• |
ide | kryesore

Reportazh/ Fshati indian bëhet me frigorifer për herë të parë

Arkiva, Planet
frigo.jpg



Santosh Choedhury po lëviz sa poshtë e lart duke folur në celular. “Edhe sa kohë?” – pyet ai i nervozuar. Kjo është një ditë e madhe për të dhe për fshatin Rameshëarpur, në periferi të Kalkutës në Indinë Verilindore. Santosh sapo ka blerë një frigorifer të ri. Jo vetëm të parin për të, por të parin për të gjithë fshatin prej 200 banorësh.

“Të kesh një frigorifer është tepër e rrallë në një fshat si i yni” – thotë ai. Bota po bëhet gjithnjë e më e pasur, por hendeku midis të pasurve dhe të varfëve po zgjerohet gjithashtu. Mungesa e frigoriferëve në Rameshëarpur reflekton situatën në të gjithë Indinë. Vetëm 1 në 4 shtëpi në vend kanë një të tillë. Në vendet e zhvilluara mesatarja është 99% e shtëpive që kanë frigorifer. Ndryshimi mund të jetë i shpejtë nëse lidhet me një klasë të mesme në zhvillim. Në vitin 2004, vetëm 24% e shtëpive në Kinë zotëronin një frigorifer. 10 vite më vonë, shifra është 88%.

“Ky i yni është i pari brez që zotëron një frigorifer nga e gjithë familja ime. As babai dhe as gjyshi im nuk kanë parë ndonjë të tillë” – thotë Santosh.

Rameshëarpur ka një frymë tepër rurale. Njerëzit lahen në një pellg në mes të fshatit, fëmijët ngrenë balona në rrugët me pluhur. Shtëpitë janë pak më shumë se kasolle, të ndërtuara me baltë dhe tulla. Por fshati ka elektricitet dhe shumë shtëpi kanë televizorë.

Santosh punon si rrobaqepës. Ai jeton në një kasolle modeste me dy dhoma që shërbejnë si shtëpi dhe mjedis pune. “Nuk kam një punë të rregullt. Ndonjëherë punoj me kohë të pjesshme në një fabrikë. Fitoj rreth tre-katër dollarë në ditë” – thotë ai.

Jeta është tepër e vështirë. Veçanërisht për gruan e tij, Sushoma. Ajo gatuan drekën, duke përzierë një enë me oriz në një zjarr me dru jashtë kasolles së tyre. Është diçka që ajo e bën çdo ditë, sepse ata nuk kanë mundësi të ruajnë ushqimet e mbetura. Ndaj Santosh duhet të shkojë në treg çdo mëngjes për të blerë produkte. Ai gjithnjë ka dashur ta bëjë jetën më të thjeshtë për gruan e tij dhe ka ëndërruar prej 10 vjetësh të blejë një frigorifer. “Të kesh një syresh, do të jetë një lehtësi. Nuk të duhet të blesh perime çdo ditë, mund ta ruash vaktin, veçanërisht në verë” – thotë ai.

Ndaj Santosh ka kursyer shumë, ka lënë mënjanë pak para për çdo muaj për të blerë atë që kushton më shumë se rroga mujore. “Nuk fitoj aq shumë para, kjo është arsyeja përse m’u desh kaq shumë. Por tani kam mjaftueshëm” – thotë ai duke buzëqeshur. Në një nga dyqanet e rrugës kryesore të Kalkutës, rreth 15 km nga shtëpia e tij, Santosh pa disa modele nga ku mund të zgjidhte. Duke kërkuar, ai hasi me një model të kuq. “Ishte shumë çorientuese. Ishte hera ime e parë. Nuk mund ta ndaja mendjen cilin të merrja. Gruaja ime donte një të kuq. Unë doja atë që konsumon më pak energji. Duhet të mos i rrisim faturat”. Më në fund, marrëveshja u krye. Santosh mori një ulje pasi ishte java e fundit e shitjeve të dimrit. Çmimi ishte 11,000 rupi (180 dollarë), por më e rëndësishmja është se ai mund të paguajë me këste dhe dha vetëm gjysmat e parave në fillim.

“Nuk ka më pagesa në para si dikur, tani të gjithë mund të marrin një kredi nga banka ose nga dyqani, duhet vetëm një deklaratë banke dhe karta e identitetit. Për këtë arsye, shumë persona të varfër mund të përballojnë blerjen e një frigoriferi” – shpjegon Pintoo Mazumdar menaxheri i dyqanit.

Frigoriferi i Santoshit më në fund mbërrin i transportuar nga një lloj tricikli karakteristik indian. Ai ecën krah tij me një buzëqeshje të madhe. Shumica e fshatarëve dalin në rrugë dhe ngrenë qafat për të parë më mirë.

“Me kujdes, me kujdes”, thërret ai ndaj djemve që po e ndihmojnë ta fusë frigoriferin në shtëpi.

Më pas është koha për një ceremoni fetare. Gruaja e tij i vë njollën e kuqe tradicionale për të mbajtur larg shpirtrat e këqij dhe për t’i dhënë frigoriferit bekim. Vendi ku vihet frigoriferi është vend nderi, pranë makinerisë së punës së Santoshit dhe ngjitur me televizorin e vogël.

Ata janë aq të lumtur sa nuk u ikën buzëqeshja./bbc/