• |
ide | kryesore

Cfarë rrezikon Etrit Berisha. Procesi i tij gjatë shkurtit

Arkiva, Sport
berisha_1374.jpg



E ardhmja e Etrit Berishës mbetet ende e paqartë për shkak të një hetimi që është nisur nga Gjykata Federale Kombëtare për shkak të para-kontratës që ai ka pasur me Chievo, por më pas firmosi me skuadrën e Lazios. Sipas asaj që shkruhet në faqen e Federatës Italiane të Futbollit, lojtari ka një kontratë të depozituar me Lazion në 1 shtator 2013 edhe pse më përpara kishte firmosur në 29 korrik 2013 me Chievon. Sipas federatës italiane, Berisha ka shkelur normativën federale që e ndalon një lojtar të nënshkruajë brenda një sezoni me disa klube. Por, çfarë mund të ndodhë në këtë situatë? Nëse nuk do të ketë surpriza, brenda muajit shkurt do të caktohet data e gjyqit në Gjykatën Federale në të cilën avokatët e portierit shqiptar do të japin argumentet e tyre. Përfaqësuesit ligjorë te portierit këmbëngulin se portieri ka firmosur një kontratë të rregullt sepse me Chievon, Berisha ka arritur marrëveshjen për një parakontratë, ashtu siç parashikohet edhe nga normat ndërkombëtare, raporton "SuperSport".

Sipas mediave italiane, kjo çështje mund të mbyllet me 20 deri në 30 mijë Euro gjobë, por çështja mbetet në zhvillim, prandaj i rëndësishëm në këtë mes do të jetë interpretimi që do t'i bëjnë ligjeve përfaqësuesit ligjorë të lojtarit dhe skuadrës së Lazios.