• |
ide | kryesore

Flet Shpëtim Gjika: Arrestimi, skenar politik. Por nuk i njoh regjisorët

I pakategorizuar
gjika spital.jpg



Skenar politik për ta goditur? Shpëtim Gjika është i bindur. Në të parat fjalë që prej arrestimit, duke folur për disa media nga spitali privat ku gjendet prej të shtunës, kryetari i Bashkisë së Vlorës flet për një makinacion që synon ta asgjësojë politikisht.

“Arrestimi im është një skenar politik, por nuk di regjisorët. Unë sot doja të përgjigjesha për çështjen e arrestimit tim dhe për mënyrën se si jam arrestuar e çfarë lojërash e skenarësh po bëhen për të denigruar jo vetëm figurën e kryetarit por dhe figurën time personale si Shpëtim Gjika” – tha ai.

Kryebashkiaku vlonjat hedh poshtë akuzat e Prokurorisë se ka penguar punën e tyre.

“Kjo është një akuzë sa absurde aq dhe qesharake, në asnjë moment nuk kam qenë pengesë jo vetëm për prokurorinë por për gjithkënd tjetër. Keni qenë dëshmitarë dhe ju mediat që zyra ime është bërë katër kanata dhe nga qytetarë të ndryshëm. Hedh poshtë jo vetëm për vërtetësinë e faktit, por edhe me neveri e përbuzje këto akuza të prokurorisë”, u shpreh Gjika.

Gjika bën ironi me prokurorët që kanë shprehur dyshime për sëmundjen e tij.

“Prokuroria kujton se unë këtu kam ardhur të bëjë, depilim të heq thonjtë ose të heq vetullat. Ky është problem i tyre, nëse kam bërë apo jo koronare ka kartela mjekësore, mund të pyesni mjekët. Megjithatë nuk kam dëshirë të jap asnjë lloj detaji dhe informacioni për shëndetin tim, pasi e konsideroj këtë një çështje thellësisht private” – sqaroi kryebashkiaku.

I pyetur edhe për rikandidimin në postin e kryebashkiakut të Vlorës, për Shpëtim Gjikën tani ka përparësi shëndeti.

“Po mendoj tani vetëm për shëndetin dhe nuk është as koha as vendi të mendoj për zgjedhjet”.  

Përsa i përket lejes së pallatit 11 -katësh ai thotë se pronarët e tij janë autoktonë në trullin ku është ndërtuar. Mohon edhe akuzat e prokurorisë se ai i ka penguar prokurorët në hetimet e tyre, por sqaron se u kishte kërkuar kohë për shkak se po merrej me përmbytjet.