• |
ide | kryesore

Pse Siriza është e rrezikshme

Arkiva, Planet
siro.jpg

Më 25 janar, Greqia votoi në shumicë për ndryshim, duke hequr nga pushteti dy parti politike – Nea Demokracia dhe Pasok – të cilat patën sunduar vendin në një formë apo një tjetër që nga rivendosja e demokracisë më 1974. Qe koha e duhur që votuesit ta bënin këtë.

Përgjatë katër dekadave të fundit, udhëheqësit e Greqisë krijuan një sistem klientelizmi që transformoi vendin në një nga shoqëritë më të pabarabarta dhe të padrejta nga pikëpamja sociale në Bashkimin Europian. Pasok, partia tradicionale e së majtës në Greqi, është e gllabëruar nga skandalet dhe duket se ka mbërritur në fund të jetës së vet, duke marrë vetëm 4,6 për qind të votave.

Telashi është se, duke votuar për ndryshim, votuesit e Greqisë hodhën një hap drejt errësirës. Kryeministri i sapozgjedhur, Alexis Tsipras, advokon për lehtësim të borxheve dhe për braktisje të masave të kursimit – objektiva që kanë mbështetje të gjerë popullore. Dhe shumë nga e majta Europiane po i gëzohen refuzimit zhurmëshumë të masave të kursimit të imponuara nga Gjermania nga ana e Tsiprasit si e vetmja politikë e vlefshme për ekonomitë në telashe të Europës. Por, megjithëse Tsipras dhe partia e tij janë të rinj, idetë e tjera që ata ekspozojnë janë të vjetra – dhe shumë larg të qenit ideale për Greqinë apo Europën.

As Tsipras dhe as partia e tij, Syriza, nuk është e dëmtuar nga politikat shkatërrimtare të paraardhësve të vet. Kjo duhet të jetë gjë e mirë, për shkak se mund t’i lejojë udhëheqësve të Europës të kuptojnë më në fund se ajo që po luhet në Greqi është fati i popullit, jo mbijetesa e një klase politike të dështuar. Por vendimet e para të Tsiprasit kanë kundërshtuar BE-në dhe kanë krijuar një klimë konfrontimi.

Problemi është që Syriza nuk është me të vërtetë një parti kundër masave të kursimeve. Avokatët e vërtetë të anulimit të politikave të kursimit – përfshirë ekonomistët Joseph StiglitzPaul Krugmandhe Simon Wren-Lewis – i japin kritikat e tyre nga një perspektivë europiane. Njësoj si To Potami, një parti dhjetë muaj e vjetër në Greqi në të cilën unë jam anëtar, ata mbrojnë idenë për të korrigjuar gabimet politike që kërcënojnë mbijetesën e eurozonës, në mënyrë që të krijojnë një BE më të fortë.

Syriza nuk mendon kështu; dhe, në të vërtetë, Tsipras nuk kërkoi të bëjë aleancë me To Potami, e cila mori 6 për qind të votave. Në vend që të kritikojë masat e kursimit si një gabim politik i rëndë, ajo dënon masat e kursimit si një sulm kundër Greqisë, një imponim neokolonialist apo një projekt ideologjik armiqësor që shkoi keq. Gjuha e tij është ajo e rezistencës ndaj një pushtimi.

Rrjedhimisht, nuk ndodhi aksidentalisht që Tsipras zgjodhi partinë e ekstremit të djathtë Grekët e Pavarur si partnerë në koalicionin e vet qeverisës. Të dyja partitë flasin të njëjtën gjuhë – atë të nacionalizmit virulent – përdorur nga armiqtë e Europës, qoftë në Dresden, qoftë në Moskë.

Ia vlen të rikujtojmë historinë e vonë të Syriza. Gjatë debateve përreth kolapsit të sistemit bankat të Qipros më 2013, Tsipras iu referua udhëheqësve të BE-së si “gangsterë” – e njëjta lloj retorike e përdorur nga populistët europianë të ekstremit të djathtë si Marine Le Pen dhe Geert Wilders. Më së fundmi, ai akuzoi udhëheqësit e BE-së se kanë hartuar marëveshjen e shpëtimit nga falimenti të Greqisë në një mënyrë që t’i mundësojë ta “plaçkisin” Greqinë nga asetet e saj. Në këtë kuptim, gjithashtu, heroi i ri i të majtës Europiane ngjan shumë me kryeministrin hungarez Viktor Orbán dhe ultranacionalistët e tjerë.

Në mënyrë të ngjashme, ministri i ri i jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, beson se BE-ja është një formë e re “perandorie,” e tillë që ka kthyer Greqinë në një “koloni borxhesh.”

(Ky është titulli i librit më të fundit të Kotzias.) Dokumentet zyrtare të Syriza në mënyrë të rregullt dënojnë BE-në si një organizatë që minon demokracinë dhe shkakton varfëri dhe mjerim nëpër Europë.

Përgjatë pesë viteve të fundit, Tsipras ka ndërtuar mbështetjen për Syriza duke sulmuar partitë greke pro-europiane si kukulla “neo-liberale” të Gjermanisë. Megjithëse edhe vetë Tsipras pretendon se është në favor të Euros, ai nuk përmend kurrë disiplinën fiskale që kërkohet për Euron, apo që Greqia hyri në telashe për shkak se shkeli detyrimet e traktatit. Ai madje kundërshton edhe konkluzionet e Eurostat, agjencisë statistikore Europiane, e cila thotë se Greqia dha të dhëna të rreme për buxhetin në vitin 2009. Në vend të kësaj, ai argumenton se shifrat e korrigjuara më 2010 qenë rezultat i një komploti, dhe që zyrtarët e Greqisë që publikuan të dhënat duhet të përndiqen penalisht.

Syriza nuk është tamam vetëm në Greqi në hedhjen e fajit te BE për shqetësimet e vendit. Demokracia e Re dhe Pasok bëjnë pak a shumë të njëjtën gjë, duke sulmuar BE-në, “spekulantët”, fondet hedge – çdokënd që mund të shërbejë për të zhvendosur vëmendjen e publikut nga përgjegjësitë e vetë politikanëve grekë për krizën. Media më e madhe private në Greqi, e kontrolluar nga oligarkët e vendit, është e lumtur të bindet.

Kështu, shumica e televizioneve flasin për një marëveshje shpëtimi njësoj siç flet Tsipras: sikur ata janë viktima të masave të kursimit dhe rezultat i një dogme neoliberale. Për rrjedhojë, për shumë tepër njerëz në Greqi, masat e kursimit reflektojnë obsesionin të çmendur të Gjermanisë për disiplinë, jo shthurjen e vendit. Dëshpërimi për shkak të varfërisë dhe pasigurisë është kthyer në zemërim ndaj projektit Europian – gjë që trishtueshëm po kthehet në patologji pan-europiane.

Novacioni kryesor i Syriza ka qenë që të kapitalizojë nevojën urgjente për ndryshim në Greqi duke portretizuar partië që ajo rrëzoi si në një farë mënyre të rradhitura në anën e armiqve të vendit, përfshirë BE-në. Ky mesazh sugjeron që Syriza është gjithashtu e gatshme edhe për ndryshimin më të keq të mundshëm nga të gjitha: izolimin nacionalist.

Pavlos Eleftheriadis/Botuar nga Project Syndicate, 2015

Kthehu