• |
ide | kryesore

Kur Edi Rama të dënon në emër të popullit

Arkiva, Ide
mandi edit.jpg



Në pamundësi për t’u dhënë shqiptarëve lugën e florinjtë që u premtoi gjatë fushatës (rritje ekonomike, vende pune, ulje çmimesh, heqje tvsh për energjinë, shëndetësi falas, etj etj) kryeministri Rama po u jep gishtin e mesit që ta përdorin kundër njëri- tjetrit. Kështu, falë denoncimeve online, telefonatave apo letrave anonime, njerëzit janë ftuar të bëhen pjesë e një fushate, që më shumë se luftë kundër korrupsionit është një mundësi për të shfryrë ndaj më të dobëtve zemërimin qytetar. 
Si kompensim për paaftësinë e saj për të qeverisur si duhet, për të reformuar sistemin dhe për të goditur korrupsionin e vërtetë, qeveria po u hedh njerëzve të zhgënjyer disa viktima për t’i bërë kurban. Një infermiere me 200 lekë bakshish, një drejtoreshë dhe një nëndrejtoreshë shkolle janë sakrificat e para në emër të luftës antikorrupsion. Sa qesharake është katandisja e një sfide madhore në denoncime alla sigurim, aq tragjike janë pasojat e hileve të tilla qeveritare. Jo vetëm sepse e bëjnë nul betejën e vërtetë kundër korrupsionit, por edhe sepse e denigrojnë karakterin e individit, e nxisin të veprojë në emër të hakmarrjes dhe jo të drejtësisë. Eshtë e njohur teoria se kur nuk ke mundësi t’u ofrosh qytetarëve një jetë më të mirë, jepu atyre rastin ta shfryjnë zemërimin jo ndaj qeverisë, por ndaj “armikut të klasës”. Dhe në këtë rast armiku i klasës janë pikërisht zyrtarët e nivelit të fundit, të cilët turbullojnë ujin që buron i pastër nga zyra e kryeministrit.
I magjepsur thuajse hapur nga metodat e Enver Hoxhës, edhe në këtë rast, Edi Rama po tenton të aplikojë denoncimet e ndëshkimet popullore për të mbajtur të shfryrë pakënaqësinë e qytetarëve. Promovimi i fushatave demaskuese me frymë inkuizicioni, në emër të idealit suprem që e mishëroka kryeministri, mban brenda vetes rrezikun e degjenerimit të së ashtuquajturës luftë antikorrupsion në hakmarrje për interesa meskine dhe banale. Fakti që një kryeministër merret personalisht me ndëshkimin e një drejtoreshe shkolle dhe e propagandon atë në profilin e tij në facebook si sukses të denoncimit popullor, është një shenjë e keqe dhe e zymtë për lirinë dhe të drejtat e çdo individi. Si mundet kryeministri që denoncimin ta marrë për fakt të kryer pa asnjë hetim paraprak, si mund të luhet kështu me fatet e njerëzve, a mund t’u hiqet atyre buka e gojës vetëm e vetëm për të treguar se qeveria po luftoka korrupsionin, se ajo di të bëjë shembuj, dmth kurbane, në emër të çështjes së madhe. Për kryeministrin ka mjaftuar kallëzimi online i një mësuesi dhe me atributet e Gjykatësit Suprem Popullor ai ka nxjerrë në rrugë dy gra që nuk dihet nëse janë ose jo fajtore.
Ky shembull i “udhëheqësit” vetëm luftës antikorrupsion nuk i shërben. Ai mund të nxisë njerëzit që ta keqpërdorin denoncimin e abuzimeve të vërteta si hakmarrje personale. Mund të krijojë një gjendje terrori të panevojshëm tek infermierët e mësuesit, ndërsa shefat e tyre bëjnë kërdinë me tendera e vende pune. Populizmi primitiv i kësa medek beteje “të duarve të pastra” mund të prodhojë një armatë qytetarësh të çoroditur, që të pafuqishëm të ndryshojnë fatin e tyre, do të armatosen me celularë, kamera të fshehta etj, për të kërcënuar këdo, me të drejtë e pa të drejtë. Për të larë duart vetë, kryeministri po u jep atyre këtë armë presioni, që nuk e kontrollon dot më askush. Denoncimi anonim në emër të popullit që shkarkon njerëz nga puna, bëhet kështu më i fuqishëm edhe se gjykata.
Kjo luftë popullore kundër korrupsionit do të kishte një lloj vlere vetëm nëse qeveria do të kishte dhënë shembuj të vullnetit të mirë për ta dënuar vërtet këtë fenomen. Por të dënosh një infermiere dhe të mbash një drejtoreshë që kapet në flagrancë duke manipuluar politikisht një skandal, kjo e bën shumë fallco fryrjen e qeverisë me një portal online. Për të mos folur për drejtoreshën e barnave në QSUT që akuzohet se abuzon me ndarjen e medikamenteve për pacientët dhe se ato nuk kanë efekt mbi të sëmurët. Apo për ministrin që po mbush çdo ditë faqet e shtypit me fakte për tendera abuzivë dhe favorizim me miliona ndaj bizneseve të caktuara. Denonconi, thotë kryeministri, por një punonjëse që e bëri këtë për ministrin Veliaj u shkarkua nga puna. Vetë ministrit nuk i hyn gjemb në këmbë, pavarësisht se martohet si Pasha në një kala duke shkelur ligjin apo u bën presion kompanive të reklamave që të tërhiqen nga tenderat ku konkurojnë njerëzit e tij. Dhe ka shumë e shumë të tjera… Atëherë për çfarë vlejnë denoncimet popullore kundër korrupsionit? Për infermieret, mjekët, mësuesit, policët? 
Sigurisht që nuk vlejnë, por shërbejnë për të mbuluar pikërisht korrupsionin e madh e për t’u dhënë qytetarëve një kockë për të mos ngritur zërin. Një iluzion se ata gjoja kanë në dorë të luftojnë korrupsionin, por në fakt luftojnë njëri- tjetrin duke mbetur viktima të sistemit, njësoj si viktimat që denoncojnë ata vetë. 
Një qeveri nuk mund të kopjojë “Fiks Fare” që ka si mision gazetarinë investiguese e denoncuese, duke ndërtuar platforma online apo duke u shpërndarë kamera të fshehta qytetarëve. Ajo duhet të japë shembuj seriozë se ka vullnet politik për të luftuar korrupsionin, duke filluar nga vetja. Ndëshkimi i dy grave nuk i jep dot medaljen antikorrupsion Edi Ramës, qeveria e të cilit brenda një kohe rekord është rënduar me emërime të korruptuara politikisht dhe tendera të dyshimtë financiarisht.
/mapo/