• |
ide | kryesore

Shpend Ahmeti, mërzitshëm ordiner. Në mos më keq

Arkiva, Ide
petro1.jpg



Shpend Ahmeti nuk është kryetar i zakonshëm i një qyteti. Me buxhet të disponueshëm, është vendim-marrësi i dytë më i fuqishëm në shtet, pas kryeministrit. Vendimet e tija prekin një numër të madh të qytetarëve të Kosovës pasi që 15- 20% e krejt republikës janë rezidentë të kryeqytetit. Me ekspozim në media, që kanë habitat kryesisht kryeqytetin, me shumë pak interes për komunat e tjera, ai i takon nivelit të figurave nacionale politike. Me përkatësi partiake është poashtu i veçantë: i vetmi anëtar i Vetëvendosjës që ka fituar ndonjëherë një mandat ekzekutiv. Edhe përkrahjen e ka më diverse se partizanët e rëndomtë kosovarë: Shpendi është bërë kryetar me votat e atyre që kanë votuar përkundër faktit që është në Vetëvendosje, pasi ata që e duan për shkak se është mu në Vetëvendosje, janë një pakicë në Prishtinë.
Megjithatë, eksperienca e të qenurit prishtinali me kryetar Shpend Ahmetin deri tash është treguar mërzitshëm ordinere. Nuk më bie në mend asnjë fushë e vetme apo projekt i Shpendit që ka sjellë ndonjë ndryshim. Ndoshta ngulja e kunjave në trotuarë (potez i duhur) por komuna e Prishtinës tash e shumë vite ka një marrëdhënie “love/hate” me shtyllat. Edhe Ismet Beqiri pat ngulur mjaft prej tyre, shumë prej të cilave u shkulën pas disa viteve. Për ngrohje qendrore realisht nuk ka asnjë meritë, pos fatin që  ky projekt shumëvjeçar të përfundonte mu në fillim të mandatit të tij. Vende të reja të punës nuk ka hapur – bile nga ndërtimtarët, bizneset por edhe së paku një mërgimtar, po akuzohet që është fajtor për mbylljen e mijëra vendeve të punës në ndërtimtari. Edhe në menaxhim të stafit dhe buxhetit nuk është treguar më i zoti. Drejtoritë e rëndësishme kanë mbetur të zbrazëta me muaj të tëra, e disa prej drejtorëve është dashur të importohen nga degët e Vetëvendosjes prej qyteteve të tjera, në mungesë të kapaciteteve vetanake të ekipit të Shpendit. Buxheti po shënon sufiçit rekord, që është një fenomen tjetër i keq, dëshmi e mungesës së eksperiencës menaxheriale. Me ju thënë të drejtën, edhe qyteti po më duket më i ndotur se kurrë, me shërbimet e pastrimit krejtësisht jo në nivel. Nga Taslixhja deri në qendër, rëndom gjeni 7- 8 grumbuj mbeturinash, mini-deponi të vërteta bërllogu. Tema e tij e preferuar është nepotizmi, brengë kjo gjithsesi e madhe, por jo në përmasat që të kthehet në obsesion të kryetarit. Sidomos jo pasi që një nga emërimet e para që ka ndërmarrë është punësimi i një drejtori që është edhe burrë i deputetes së Vetëvendosjes. Ama ishte i kualifikuar. “Whatever”.
Shpendistat, gjithnjë e më të rrallë e më pak entuziastë, mund të thonë se kjo analizë e shkurtër e çerekut të parë të mandatit nuk është fer. Se Shpendi sapo ka nisur dhe ka plane të mëdha. Se do të sjellë rend në parkingje. Se do të sjellë sistemin e Zagrebit në shitje biletash të transportit publik. Se do të hapë fabrikën e ujit. Se do të përmirësojë sistemin e prokurimit. Se do të hapë tregun e gjelbër vetëm me produkte shqiptare, me logon “Blej shqip” dhe logon tjetër “Duaje Tënden”. Se do të mbjellë më shumë drunj. Thonë se ka filluar të japë molla dhe kifle me pak marmelladë filloristëve. Ka instaluar dollape për fëmijë që të mos të ngarkohen me libra në shtëpi. Ka tentuar tri herë ta shesë xhipin komunal. Ka studiuar në Harvard. Eshtë djal i mirë.
Mos të keqkuptohemi. Shpendi është djalë i mirë. “Nanush”. Edhe ka studiuar në Harvard. Edhe do të tentojë edhe më tutje t’a shesë Q7-shin. Edhe ka filluar t’u japë molla dhe kifle nxënësve (që dorën në zemër, nuk më duken më të shëndoshat). Ndoshta edhe ka përmirësuar sistemin e prokurimit, nuk kam ndonjë eksperiencë në atë departament. Për dollape, aty juria ende është duke debatuar– në shumë shkolla dollapet janë shkatërruar menjëherë sepse nuk janë dollapë industrialë për përdorim shkollor, si dollapet e famshme amerikane të metalta, por dollape nga pllaka furniri, shumë të lira dhe të afta të shkatërrohen shpejtë. Për biletat e transportit publik dhe parkingjet jam më skeptik. Më duken ide tipike entuziaste që s'përkojnë me realitetin e xhunglës urbane të Prishtinës. Edhe nëse në këto të numuruarat Shpendi ka sukses, prapë mbetet një ndjenjë anti- klimatike se këto ndryshime janë të pamjaftueshme për apetitet tona. Ngjashëm si me ja gjujt një kaçik të ndonjë pule të shkalafitun, një luani shumë të uritur. Luani i lodhur veç sa po bëhet nervoz me shakanë e pakripë.
Janë dy mangësi të mëdha që e hendikepojnë Shpendin aq shumë sa që kryetarllëku i tij i deritashëm duket shumë ordiner në kornizën më tipike, mediokre ballkanike, me rrezik të shndërrohet në sub- ordiner.
E para është se qytetit, përkatësisht kryetarit të qytetit më të madh dhe potencialisht edhe më progresiv shqiptar, i mungon vizioni. Përmirësimi i procedurave të prokurimit nuk është vizion. “Me mbjell drunj” nuk është vizion. Vizion është përgjigja se çfarë qyteti po imagjinon kryetari që Prishtina duhet të jetë? A duhet të jetë qytet që përqafon çmendurinë e vet, mungesën totale të planeve urbane por me dinamizëm dhe hedonizëm të pashoq, restorante dhe klube? Rini, jetë e natës, kulturës, industrive kreative dhe skenë alterntive- magnet i turistëve që dëshirojnë të provojnë diçka të re, në Europën më të re? Apo duhet të punohet në përforcimin e bujqësisë në unazën e suburbias, të fokusohet në prodhim industrial, hapje fabrikash dhe krijim të një ambienti më familjar, ku njerëzit nuk bezdisen me muzikë të çoroditur pas orës 10 të mbrëmjes.
Po të kishte vizion, çdo minutë dhe çdo hap politik lokal por edhe qëndror, kryetari do t'ia dedikonte qindra dhe mijëra vendimeve që nevojiten që ai vizion, cilido vizion, të plotësohej. Do të ishte bold. Do të ishte me të vërtetë i guximshëm dhe ta meritonte titullin në gazeta si i tillë. Por vizioni mungon, prandaj edhe kemi rezultate të zbehta, teknokratike. Të ikonizuara. Apps. Jo operating system.
Hendikepi i dytë i Shpendit është edhe më i rëndë. Kryetari jo vetëm që nuk ka vizion (hendikepi nr 1) por as nuk po i intereson Prishtina (hendikepi nr 2). Eshtë i zhytur thellë në botën e politikës së Vetëvendosjes në nivel shteti. Tenton të bëhet më katolik se papa si mënyrë e vetme e mbijetesës, në një ambient të cilit esencialisht nuk i takon. Deri sa nuk gjeti dot para dhe kohë të zbukuronte qytetin për Vit të Ri, duke i bërë kështu me një sy krahut moralist dhe fetarist të partisë, Shpendi shumë shpejt organizoi ditët e Çamërisë me pano reklamuese në mbarë sheshin Nëna Terezë me tekstin “I Love Çameria. 70 Vjet të Gjenocidit Grek”.
Shumë deklarata publike të Shpendit më 2015 në media e Facebook janë për Jabllanoviçin, për protestat e dhunshme, për tema të politikës kombëtare. Postime patriotike në përqafim të plotë të zeitgeistit si dhe postime të hidhëruara me partitë qeveritare.
Por, nëse diplomacia është shitore e porcelanit, ai sillet si elefant ndaj Greqisë duhe mbajtur tërë vitin si imazh kryesor të profilit të tij në Facebook një foto të sheshit Nëna Terezë me përkujtimin për “gjenocidin grek në Çamëri”, në kohën kur Kosova e lut, lobon, apelon, avokon, miqëson Greqinë që të sigurojë njohjen e pavarësisë. Derisa si kryetar qyteti dhe ish staf i Bankës Botërore shpreson dhe negocion për investime me institucione të kapitalizmit botëror, korporata dhe banka zhvillimore europiane, turke, gjermane, si politikan i qëndron superbesnik ideve të Albin Kurtit, i cili në parlament tha: “ky emigrim [i kosovarëve] që po merr përmasa të ekzodit, nuk do të ishte i mundur pa korporatat në Evropën perëndimore që kanë nevojë për fuqi të lirë punëtore, së cilës nuk i paguajnë sigurim social, shëndetësor e pensional. Për më tepër, qeveritë e djathta perëndimore, si zakonisht, u mundësojnë korporatave që t’i përdorin emigrantët shqiptarë që punojnë në të zezë si armë sulmi kundër sindikatave vendase atje”. Duke garuar me parinë e VV në ofendime dhe sulme ndaj partive në pushtet, Kryetari ia pamundëson vetes të gjejë kompromis në Kuvendin Komunal, ku partia e tij është në minoritet edhe kur ndihmohet nga Haradinaj dhe Limaj. 
Në një anë sulmon bankat kapitaliste e qeveritë djathtiste, në anën tjetër pret që banka gjermane t'ia paguajë fabrikën e ujit. Në një anë gjuan gurë e dru mbi liderët e PDK dhe LDK, në anën tjetër pret mirëkuptim dhe bashkëpunim prej tyre në nivel lokal. 
Përsëri, mos të keqkuptohemi. Unë dëshiroj që Shpendi të ketë sukses. Me të vërtetë kisha preferuar të ketë sukses, sepse mossuksesi i tij ndikon direkt në kualitetin e jetës të familjes dhe rrethinës ime. Suksesi i Shpendit do të ketë implikime nëse mesatarja e vdekshmërisë sime dhe gjeneratës sime është 2- 3 vjet më shumë apo më pak. “We want him to succeed.” 
Por kështu qysh ia ka nisur– e nuk ka asnjë arsye të besojmë se do të ndryshojë diçka– Shpendi do të përfundojë edhe dy vjetë mandatin dhe që tani dihet se nuk ka gjasa ta fitojë të dytin. Do t’a lërë pas vetes një mandat krejtësisht ordiner. Pas vetes do të lërë flamujt e zbehur kuqezi të ngjitura anekënd qytetit, solitera të papërfunduar dhe shtresat e reja të zhyllit dhe lloqit. 
Pallankë ballkanike krejtësisht ordinere.
 
Autori është zëvendës ministër i jashtëm i Kosovë. Opinionet e shprehura janë personale dhe nuk përfaqësojnë qëndrimin e institucionit. Për më shumë, përcjellkeni në Twitter me nofkën @petrit
Ky shkrim është shkruar posaçërisht për lapsi.al