• |
ide | kryesore

Çdo të ndodhë ne Greqi pas fitores së Syriza?

Arkiva, Ide
greq.jpg



Bibla e ekonomisë europiane Financial Times i ka dhënë sot përgjigje të gjitha dilemave që shoqërojnë ardhjen e radikaleve të majtë grekë në pushtet.

Pyetja: Fitorja e thellë e partisë së majtë radikale Syriza në zgjedhjet greke të së dielës, nënkupton se një përplasje mbi lehtësimin e borxheve është e pashmangshme, midis Athinës nga njëra anë, dhe BE-së e kreditorëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar nga ana tjetër?

Përgjigje: Hendeku mes Syriza-s dhe kreditorëve është i madh, dhe nuk do të jetë i lehtë për t’u kapërcyer. Në terma afatshkurtër, do të jetë në interesin e të dyja palëve që të ndërmarrin hapin e thjeshtë, por shumë të dobishëm, të shtimit të ndihmës financiare ndaj Greqisë përtej 28 shkurtit, kur paketa parashikohet të  përfundojë.

Pyetje: Cili do të jetë efekti i zgjatjes së afatit kohor të paketës së shpëtimit?

Përgjigje: Më së pari, ajo do t’i mundësojë Bankës Qendrore Evropiane të vazhdojë të sigurojë likuiditet për bankat greke në kushte të favorshme. Kjo nga ana e saj, do të jetë vendimtare në një kohë të pasigurisë së lartë politike, që rrezikon vazhdimin e tërheqjes së depozitave nga sistemi bankar, që rinisi para zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Pyetje: Por kjo zgjatje e ndihmës financiare, a do të sjellë më pas një marrëveshje të afërt për lehtësimin e borxheve?

Përgjigje: Në një botë ideale, zgjerimi i afatit të shpëtimit, do t’i jepte kreut të Syriza-s, Aleksis Cipras por edhe kreditorëve, kohën e nevojshme për të marrë frymë thellë. Pas kësaj, ata do të mund të konsideronin opsionet, sesi të arrihej një kompromis më afatgjatë, pa rrezikuar anëtarësimin e Greqisë në eurozonë, që nëse do të ndodhte do të ishte padyshim një ngjarje me pasoja të paparashikueshme për zonën me 19 anëtarë.

Pyetje: Pra, Greqia nuk do të dalë jashtë eurozonës?

Përgjigje: Jo, asnjë qeveri e eurozonës nuk e dëshiron një gjë të tillë. Shumica e grekëve gjithashtu nuk do, kështu që do të ishte politikisht tejet e rrezikshme për zotin Cipras, që të ndërmarrë ndonjë hap që do të rrezikonte daljen nga eurozona. Por për të shmangur ndonjë aksident të mundshëm, lideri i Syriza-s duhet të mbajë nën kontroll militantët e tij të ekstremit të majtë.

Pyetje: Sa hapësirë ka Syriza për të luajtur fort me BE dhe FMN-në?

Përgjigje: Jo shumë. Pasi kësti i radhës prej 4.3 miliardë eurosh nga pagesa e borxhit duhet që të shlyhet brenda muajit mars. Ndërkohë më shumë se 6 miliardë euro të tjera duhet që të paguhen në muajt korrik dhe gusht. Borxhi afatshkurtër i qeverisë ndoshta mund të negociohet, për të mbuluar nevojat e financimit të Greqisë në të ardhmen e afërt. Por nëse Syriza nuk ka ndërmend që të shpallë falimentin e vendit, ajo do të ketë nevojë për asistencë nga huadhënësit e saj, më së paku për dhënien e një pakete shtesë prej 7 miliardë eurosh, para që Greqia shpresonte t’i merrte që vitin e shkuar, si dhe një linjë të re kreditimi parandalues dhe ndihmë e vazhdueshme për bankat greke nga BQE-ja.

Pyetje: Çfarë shansi ka Syriza që të sigurojë fshirjen zyrtare të një pjese të borxhit të jashtëm të Greqisë, që arrin në 175 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto?

Përgjigje: Për momentin, perspektiva duket e zymtë, veçanërisht pasi qeveria gjermane i kundërvihet fuqimisht një marrëveshje të tillë. Kancelarja Angela Merkel e di se opinioni publik gjerman e mbështet këtë qëndrim. Ajo është gjithashtu e shqetësuar nga ata që e kundërshtojnë monedhën e përbashkët evropiane, Alternativa e Djathtë për Gjermaninë, një parti kjo që po rritet ndjeshëm në vend.

Pyetje: Greqia nuk ka asnjë shans real që të mund të shlyejë ndonjëherë krejtësisht borxhin e saj?

Përgjigje: Është pikërisht kjo, ajo që zoti Cipras, por edhe shumë ekonomistë jo-grekë (por njëherazi edhe jo-gjermanë) po thonë. Por politika e eurozonës po vazhdon që të ecë në këtë rrugë. Kështu që me shumë gjasa, një kompromis i mundshëm është që kreditorët të zgjasin afatin e pagesave të borxhit të Greqisë dhe të ofrojnë norma të ulëta të interesit, apo edhe një ngrirje disavjeçare të kësaj norme. Por problemi është se Greqia ka përfituar nga lëshime të tilla në të kaluarën. Dhe me shumë gjeste të tilla, vështirë se do të arrinin të transformonin rrënjësisht dhe për më mirë perspektivën ekonomike të Greqisë.

Pyetje: Çfarë tjetër do të propozojë zoti Cipras, dhe a do të mund të marrë një përgjigje pozitive?

Përgjigje: Ai ka propozuar një marrëveshje, sipas të cilës Greqia duhet të shlyejë borxhet e saj, sipas një formule të bazuar në normat e ardhshme të rritjes ekonomike greke. Gjithashtu, ai ka propozuar mbajtjen e një konference mbi borxhin evropian, që duhet të shfuqizojë ose të ristrukturojë një pjesë të mirë të borxhit grek, ashtu sikurse u veprua me Gjermaninë në vitin 1953.

Pyetje: Si do të reagojnë  kreditorët ndaj këtij propozimi?

Përgjigje: Ata mund të jenë të hapur të ulin tepricën primare të buxhetit, që kërkohet prej Greqisë çdo vit për pjesën e mbetur të kësaj dekade. Disa qeveri, si për shembull ajo e Irlandës, janë të interesuara për mbajtjen e një konference të përgjithshme mbi borxhin. Por tek e fundit, asnjë nga propozimet e zotit Cipras për lehtësimin e borxheve, nuk do të dëgjohet me dashamirësi, përveçse nëse ai premton se do të vazhdojë reformat e thella në ekonomi dhe admiministratën publike të Greqisë.

Pyetje: Mbi cilat çështje, Syriza nuk ka gjasa që të lëkundet?

Përgjigje: Syriza ka një mandat të fortë demokratik për të qeverisur Greqinë, por arka e shtetit në Athinë është thuajse bosh. Qeveria e re do të synojë të mbajë premtimet e saj zgjedhore, kudo ku është e mundur. Për shembull, ofrimi i ndihmës së menjëhershme për të varfërit, në formën e rikthimit të energjisë elektrike dhe tallonave të ushqimit, është një mënyrë për t’i qëndruar besnik vizionit të saj të drejtësisë sociale./FT/
/bota.al/