• |
ide | kryesore

Pse votoj Syrizën

Arkiva, Ide
blushi_3.jpg



Grekët nuk janë sot populli më simpatik në Europë. Megjithëse askush nuk është. As gjermanët që janë më të pasurit. As francezët që janë më të sulmuarit. As finlandezët që janë më të lumturit. Europa ka pak entuziazëm dhe shumë pak gëzim për të shprehur simpati për ndokënd. Kohët e fundit është një kontinent i ngrysur, që nuk i pëlqen asgjë dhe që në përgjithësi ka harruar të qeshë.

Disa vjet më parë, grekët ishin populli më antipatik në Europë. Kur filloi kriza, europianët e thjeshtë u bindën se në kohën që ata punonin, grekët harxhonin paratë e veta dhe të të tjerëve, duke kënduar dhe duke u nxirë nëpër plazhe. Deri diku ishte e vërtetë, sa ç’është e vërtetë se nga antipatia lind mëshira dhe nga mëshira lind simpatia. Ndoshta këtu jemi sot.

Grekët rrezikojnë të kthehen në një popull simpatik. Nëse kjo është një simpati e rrezikshme, duket se ata kanë vendosur ta marrin përsipër. Duke kundërshtuar. Dhe duke votuar për Syrizën.

Syriza është partia që po i bind se për të ndryshuar Greqinë duhet të kundërshtojnë Europën. Jo Bashkimin Europian si institucion, si frymë, si urë dhe si arkitekturë, por masat e rrepta fiskale që janë imponuar prej tij. Është njëlloj si të kërkosh te ndalosh një makinë që të pëlqen, nga frika se mund të të shtypë. E kujt nuk i ka ndodhur të mbrohet nga një Mercedes i rëndë dhe metalik që vrapon pa parë ku shkel, me bindjen dhe kokëfortësinë se fuqia që ka për të ecur shpejt është testi i përsosmërisë së tij? Këtë ndjenjë kanë provuar grekët në këto vite. A kanë të drejtë të mbrohen? Ata besojnë se po. Kanë të drejtë të mbrohen nga makina që u pëlqen. Edhe unë besoj se po. Kanë të drejtë të negociojnë kushtet e kalimit në rrugë. Sepse rruga nuk është krijuar për të kaluar vetëm një makinë, sado e përkryer qoftë ajo.

Që nga fillimi i krizës greke në vitin 2008, Greqia është detyruar të marrë mbi 300 miliardë euro borxh për të mbajtur në këmbë ekonominë e saj. Ndryshe shteti do kishte falimentuar. Do ishte mbyllur, siç mbyllet një ndërmarrje, që nuk paguan dot punonjësit e vet. Për të paguar borxhet, Greqisë i është dashur të ulë deficitin, të reduktojë pagat dhe pensionet, të shkurtojë administratën e mbipopulluar dhe të shesë disa nga asetet e saj më të çmuara me çmime të pafavorshme. Rezultati sot është i dhimbshëm: 25 për qind e grekëve janë të papunë.

Syriza që fiton të dielën i ka bërë grekët të besojnë se mund të negociojnë kushtet e borxhit. Pra, të reduktohet një pjesë e tij duke ndryshuar kohën dhe këstet e kthimit. Ndoshta kjo përpjekje mund të jetë një utopi. Dhe ka shumë gjasa të jetë, sepse është e vështirë të bindësh një “Mercedes” të ulë shpejtësinë për t’u parakaluar nga një gomar. E megjithëse kjo është një metaforë, që nuk krahason grekët me gomerët, kështu mendon një “Mercedes”. Sepse të jesh “Mercedes” nuk ke arsye të kesh ndjenja, mjafton të kesh shpejtësi.

Por edhe nëse sentimenti grek për të kundërshtuar morsën fiskale  rezulton një utopi, sërish do ishte një utopi lëvizëse. Pra, një dorë që mund të ndryshojë një mur pa e goditur atë, por vetëm duke menduar për shtegun që vjen pas murit. Utopitë kanë pasur gjithmonë fuqinë për të ndryshuar atë që nuk ndryshon dhe njerëzimi do ishte i pafat sikur të mos e kishte aftësinë për të qenë utopik. Që nga nevoja për barazi e deri tek etja për komunikim në distancë, pra te celulari, pesë shekuj më parë ishin utopi. Celularin e kemi, barazinë luftojmë për ta fituar. Çdo ditë. Dhe kemi shpresë. Sepse jemi utopikë e, për sa kohë jemi utopikë, jemi të shëndetshëm.

Ndoshta fitorja e Syrizës mund të mos jetë e shëndetshme, por ajo është e shijshme. Dhe jo vetëm për grekët që tani kanë bindjen se nuk po votojnë për të ndryshuar Greqinë, por Europën. Kjo është një shije legjitime, sidomos kur vjen nga popuj të vegjël, të cilëve tregjet ia kanë hequr këtë mundësi prej dekadash. Por fitorja e grekëve nuk mund të qortohet dhe aq më pak mund të ndëshkohet. Të gjitha deklaratat kundër preferencave elektorale të grekëve në të vërtetë janë frikë. Frikë nga ndryshimi. Që mund të kthehet në virus. Kjo është frika e “Mercedes”-it, se gomari mund t’i imponojë një shpejtësi tjetër. Ne jetojmë me bindjen e shëndetshme se edhe makinat kanë dhe duhet të kenë frikë dhe zgjedhjet greke janë një mundësi për ta provuar.

Prandaj, nëse do isha grek, do votoja të dielën për Syrizën. Jo si socialist. As si rebel. Aq më pak si utopik. Por si europian. Sepse dua të besoj në fuqinë që kanë përrallat për të krijuar utopi. Dhe përralla me gomerë ka, por me makina as ka pasur dhe as do ketë./Lapsi.al/