrejtë, emigrantët shqiptarë duhet të rreshtohen në anën e këtij ndryshimi. Sepse vetëm kështu ata mund të bëhen faktor më i rëndësishëm i një Greqie të re që mund të lindë.

Edhe për këtë arsye ata duhet të votojnë Syrizën e Aleksis Tsiprasit, pavarësisht nga mesazhi i heshtur që u dërgojnë qeveritarët e Tiranës, servilë të Berlinit dhe Brukselit.

Lapsi.al