• |
ide | kryesore

Kur flet dhe Blushi për të varfrit!

Arkiva, Ide
kol shamet.jpg

Prej Ben Blushit, të varfërit nuk kërkojnë që ai t'i kuptojë. Të kuptuarit e diçkaje që s'do mend të kuptohet, nuk të jep bukë. Siç e thotë edhe ai vetë: të varfërit e dinë fare mirë se pushtetarët e këtij sistemi që prodhon varfëri, nuk kanë asnjë mundësi për t'i ndihmuar. Ama nga Blushi dhe ata si Blushi, pritet gjithsesi që të ndihmojnë. Dhe ndihma e vetme që ai dhe të ngjashmit e tij mirëmbajtës të sistemit mund të japin, është të hapin krahun.


Blushi nuk mund të flasë sot si një alien që befas zbret në planetin tokë dhe zbulon çfarë tmerresh mizore bëjnë kërdine këtu. Në forma të ndryshme, Blushi ka qenë pushtetar, qeveritar dhe deputet prej të paktën 15 vjetësh. Ai ka qenë ministër ndër kabinete që i kanë vënë vulën instalimit të sistemit ekonomik neoliberal të privatizimeve, shkatërrimit të shtetit dhe superxhiros së privatit. Për të gjitha këto, Blushi ka heshtur dhe ka votuar në mënyrë bashkëfajtore.


Blushi ka qenë deputet opozitar në kohën kur opozita e kërkonte pushtetin si ndërrim emrash dhe fajësim emrash, duke u kujdesur që as të mos kuptohej prej njerëzve e as të mos u jepej shpresë njerëzve për një ndërrim rrënjësor të shkaqeve të mjerimit të tyre. Gjatë gjithë kësaj kohe, Blushi ka heshtur, ka shkruar libra me arapë dhe ka votuar.

Blushi është anëtar i mazhorancës sot kur qeveria e tij po thellon neoliberalizimin e ekonomisë së vendit me pretekstin e "reformave" të cilat më në fund Blushi po e kupton se janë masa shtrënguese në kurriz të të varfërve. Mirëpo Blushi si deputet funksional i kësaj mazhorance, fjalët kundërshtuese i ruan për artikujt, ndërsa votën aprovuese e jep për privatizimet, për buxhetet shpërblyese të të pasurve, për relativizimin e rolit të shtetit dhe amplifikimin e atij të privatit.

Nuk e kemi parë kurrë Blushin të problematizojë në Kuvend ndonjë dhënie liçence, ose orientimin e parave të shqiptarëve për të shperblyer biznesin teksa i lihet biznesit të kryejë ato punë që duhet t'i kryejë normalisht qeveria, ose të skandalizohet nga mburrjet e ministrit të tij të ekonomisë për privatizimin e afërt të 65 ndërmarrjeve e shërbimeve shtetërore. E pra, përtej sofizmave, nëse Blushi s'ka mundësi të ndalë keto masa që po e zhysin edhe më thellë Shqipërinë në batak, e vetmja ndihmë që ai mund të japë është t'i denoncojë ato, të distancohet prej tyre dhe të hapë krahun.

Ky lloj opozitarizmi për konsum që ofron Blushi, më shumë ngjan si një dëshirë për t'u përfshirë në trendin e kohës. Kohë e cila po flet tashmë me zërin e Aleksis Ciprasit në Greqi, Albin Kurtit në Kosove apo të tjerë heronjve kurajozë që sot po bëjnë realitet këmbënguljen e tyre shumëvjeçare në kauzën e tyre të drejtë. Blushi po përpiqet të kapë në ecje e sipër një tren të cilit ai vetë i ka vënë shkopinj nën rrota gjatë kontributit të tij kaqvjeçar në dobi të sistemit neoliberal, ku ai ka qenë jo thjesht zbatues, por edhe politikëbërës, përpilues.

Andaj, kur Blushi flet me pikëllim për varfërinë, mungesën e shpresës dhe mjerimin material e shpirtëror të shqiptarëve – gjëra që ai po i "zbulon" me rastin e një përmbytjeje – ai në fakt nuk po shpreh ndonjë keqardhje. Ai thjesht po riviziton vendngjarjen e një krimi shumëvjeçar politik. Tek i cili, si të gjithë kolegët e vet politikanë këta 24 vjet, ai ka qenë dhe është bashkëekzekutues.

Kthehu