• |
ide | kryesore

Renato i Master Chef-it: Ja recetat e mia

Arkiva, Stil
reno4.jpg



Gjatë 10 viteve të fëmijërisë që kaloi në qytetin e Fierit, para largimit në Greqi, Renato Mekolli, kuzhinieri që është bërë i famshëm në “Master Chef Albania” kishte shprehur talentin në violinë në fillim, e pastaj në këngë, por asnjëherë në kuzhinë. Përpara se të niste punë si shef në një nga restorantet më të mira të Athinës, ai ka provuar vetëm një herë të gatuajë në shqipëri, kur ishte ende fëmijë. Duke qenë që i pëlqente shumë tava me patate dhe pulë, një ditë ndërsa ishte vetëm në shtëpi, nisi ta përgatiste ashtu siç kishte parë të ëmën. Ishte vetëm shtatë vjeç. “Nxora kofshat e pulës nga frigoriferi, preva patatet si mund t’i priste një fëmijë dhe i vendosa në furrë. Prisja që të bëheshin, por furrën nuk e kisha ndezur”. lapsi.al ka botuar një profil të tij në rubrikën "Stil" ndërsa sot po sjell një intervistë që renato i ka dhënë revistës Class.

Si është një ditë jotja e zakonshme? A nis ndonjëra si nëpër filma, kur chef-at ngrihen herët për të shkuar në tregun e peshkut?
Po, edhe nis. Unë kam dyqanet e mia ku ble mishin, peshkun, por sidomos për peshkun është e rëndësishme ta zgjedh sa më të freskët. Pastaj mundohem të më ngelet kohë për veten, mos të kaloj gjithë ditën në kuzhinë. Takohem me miqtë, dalim, shkoj në palestër…Kuzhina është shumë impenjuese në të vërtetë. Me të hyrë aty, punët nuk mbarojnë. Nuk është aspak e lehtë puna e chef-it. Çdo ditë, për çdo pjatë duhet të jesh plotësisht i angazhuar dhe i përqendruar. Në restorantin, ku punoj unë, vijnë shpesh politikanë të lartë, artistë të njohur grekë e të huaj, por për mua çdo klient është njëlloj. Unë  përgatis me të  njëjtin pasion çdo gjë.

Me atë pasionin e ditës së parë?
Po, po gjithmonë me të njëjtin pasion dhe emocion. Kjo punë nuk mund të bëhet pa pasion. E vetmja mënyrë për ta vazhduar është të kesh gjithmonë dëshirë për të eksperimentuar, për të zbuluar, për t’iu gëzuar asaj që bën e për të provuar gjithmonë të bësh diçka të re, pa u lodhur dhe pa u mërzitur. Nuk mund të jenë të mira pjatat e një chef-i që punon pa dëshirë. 

Bën shpesh prova  për të krijuar pjata të reja?
Po, në fillim të çdo sezoni kur nxjerrim menunë e re.

Ku e gjen frymëzimin që krijon vazhdimisht e vazhdimisht?
Nga natyra më shumë. Në pranverë ka lule dhe pjatat e mia kanë shumë ngjyra. Vera ka produktet e detit që më pëlqejnë shumë. Mua më pëlqen t’i shijoj të gjalla. Deti është një botë e tërë mundësish.  Pastaj, dimri kërkon ushqime pak më “të ngrohta”, por jo të rënda gjithsesi.

Po nga shefat e tjerë frymëzohesh? Cilët janë idhujt e tu?
Më pëlqejnë Alain Ducasse, Ferran Adria, Rene Rexhepi, ndjek punën e tyre, por sigurisht jo për ta kopjuar sepse pastaj nuk do kishte kuptim. Çdokush duhet të arrijë të bëjë diçka të vetën.

Ti ke futur elementë të kuzhinës shqiptare në restorantin grek ku punon?
Kuzhina shqiptare është pjesë e kuzhinës ballkanike dhe mesdhetare dhe nuk mund t’i ndaj me thikë, janë disa gatime që ne i mbajmë për shqiptare, në Greqi i quajnë greke sepse jemi shumë afër. Megjithatë për mua diçka që del nga toka e një vendi mund të quhet e atij vendi. Dhe unë kam futur trahananë, harapashin, sigurisht jo kështu të thjeshta, të kombinuara me elementë të tjerë, gicin e mbushur me gështenja…

Ka ndonjë në familjen tënde, apo jashtë saj, që një recetë e gatuan më mirë sesa ty, që dhe pse mundohesh, nuk ua kalon dot?
Oh, po mami dhe tezja i gatuajnë më mirë sesa unë gatimet tradicionale, byrekun për shembull. Jashtë familjes pastaj sigurisht që ka shumë chef-a që gatuajnë më mirë. Unë nuk jam më i miri.

Cila është pjata jote e preferuar? Një gatim që nuk të mërzitet kurrë.
Supat, më pëlqejnë.  Të lehta, me perime, pak kremoze, që mund t’u shtoj ndonjë karkalec për shije…

Kur mblidhesh me miqtë, të shfrytëzojnë ata, në kuzhinë?
Mundohem që si e si ta shmang rolin e kuzhinierit jashtë kuzhinës.

Po në shtëpinë tënde nuk gatuan?
Gatuaj rrallë, sepse kaloj kohë jashtë, shpesh ha dhe në restorantin ku punoj.

Po kur ndodh, gatuan vetëm për vete, apo …?
Mmmm…mund të ndodhë që të gatuaj vetëm për vete, por hamë gjithmonë dy.

Hë pra! Poston ndonjëherë edhe foto nga dhoma e gjumit. I bën vetë, apo…?
Po, si e thashë, unë nuk ha vetëm. As nuk fle vetëm. Mua më pëlqen të zgjohem afër personit që dua, më pëlqen të jem i dashuruar.

Nëse do duhej ta përcaktoje veten me shije, si do ishe?
Unë jam pak nga të gjitha. Jam pak i athët. Pak i kripur. Po dhe i ëmbël.

A kombinojnë këto shije?
Po, po kombinojnë shumë :).