• |
ide | kryesore

Tjetër akuzë për Tony Blair/ I dorëzonte tek Gadafi opozitarët libianë

Arkiva, Planet
Blair-visit-to-Africa-012.jpg



Toni Blair po përballet me një tjetër akuzë publike, këtë radhë se në mënyrë të jashtëligjshme i ka dorëzuar ish diktatorit Libian, Muammar Gaddafi, kundërshtarët e tij politikë. Gazeta The Guardian ka bërë publike dje një letër që këshilltari aktual i Edi Ramës, i bënte gjatë kohës së pushtetit, liderit të Tripolit.

Tony Blair i ka shkruar kolonel Muammar Gaddafi-t për ta falenderuar për  “bashkëpunimin e shkëlqyer” mes agjensive antiterror të të dy vendeve pas një periudhe gjatë të cilës Mbretëria e Bashkuar dhe Libia kishin punuar së bashku  në rrëmbimin dhe më pas dërgimin në Tripoli të disidentëve libianë dhe familjeve të tyre.

Letra, e vitit 2007, u shkrua pas një periudhe gjatë të cilës zyrtarë të shërbimit inteligjent të diktatorit ishin lejuar të vepronin në Mbretërinë e Bashkuar, duke iu afruar dhe intimiduar refugjatë libianë në përpjekje për t’ i binduar ata të punonin si informatorë për agjensitë e të dy vendeve.

E nisur me fjalët “I dashur Mu’ammar” dhe  e mbyllur me fjalët “Urimet më të mira, juaji përherë, Tony”, letra është një nga qindra faqe dokumentash të nxjerra nga zyrat e qeverisë libiane pas revolucionit të vitit 2011 dhe që u mblodhën së bashku nga një ekip avokatësh londinezë.

Blair dhe Gadafi ne Libi, poshtë letra e tij

Avokatët po mbrojnë kërkesën për dëmshpërblim në emër të rreth 12 ish kundërshtarëve të Gaddafi-t të cilët ishin targetuar nga agjensitë e inteligjencës së të dy vendeve gjatë periudhës së bashkëpunimit. Bëhet fjalë për persona që janë ndaluar në mënyra të ndryshme dhe keqtrajtuar në Arabinë Saudite, të dorëzuar nga Mali në Libi, ose të ndaluar dhë të nënshtruar ndaj urdhërave të kontrollit në mbretërinë e Bashkuar.

Gjashtë burra libianë, e veja e një të shtati dhe pesë qytetarë britanikë me origjinë libiane dhe somaleze, kanë ngritur akuza ndaj qeverisë britanike bazuar në dokumentat e gjetur, duke pretenduar brugosje të padrejtë, shantazh, keqtrajtime dhe sulm mbi personin.

Letra në fjalë bëhet publike në një kohë kur politika e jashtme e qeverisë së fundit laburiste është vënë intensivisht në shënjestër. Këtë javë, Blair hodhi poshtë çdo sugjerim që e fajësonte për vonesën në publikimin e raportit  të hetimit Chilcotm në lidhje me vendimin e Anglisë për t’iu bashkuar luftës në Irak. Blair është një nga ata që pritet të jenë kritikuar në këtë raport.

Dokumentat e gjetura tregojnë se MI5 dhe MI6 kishin formuluar më shumë se 1600 pyetje për dy liderët e opozitës libiane të cilët ishin rrëmbyer me asistencën britanike dhe ishin dërguar në një nga burgjet e Gaddafi-t. Të dy ata thonë se u janë nënshtruar torturave çnjerëzore.

Informacioni që  ishte marrë nga ata gjatë pyetjeve në burg, ishte dërguar më pas në Londër dhe ishte përdorur për të justifikuar urdhrat e kontrollit të vendosur për katër disidentë libianë, rezidentë në Britani. Avokatët e qeverisë britanike hedhin poshtë mundësinë që të jetë përdorur informacion i nxjerrë nga të burgosurit në Libi.

Letra eBlair, dërguar nga Downing Street është shkruar në 26 prill 2007, për të informuar Gaddafi-n se Mbretëria e Bashkuar ishte duke dështuar në përpjekjet e saj për të deportuar dy libianë të lidhur me një organizatë islamike opozitare, LIFG. Gjykata e apelit e kishte hedhur poshtë vendimin për depërtimin e tyre, pasi sipas saj anëtarët e LIFG nuk mund të deportoheshin në Libi, pasi ata mund të torturoheshin, pavarësisht sigurisë së ofruar nga Gaddafi se një gjë e tillë nuk do të ndodhte. Avokatët e dy burrave, në atë kohë nuk e dinin se vlerësimi për klientët e tyre bazohej mbi informacione të nxjerra nga viktimat e veprimeve të përbashkëta mes Anglisë dhe Libisë.  

Blair e fillonte letrën e tij për Gaddafi-n me fjalët: “Shpresoj se ju dhe familja juaj jeni mirë.” Ai më pas informonte diktatorin se ai besonte se ishte tejet e rëndësishme  që vendimi i gjykatës “të mos cënonte bashkëpunimin dypalësh dhe efektiv mes dy vendeve…  Siç ju e dini, unë jam i vendosur ta shoh këtë partneritet të zhvillohet më tej ”.

The Guardian/përgatiti Lapsi.al